Liahona
Fjalët e së Vërtetës
Mars 2024


“Fjalët e së Vërtetës”, Liahona, mars 2024.

Portrete Besimi

Fjalët e së Vërtetës

Kisha shumë pyetje, por i fejuari im dhe Kisha më ndihmuan të gjeja përgjigje.

Pamja
grua dhe burrë me rroba pagëzimi duke qëndruar përpara figurës së Shpëtimtarit

Fotografitë me mirësinë e autores

E rritur në një kulturë jo të krishterë në Tajvan, nuk isha brumosur për të qenë fetare. Vërtet besoja te Perëndia, por nuk dija asgjë për Jezu Krishtin. Feja ime ishte karriera ime dhe jeta e ngjeshur shoqërore që e shoqëronte atë. Kjo përfshinte shumë pije dhe duhan. Gjithashtu pija shumë kafe dhe çaj. E gjithë kjo është pjesë e kulturës sonë të punës.

U njoha me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nëpërmjet të fejuarit tim dhe familjes së tij. Çejsi ishte amerikan. Ai u rrit në Kishë dhe shërbeu në një mision, por në atë kohë nuk ishte aktiv. Megjithatë, biri i tij më i madh, po përgatitej të shërbente në një mision dhe Çejsi e mbështeti vendimin e tij.

Gjatë kufizimeve prej COVID‑19 ne morëm pjesë në mbledhjen e sakramentit në shtëpinë e prindërve të Çejsit, duke parë transmetime që vinin nga shtëpia e tyre e mbledhjeve të kishës. Kur bisedat mbaronin, dy djemtë e Çejsit bekonin e shpërndanin bukën dhe ujin.

Kisha shumë pyetje. I fejuari im iu përgjigj secilës me durim. Kush ishte Jezusi? Çfarë ishte kjo ndjenjë në zemrën time sa herë që mblidheshim për të pasur mbledhjet e kishës? Ishte një ndjenjë që nuk e kisha ndier kurrë më parë. Çfarë përfaqësonin buka dhe uji? Pse më dilnin lot kur merrja sakramentin? Çfarë ishte kjo paqe që po ndieja?

Një natë gjeta një faqe interneti në gjuhën time amtare që shpjegonte se kush është Jezusi dhe që tregonte për jetën e Tij. Të nesërmen i thashë nënës së të fejuarit tim që e kuptoja se kush ishte Jezusi dhe se besoja tek Ai.

Një të diel peshkopi na erdhi në shtëpi sepse biri më i madh i Çejsit do të shuguronte vëllanë e tij më të vogël për të qenë një prift. Kur biri më i madh vuri duart mbi kokën e vëllait të tij, nuk mund ta ndalja të qarit. Ndjeva një emocion kaq të madh në zemrën time, sa nuk mund t’i ndalja lotët. Më vonë, i fejuari im shpjegoi se unë ndjeva Frymën e Shenjtë dhe se edhe ai e ndjeu.

Mund të shihja se dashuria e të fejuarit tim për kishën e tij po i kthehej. Në njëfarë mënyre e dija se gjithçka që po ndieja, ishte e lidhur me Perëndinë dhe me diçka të vërtetë. Ndjeva dashuri siç nuk e kisha ndier kurrë më parë.

“I Thirra Perëndisë”

Viza ime turistike përfundoi dhe më duhej të kthehesha në Tajvan. Gjatë muajve në vijim, e vetme, më mori malli për atë që kisha ndier. Për njëfarë kohe u mbusha me dëshpërim dhe errësirë. Ato ndjenja ishin aq dërrmuese sa doja të hiqja dorë. Në të vërtetë nuk dija se si të lutesha, por i thirra Perëndisë dhe i tregova Atij gjithçka që po e ndieja dhe po e mendoja. Erdhi një ndjenjë paqeje, e njëjta ndjenjë që e kisha përjetuar kur kisha marrë pjesë në kishën në shtëpinë tonë. E dija se ishte Fryma e Shenjtë. Ai më qetësoi.

Pas kësaj, i fejuari im dërgoi misionarët për të më dhënë mësim. U thashë se e dija tashmë që ungjilli i rivendosur ishte i vërtetë dhe se e kuptoja ndjesinë që të jep Fryma e Shenjtë. Por isha e shqetësuar se do të ishte e vështirë për mua që të lija duhanin, pirjen e kafesë dhe të çajit.

Fillova të frekuentoja kishën, të lexoja Librin e Mormonit dhe të takohesha me motrat misionare tri ose katër herë në javë. Përfundimisht Fryma e Shenjtë më ndihmoi të ndaloja pirjen e duhanit, të kafesë dhe të çajit.

Shoqja ime e fëmijërisë filloi të shihte ndryshime tek unë javë pas jave. E ftova në takimet e mia me misionaret. Teksa dëgjonte, edhe ajo e ndjeu Frymën e Shenjtë dhe fitoi një dëshmi. Kur kriza e COVID-19 u ngadalësua, i fejuari im, tashmë aktiv në Kishë, më në fund ishte në gjendje të vinte në Tajvan. U martuam dhe ai më pagëzoi. Isha një person i ri.

Pamja
grup njerëzish që qëndrojnë përpara figurës së Shpëtimtarit

Motra Ueiling Çen Kenfildi (Uini) me motrat misionare dhe anëtarë të lagjes që i dhanë mësim dhe e shoqëruan atë. “Ne akoma flasim çdo javë dhe punojmë së bashku në thirrjen time të re në Kishë në Shoqatën e Ndihmës” – thotë ajo.

Miqtë e mi prej shumë kohësh dhe bashkëpunëtorët në punë, përfshirë disa bankierë dhe agjentë të bursës, thanë se mund ta shihnin që isha ndryshe dhe më e lumtur. I ftova në pagëzimin tim dhe ata erdhën. Më pas ata më thanë se ndien diçka që nuk e kishin ndier kurrë më parë.

Nuk kam frikë t’u tregoj të tjerëve atë që di dhe ndiej rreth Jezu Krishtit, se ajo që e di është e vërtetë. E di se dëshmia ime është e shndritshme. Të tjerët që më kanë njohur gjithë jetën time, e shohin këtë gjë. Respekti i tyre për besimin tim madje i ka ndaluar të pinë duhan dhe pije gjatë mbledhjeve dhe darkave të punës. Kjo është diçka e pashoqe në kulturën tonë të punës.

Pamja
dy gra duke qëndruar përpara një ndërtese të Kishës

Motra Kenfilld me Jin Huanë, një mike për gjithë jetën, e cila u interesua për Kishën nëpërmjet kthimit në besim të motrës Kenfilld.

Nuk kam frikë t’i lë të tjerët ta shohin, ta dëgjojnë e ta ndiejnë dëshminë time. Besoj se shumë njerëz që nuk dinë se si ta gjejnë Perëndinë dhe Jezu Krishtin, do të ndiejnë të njëjtat gjëra që ndjeva unë kur t’i dëgjojnë fjalët e së vërtetës. Do të jem gjithmonë gati të them fjalët që e ndryshuan jetën time.

Shtyp në Letër