Liahona
3 Parime Udhërrëfyese për Përdorimin e Teknologjisë dhe të Mediave
Mars 2024


“3 Parime Udhërrëfyese për Përdorimin e Teknologjisë dhe të Mediave”, Liahona, mars 2024.

3 Parime Udhërrëfyese për Përdorimin e Teknologjisë dhe të Mediave

Ndërsa teknologjia vazhdon të zhvillohet, këto qasje ndaj mediave do të na ndihmojnë të shkojmë përpara me mençuri.

dorë që mban një telefon inteligjent me një tabelë qarku elektronik në ekran

Teknologjia po ndryshon në mënyrë të vazhdueshme. Dhe çdo përparim në teknologji ka sjellë mënyra të reja për të shpenzuar kohë në media. Shtypshkronja e ndryshoi në mënyrë domethënëse se kush mund t’i përdorte fjalët e shkruara. Radioja dhe televizioni ndryshuan në mënyrë dramatike mënyrën se si i komunikojmë lajmet, informacionin dhe argëtimin. Interneti ndryshoi se sa përmbajtje mund të përdornim dhe kush mund ta krijonte atë. Mediat shoqërore ndryshuan aftësinë tonë për të gjetur njerëz, për të komunikuar e për t’u lidhur me ta. Teksa shfaqet inteligjenca artificiale, ne përballemi me pyetje të reja.

Teknologjia e re nuk është kurrë e gjitha e mirë apo e gjitha keqe. Në vend të kësaj, shpesh është si një xham zmadhues që mund të zmadhojë mundësi të reja dhe shqetësime të reja. Teksa përpiqemi fort të jemi më shumë si Krishti, ajo që ka rëndësi, është përgjigjja jonë ndaj teknologjisë së re dhe mediave që ajo mund t’i sjellë në jetën tonë.

Një Qasje e Bazuar te Parimi

Natyrisht, nuk ka asnjë listë rregullash për të udhërrëfyer çdo vendim që marrim në lidhje me teknologjinë dhe mediat. Në vend të kësaj, ne mund të mësojmë parime që na ndihmojnë për të na udhërrëfyer teksa bëjmë zgjedhje. Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Parimet janë të përjetshme dhe universale. Rregullat ose zbatimet e veçanta të atyre parimeve funksionojnë mirë në disa vende, por jo në vende të tjera. Çfarë na bashkojnë janë Jezu Krishti dhe të vërtetat e përjetshme që Ai i dha mësim, edhe nëse zbatimet e veçanta ndryshojnë me kalimin e kohës dhe përmes kulturave të ndryshme.”1

Ndjekja e parimeve të bazuara tek të vërtetat e ungjillit do të na ndihmojë që të qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve. Shpirti do të na udhërrëfejë ndërsa përpiqemi fort të bëjmë zgjedhje të bazuara mbi ato parime. Pra, cilat parime mund të ndihmojnë për t’i udhërrëfyer zgjedhjet tona për teknologjinë dhe mediat?

1. Unë mund ta përdor lirinë time të zgjedhjes morale për të bërë zgjedhje që të kontrolloj teknologjinë. Ajo nuk më kontrollon mua.

Ndonjëherë mund të ndiheni sikur teknologjia po e merr nën kontroll jetën tuaj. Është e rëndësishme të mbani mend se mund të bëni zgjedhje për ta kontrolluar teknologjinë. Ajo nuk ju kontrollon. Ju mund të jeni të qëllimshëm kur zgjidhni t’i përdorni teknologjinë dhe mediat për të bërë mirë dhe për të kërkuar gjëra që janë “të virtytshme, të dashur[a] ose me famë të mirë apo të denj[a] për t’u lavdëruar” (Nenet e Besimit 1:13).

Zoti tha: “Unë, Zoti, kam një punë të madhe për ty për të bërë” (Doktrina e Besëlidhje 112:6). Merrni parasysh se si mund ta përdorni teknologjinë për të kryer atë punë të madhe dhe të qëndroni “të përfshi[rë] me zell në një kauzë të mirë” (Doktrina e Besëlidhje 58:27). Mund t’ju duhet ta përdorni teknologjinë në punën tuaj. Mund ta përdorni për të gjetur forma të shëndetshme argëtimi. Mund t’ju ndihmojë të lidheni me të tjerët. Dhe mund t’ju ndihmojë të mësoni, të rriteni dhe ta kryeni punën e Zotit. Megjithatë, përdorime të tjera mund të jenë shpërqendruese, të papërshtatshme ose të dëmshme. Në vend që ta lejoni teknologjinë t’ju kontrollojë, përdorni urtësi si dhe udhërrëfimin e Shpirtit për të bërë zgjedhje që ju lejojnë të keni kontrollin.

