Liahona
Çfarë Zbulova Kur u Shkëputa nga Mediat Shoqërore
Mars 2024


“Çfarë Zbulova Kur u Shkëputa nga Mediat Shoqërore”, Liahona, mars 2024.

Çfarë Zbulova Kur u Shkëputa nga Mediat Shoqërore

Zvogëlimi i përdorimit të mediave shoqërore nga ana ime më ka lejuar të jem më e pranishme për fëmijët e mi dhe ta përmirësoj marrëdhënien time me Shpëtimtarin.

grua që mban tela të shkëputur, ndërkohë që ikonat e mediave shoqërore pluskojnë përreth saj

Ilustrimi nga David Green

Këto vitet e fundit e dija se Perëndia po më nxiste që të largohesha nga mediat shoqërore. E dija se shkëputjet nga mediat shoqërore ishin mrekulli për mua, por e dija gjithashtu se më pëlqente komuniteti që gjeja atje. Nuk dija se si t’i pajtoja këto dy gjëra; thjesht e dija që diçka duhej të ndryshonte.

Lexova një libër që më bëri të përsiat pyetjen: “Sa kohë e harxhuar në mediat shoqërore është sasia e duhur për të siguruar dobinë e komunitetit, pa të gjitha ndikimet negative?” Për mua, përgjigjja për këtë pyetje ishte rreth 20 minuta … në muaj. Vendosa një synim për ta realizuar këtë dhe me ndihmën e Zotit, ishte më e lehtë nga sa e mendova. Gjëja që nuk e prisja, ishte se sa do ta forconte ky ndryshim marrëdhënien time me Shpëtimtarin tim. Arrita ta ndieja më mirë dashurinë që Shpëtimtari ka për mua; kam arritur të kuptoj më qartë planin që Ai ka për mua; dhe kam arritur të shoh më qartë nevojat e njerëzve përreth meje.

Moslejimi i Fotografive të Vetvetes që të Përcaktojnë Vetëvlerësimin Tim

E kam ditur gjithmonë se jam një fëmijë i Perëndisë dhe se Ai më do. E kam ndier dashurinë e Shpëtimtarit tim gjatë kohëve të vështira në jetën time. Por shumë shpesh i lejoja mediat shoqërore të diktonin se si e shikoja dhe mendoja për veten. Sado që përpiqesha të bindja veten se imazhet idealiste në mediat shoqërore nuk më ndikonin, del në fakt që më ndikuan. Zvogëlimi i kohës sime në mediat shoqërore më lejoi paqen dhe qetësinë mendore që më nevojitej për ta dëgjuar Shpëtimtarin të më tregonte se si ndihej Ai rreth meje. Nuk e kuptova se sa shumë më kishte munguar ta dëgjoja zërin e Tij derisa krijova më tepër hapësirë që Ai të ishte atje.

Kam besuar gjithmonë në planin e shpëtimit. E di se Jezu Krishti është qendror në atë plan. Por gjithashtu besoj se Ati Qiellor ka një plan për secilin prej nesh individualisht. Leri M. Gibson, ish‑Këshilltar i Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rinjve, dha mësim: “Unë e di se Ati Qiellor shqetësohet për secilin prej nesh individualisht dhe ka një plan vetjak për ne që të arrijmë fatin tonë të përjetshëm”1.

Kalova shumë kohë duke kërkuar në internet që të përpiqesha e të kuptoja se cili ishte qëllimi im. Prania në mediat shoqërore më dha një vend në rreshtin e parë për të gjitha gjërat krijuese, të mrekullueshme që po bënin njerëzit. Mësova shumë nga këta njerëz, por shpenzova shumë më tepër kohë duke kërkuar sesa duke bërë. Që kur u largova nga mediat shoqërore, jam ndier e udhërrëfyer që të di në mënyrë të veçantë se çfarë Ati Qiellor donte që unë të bëja. Shumë nga këto gjëra kanë qenë befasuese dhe të ndryshme nga sa mendoja se do të ishin, por ato e kanë bërë jetën time më të pasur dhe më të bollshme.

Shpëtimtari erdhi që ne të mund të kemi jetë dhe që ta kemi atë më me bollëk (shihni te Gjoni 10:10). Jam mirënjohëse për shtytjet që na jep Fryma e Shenjtë për të na ndihmuar që të kemi një jetë më me bollëk.

Jeta përtej Ekranit

Shpëtimtari pa njerëzit që i shpëtuan vëmendjes së të tjerëve. Më pëlqen shumë të lexoj histori rreth Tij duke u dhënë shërbesë njerëzve të tillë dhe duke u dhënë mësim për vlerën e tyre. Kalimi i tepërt i kohës në mediat shoqërore më pengoi që t’i shihja vërtet njerëzit në vetë jetën time, përfshirë familjen time. E kuptova se, në qoftë se fëmijët e mi nuk do ta ndienin se i shihja, atëherë do të kërkonin shpejt burime të jashtme për ta vërtetuar vlerën e tyre.

Më ka mahnitur dashuria që kam për fëmijët e mi teksa kam qenë më e pranishme me ta. E kam dashur rolin tim si nënë në këtë vit që ka kaluar, më shumë se kurrë më parë. Kam arritur të njoh fqinjët dhe kam qenë më aktive në komunitetin tim. Mundësitë e mia për shërbim janë shtuar. Mendova se mediat shoqërore po më ndihmonin të isha më e vetëdijshme, por në realitet nuk po jetoja aq sa duhet në të tashmen për të parë vërtet nevojat e njerëzve përreth meje.

Zvogëlimi i përdorimit të mediave shoqërore nga ana ime dukej si një gjë e vogël dhe e thjeshtë, por më ka lejuar ta rrit shumë besimin tim dhe të përmirësoj marrëdhënien time me Shpëtimtarin tim. E di se Ati Qiellor na do, ka një plan për ne dhe ka fëmijë të cilët gjithashtu kanë nevojë që të ndiejnë se shihen nga ana jonë.

Autorja jeton në Nju‑Jork, SHBA.