Liahona
Të Lutem, Kurseje Jetën e Mamit
Mars 2024


“Të Lutem, Kurseje Jetën e Mamit”, Liahona, mars 2024.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Të Lutem, Kurseje Jetën e Mamit

U frikësova kur nëna ime kishte nevojë për një operacion në zemër të hapur, por një mësuese e përkushtuar e Fillores më mësoi të lutem.

Pamja
një nënë që ushqen bijën e saj nga një pjatë

Kristi Gerlaku dhe nëna e saj

Fotografia me mirësinë e autores

Kur isha 10 vjeçe, nëna ime pati një atak masiv në zemër. Ajo kaloi shumë javë në spital duke luftuar për jetën e saj.

Gjatë kësaj kohe, mësuesja ime e Fillores, Motra Ellen Xhonson, vinte në shtëpinë time një herë në javë për të më parë. Sapo kisha filluar të frekuentoja Filloren dhe kisha kuptueshmëri të kufizuar për ungjillin. Çdo javë, Motra Xhonson më jepte dëshminë e saj dhe fliste për lutjen. Ajo më mësoi se nëse lutesha, Ati Qiellor do të përgjigjej.

Pas disa javësh shëndeti i mamasë u përkeqësua edhe më shumë. Ajo kishte një valvul të dëmtuar të zemrës që kishte nevojë të riparohej. Mjeku i saj tha se ajo do të vdiste nëse nuk bënte një operacion eksperimental në zemër. Gjithsesi, mundësitë e saj për t’u shëruar ishin gati 50 me 50.

Operacioni në zemër të hapur ishte i ri dhe i rrezikshëm në fillimin e viteve 1960. Kirurgët planifikuan ta hapnin mamin nga gjoksi deri te shtylla kurrizore dhe më pas të ndanin kafazin e brinjëve për të ndërhyrë në zemrën e saj. Shumë pacientë nuk i mbijetonin operacionit. Isha e pikëlluar dhe kisha frikë se mami do të vdiste.

Babi ishte pjesën më të madhe të kohës në punë ose në spital me mamin. Motra ime më e madhe, Pami, kujdesej për mua dhe vëllanë tim. Natën, ndihesha e vetmuar dhe e frikësuar, por mendoja atë që më kishte mësuar motra Xhonson për lutjen. Shpesh gjunjëzohesha pranë shtratit tim dhe qaja, duke iu përgjëruar Atit Qiellor që t’ia kursente jetën mamit.

Gjatë një lutjeje të tillë me të qara, një paqe e madhe më pushtoi dhe unë pushova së qari. Ndjeva se çdo gjë do të ishte në rregull. U sigurova sërish se nëna ime do të jetonte për të më parë të rritesha dhe se nuk kisha nevojë të shqetësohesha. Nuk dëgjova një zë, as nuk pashë një vegim, por kisha ndjenja të qeta dhe paqësore. Nuk pata dyshim për to. Ati Qiellor i ishte përgjigjur lutjes sime dhe unë e dija atë.

Pamja
duar të mbledhura pranë një medaljoni

Ilustrimi nga Alex Nabaum

Mami i mbijetoi operacionit. Ajo ishte e dobët dhe e sëmurë shumicën e jetës së saj, por Ati Qiellor iu ishte përgjigjur lutjeve të mia dhe ia kishte kursyer jetën. Ajo jetoi për të më parë të rritesha, të martohesha dhe të kisha fëmijë.

Vite më vonë, kur Presidenti Rasëll M. Nelson u bë Apostull, nëna më tha se ai ishte kirurgu i zemrës që i kishte shpëtuar jetën. I shkrova një letër për ta falënderuar. Kur më ktheu përgjigje, ai më falënderoi për letrën time dhe vuri në dukje ndihmën e Perëndisë në punën e tij.

Shtyp në Letër