2. Kur përdor lirinë time të zgjedhjes morale për të planifikuar paraprakisht, ndihem më mirë dhe bëj zgjedhje më të mira.

Ndoshta keni pasur një përvojë kur bëtë një zgjedhje në lidhje me teknologjinë dhe patët ndjesinë se nuk ishte e drejtë. Mund të ketë përfshirë mediat që përdorët ose kohën e shpenzuar për një veprimtari të caktuar. Në vend që të fiksoheni te gabimet që keni bërë, është më e shëndetshme të përqendroheni te rritja e vazhdueshme. Nëse planifikoni paraprakisht, do të bëni zgjedhje më të mira sesa po t’i merrni të gjitha vendimet tuaja në atë çast. Ju mund të caktoni orientime vetjake në përputhje me standardet e ungjillit për t’ju ndihmuar që të bëni zgjedhje të mira.

Nëse e gjeni veten duke i keqpërdorur apo duke i përdorur më tepër nga ç’duhet mediat, kini kurajën që të përpiqeni fort për ndryshim. Për shembull, nëse disa forma të mediave nuk frymëzojnë ose nuk ju përçojnë një ndjenjë të mirë, përshtatini zakonet tuaja. Nëse po e përdorni teknologjinë për të përdorur mediat ose për t’u përfshirë në një sjellje që e dini se nuk është e drejtë, kini guximin të ndryshoni dhe kini durim me veten tuaj ndërsa përpiqeni fort që t’i bëni ato ndryshime. Mendoni për disa gjëra praktike që mund të bëni për të ndryshuar. Për shembull, nëse e keni më të vështirë të merrni vendime të mira në periudha të caktuara të ditës, mund të planifikoni kohë se kur do ta përdorni teknologjinë dhe kohë kur nuk do ta përdorni atë.

Po ashtu, nëse po e përdorni teknologjinë për të forcuar veten, për t’u lidhur me të tjerët, për të kryer punën e Zotit dhe e ndjeni Shpirtin, vazhdoni t’i bëni ato gjëra. Ndërsa jeni vërtet të sinqertë me veten për zgjedhjet tuaja, besimi juaj te Zoti mund t’ju ndihmojë ta përdorni lirinë tuaj të zgjedhjes në mënyra që ju bëjnë të ndiheni më mirë dhe të vazhdoni të bëni zgjedhje më të mira.

3. Unë mund ta përdor lirinë time të zgjedhjes morale për t’u ndalur dhe për të bërë një shkëputje.

Ju mund të mendoni se pyetjet rreth teknologjisë dhe mediave janë të vazhdueshme. Sa është me të vërtetë shumë? A duhet ta rris apo ta zvogëloj përdorimin nga ana ime të mediave dhe teknologjisë? A po e përdor kohën time me mençuri? Përpiquni që mendime të tilla të mos ju mbingarkojnë emocionalisht. Mbani mend se është në rregull që të ndaleni dhe të bëni një shkëputje nga mediat. Një shkëputje mund të jetë zgjedhja për të bërë veprimtari të tjera përveç ngulitjes së shikimit te një ekran për disa orë, ose madje mospërdorimi i teknologjive të caktuara, të tilla si mediat shoqërore, për një periudhë më të gjatë kohore.

Teknologjia siguron bekime të mëdha për të na ndihmuar që të qëndrojmë të lidhur me të tjerët; sidoqoftë, thjesht ngaqë ne mund të lidhemi në çfarëdo kohe, nuk do të thotë se kemi nevojë të lidhemi në çfarëdo kohe. Zoti na kujton: “Rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi” (Doktrina e Besëlidhje 101:16). Sigurohuni se po gjeni kohë për t’u lidhur me Të.

Jini të Mençur

Ndërsa teknologjia vazhdon të zhvillohet, ne të gjithë do të përballemi me shumë vendime. Në vend që t’i kërkojmë Kishës për rregulla dhe lista specifike, ne mund t’i drejtohemi Atit Qiellor, Shpëtimtarit, shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të profetëve bashkëkohorë për parime që të na ndihmojnë në udhërrëfimin e zgjedhjeve tona. Shpirti do të na ndihmojë të dimë nëse zgjedhjet tona janë të drejta. Fjalët e Jakobit janë të zbatueshme sot sikurse ishin kur ai fillimisht i dha ato mësim: “O, jini të urtë; çfarë mund të them më?” (Jakobi [LiM] 6:12.)