Liahona
Të Udhërrëfyer në Mënyrë të Sigurt për atje ku Nevojitet të Jemi
Mars 2024


“Të Udhërrëfyer në Mënyrë të Sigurt për atje ku Nevojitet të Jemi”, Liahona, mars 2024.

Eja, Më Ndiq

2 Nefi 25–32

Të Udhërrëfyer në Mënyrë të Sigurt për atje ku Nevojitet të Jemi

Shpëtimtari do të na ndihmojë vazhdimisht në udhëtimin tonë në mënyra të mrekullueshme.

këmbë duke ecur në borë

Kur isha 12 vjeç, familja ime u zhvendos nga Hong‑Kongu subtropikal në një vend me dimër të ftohtë e të panjohur për mua. Shpejt mora ftesë për ngjitjen time të parë malore në dimër me të rinjtë në lagjen time.

Ditën e ngjitjes në mal u vesha aq trashë sa ç’munda. Ndërsa ngjiteshim në monopatin malor dredha‑dredha, isha shumë i lumtur kur pashë borën që binte dhe mbulonte tokën. Megjithatë, isha i veshur në mënyrë jo të përshtatshme për terrenin e motin dhe pata vështirësi që të vazhdoja me ritmin e grupit tim. U thashë të shkonin përpara dhe unë do të bashkohesha me ata të cilët besoja se po na ndiqnin.

Ndërsa vazhdova me ritmin tim, këpucët dhe veshjet e mia u bënë qull nga bora dhe duart, këmbët e fytyra m’u mpinë. Më pas filloi të binte borë me aq furi sa nuk mund ta shihja më monopatin. Pasi u enda për ca kohë, kuptova se kisha humbur rrugën, isha i vetëm dhe i pasigurt nëse dikush e dinte që kisha humbur.

Ndonjëherë gjatë udhëtimit të jetës, ne do të ndihemi të papërgatitur, të humbur ose të lënë pas. Mund të humbasim ndjesinë tonë të drejtimit dhe të pamjes së shtegut përpara nesh. Mund të duket sikur sa më shumë që përpiqemi të shkojmë përpara, aq më shumë largohemi nga vendmbërritja jonë. Zhgënjimi mund të zërë vend dhe tundimi për të hequr dorë bëhet tërheqës.

Për fat të mirë, Shpëtimtari Jezu Krisht ka fuqi t’i drejtojë hapat tanë, të na ngrejë kur pengohemi (shihni te Psalmeve 37:23–24) dhe të na sjellë prehje (shihni te Mateu 11:28), shërim (shihni tek Isaia 53:5; Alma 15:8; Doktrina e Besëlidhje 42:48), vetëbesim (shihni te Doktrina e Besëlidhje 121:45) dhe paqe (shihni te Mosia 4:3; Alma 38:8; Doktrina e Besëlidhje 19:23). “M’u afroni pranë” – tha Ai – “dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni” (Doktrina e Besëlidhje 88:63). Shtegu i menjëhershëm mund të mos jetë gjithmonë i qartë, por ne mund ta ndjekim Shpëtimtarin me besimin se udhëtimi ynë do të përfundojë bukur dhe triumfues, sepse Ai do të na udhërrëfejë të sigurt për atje ku nevojitet të jemi.

Ne mund të shohim gjithmonë te Jezu Krishti ngaqë Jezu Krishti është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6).

Udha e Duhur për Udhëtimin Tonë

Në studimin tonë të Librit të Mormonit këtë vit, ne e kemi ndjekur Lehin dhe familjen e tij në udhëtimin e tyre drejt tokës së premtuar. Merreni parasysh atë që duroi familja e Lehit gjatë udhëtimit të saj:

  • tallje ngaqë besuan te profetët dhe i ndoqën ata

  • shkëmbim të rehatisë me të cilën ishin mësuar, me një vend të shkretë të panjohur

  • udhëtim pa qartësi për largësinë, vendmbërritjen apo kohëzgjatjen

  • uri, pikëllim, sëmundje dhe vdekje

  • detyra të vështira, ndonjëherë pa i kuptuar arsyet për to apo mënyrën se si do t’i realizonin ato

  • pengesa, vonesa, përçarje dhe zhgënjime

  • rrethana të vështira për rritjen e familjeve të reja në moshë

Përgjatë rrugës gjithashtu vëzhguam se si Zoti i ndihmoi ata vazhdimisht. Ai siguroi

  • udhëheqje profetike dhe zbulesë vetjake,

  • shkrime të shenjta që përmbajnë bekime dhe besëlidhje të premtuara,

  • anale gjenealogjike dhe historinë familjare,

  • mjete dhe metoda të reja për të plotësuar nevojat e tyre,

  • rritje të kapacitetit për të duruar vështirësitë,

  • urtësi dhe udhëzim për të përmbushur detyra të panjohura,

  • Liahonën (një mjet për t’i ndihmuar në bërjen e udhëtimit të tyre) dhe

  • siguri e mbrojtje për familjet e tyre.

