“Isha e Rrethuar nga Njerëz, por Prapë Ndihesha e Vetmuar”, Liahona, mars 2024.
Të Rinjtë në Moshë Madhore
Isha e Rrethuar nga Njerëz, por Prapë Ndihesha e Vetmuar
Kur u shpërngula larg nga shtëpia, lidhja ime me qiellin më ndihmoi ta kapërceja vetminë.
A e njihni atë ndjenjë kur jeni të rrethuar nga njerëz, por prapë ndiheni krejt të vetëm?
Që kur u largova nga atdheu im, Uganda, dhe u shpërngula në Dubai për punë, jam ndier pothuajse vazhdimisht e vetmuar. Në lagjen time të banimit në atdheun tim, njerëzit e përshëndetin njëri‑tjetrin në rrugë. E njihnim njëri‑tjetrin. E përkrahnim njëri‑tjetrin. Kisha shumë miq dhe familje që ishin të besimit tim.
Po këtu nuk është e njëjta gjë. Jetoj në një kulturë shumë të ndryshme, në një qytet të madh dhe e rrethuar nga njerëz që kanë ngarkesë të madhe pune. Edhe pse e frekuentoj lagjen time të Kishës dhe jam përpjekur të njoh të rinj e të reja të tjera në moshë madhore dhe anëtarë të lagjes, oraret tona të ngjeshura të punës e bëjnë pothuajse të pamundur që ta shohim njëri‑tjetrin për më shumë se vetëm dy orët që kalojmë në kishë çdo javë.
Dubai është i madh e magjepsës dhe jam mirënjohëse që jam këtu. Por mund të jetë kaq dërrmues emocionalisht, sidomos kur ndiheni të vetmuar. Njerëzit këtu kanë kaq shumë gjëra dhe duket se ia kanë marrë dorën jetës. Megjithatë, ndërsa po jetoj mes gjithë këtyre gjërave luksoze dhe këtyre ndërtesave të bukura, ndonjëherë e pyes veten:
Çfarë po bëj me jetën time? A është madje ky vendi i duhur për mua?
Gjetja Sërish e Përkatësisë
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se “ndjenja e përkatësisë është e rëndësishme për mirëqenien tonë fizike, mendore dhe shpirtërore”1. Nuk e kisha kuptuar se sa thelbësore ishte kjo ndjenjë e përkatësisë derisa nuk e ndieja më atë, në të vërtetë as në kishë dhe askund tjetër.
Si do ta gjeja tani, larg nga çdo njeri që e doja?
Me kalimin e kohës fillova të kuptoja “rolin qendror të Jezu Krishtit në përkatësi[në]”2.
Edhe pse akoma më merrte malli shumë për miqtë dhe familjen time, unë fillova të kuptoj se nuk isha ndarë nga të gjithë në jetën time kur isha shpërngulur – kisha ende një Shpëtimtar dhe një Atë të dashur Qiellor të cilët gjithmonë dëshironin të qëndronin të lidhur me mua.
Kështu që fillova të bëja gjithçka që mundesha për t’u lidhur më mirë me Ta çdo ditë. Kur shkoja të vrapoja, fillova të dëgjoja shpërndarje zanore përmes internetit dhe radios për studimin e manualit Eja, Më Ndiq. Vendosja kufjet në punë dhe dëgjoja shkrimet e shenjta ndërsa isha duke përmbushur detyrat.
Më e rëndësishmja, mësova se çfarë dhurate e mahnitshme është të jesh në gjendje t’i lutesh drejtpërdrejt Atit Qiellor. Unë i flas Atij më shpesh dhe më me maturi se kurrë më parë. Kur ndihem e vetmuar, lutem dhe e ndiej ngushëllimin e Tij. Kur po shtyp një mesazh me postë elektronike dhe përpiqem të jem e duruar me kolegët e mi, lutem dhe i kërkoj Atij ndihmë.
Më pëlqen shumë ajo çfarë tha Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) për lutjen: “[Për ata] … të cilët po ndeshen me sfida dhe vështirësi, të mëdha e të vogla, lutja është furnizuesja e forcës shpirtërore; ajo është pasaporta drejt paqes. Lutja është mjeti me anë të së cilës i qasemi Atit tonë në Qiell, [i cili] na do. I flisni Atij në lutje dhe pastaj dëgjoni përgjigjen. Mrekulli janë kryer përmes lutjes.”3
Duke lënë kohë për Ata në jetën time, veçanërisht nëpërmjet lutjes së çiltër, fillova të kuptoj që edhe pse nuk isha e rrethuar nga njerëzit e mi dhe nga kultura ime, mund të isha ende e rrethuar nga Shpirti dhe mund ta ndjeja dashurinë e Perëndisë.
Ne Gjithmonë Mund të Jemi të Lidhur
Gjërat janë ende të vështira, por unë kam shpresë për të ardhmen. Dhe kam arritur të besoj atë që dha mësim Vëllai Milton Kamargo, Këshilltar i Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shkollës të së Dielës: “Zoti Jezu Krisht jeton sot. Ai mund të jetë një prani aktive dhe e përditshme në jetën tonë. Ai është zgjidhja e problemeve tona, por ne duhet t’i ngremë sytë dhe ta ngulitim vështrimin për ta parë Atë.”4
Jam prapë e vetmuar nganjëherë, por e di se gjithmonë, gjithmonë do të jem në gjendje t’i lutem Atit tim Qiellor dhe të kem të drejtë përdorimi të Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Në këmbë apo në gjunjë, e vetme apo në një grup, unë mund të lutem.
Mund t’i thërras Atit Qiellor.
Mund të jap falënderime.
Mund të kërkoj udhërrëfim e mbrojtje.
Dhe nëpërmjet lidhjes sime besëlidhëse, e di se unë, një bijë e një Ati të dashur Qiellor, do t’i përkas gjithmonë Atij. Nëpërmjet udhërrëfimit të Tij mund të kem besim se jam në vendin e duhur, duke bërë atë që Ai do të donte që unë të bëja.