Ashtu si për familjen e Lehit, udhëtimet tona nuk do të jenë pa sfida dhe sakrifica. Shpëtimtari gjithashtu do të na ndihmojë vazhdimisht në mënyra të jashtëzakonshme. Nefi dha mësim: “Rruga e drejtë është të besosh në Krisht … me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tënde dhe gjithë shpirtin tënd” (2 Nefi 25:29). Nëse zgjedhim besimin te Jezu Krishti, e pranojmë me përulësi fjalën e Tij dhe kemi guximin për të vepruar, ne do të gjejmë gëzim dhe bekime mes vështirësive që ndeshim. Përgjatë rrugës ne mund të kemi vetëbesim se mund ta përmbushim atë që Ai dëshiron që ne të bëjmë (shihni te 1 Nefi 3:7).

Në vijim janë disa nga mënyrat e shumta se si Shpëtimtari na ndihmon vazhdimisht.

portret i Jezu Krishtit

The Dawning of a Brighter Day [Agimi i një Dite më të Shndritshme], nga Simon Dewey

Ai na Jep Doktrinën e Tij

Jezu Krishti e di “mbarimin që nga fillimi” (Abraham 2:8). Ai gjithashtu “udhën neve na shënoi, andej përher’ na prin”1. Doktrina e Tij, e njohur në shkrimet e shenjta si doktrina e Krishtit, është shtegu që ne të gjithë duhet të ndjekim për t’u çliruar e shpëtuar.

Ne duhet të ushtrojmë vazhdimisht besim te Jezu Krishti, të pendohemi rregullisht, të pagëzohemi, të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë, të hyjmë në besëlidhje dhe të bëjmë më të mirën për të duruar deri në fund. Në këmbim, neve na premtohet falje, shpresë dhe jetë e përjetshme. (Shihni te 2 Nefi 31:2–20.)

Në një botë me shtigje të ndryshme dhe mënyra kundërshtuese, doktrina e Krishtit siguron një drejtim të qartë dhe të zbatueshëm që ne mund ta ndjekim për të na mbajtur në udhën e duhur (shihni te 2 Nefi 31:21).

Ai na Sjell Ngushëllim

Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, Shpëtimtari e di se si ndihemi kur jemi vërtet të vetëm dhe të braktisur. Ai e di me përsosuri si të na sjellë ngushëllim. Ai tha: “Zemra juaj mos u trondittë” (Gjoni 14:1) dhe “nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju” (Gjoni 14:18).

Shpëtimtari ua ka premtuar dhuratën e Ngushëlluesit, që është Fryma e Shenjtë, atyre që besojnë tek Ai. Ai tha se Ngushëlluesi “do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha” gjërat (Gjoni 14:26).

Ai na Jep Fjalën e Perëndisë

Nëpërmjet Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit në kohën tonë, Zoti na ka dhënë shkrime të shenjta, të lashta dhe të ditëve të mëvonshme, të cilat përmbajnë fjalën e Perëndisë. Nefi dha mësim se “të gjithë që do të dëgjonin fjalën e Perëndisë dhe do të mbaheshin fort në të, … nuk do të mbaronin kurrë” (1 Nefi 15:24).

Ushqimi çdo ditë me fjalën e Perëndisë sjell mbrojtje dhe na bën ta përjetojmë më me bollëk dashurinë e Perëndisë. Fjala e Tij ndriçon shtegun tonë (shihni te Psalmeve 119:105) dhe “do t[ë na] tregojë të gjitha gjërat që … duhet të bë[jmë]” (2 Nefi 32:3).

Ai na Udhëzon nëpërmjet Shërbëtorëve të Tij – Profetëve dhe Apostujve

Jezu Krishti ka thirrur profetë dhe apostuj për të na ndihmuar. Këshillat dhe mësimet e tyre janë për ne dhe për kohën tonë. Nëse e gjeni veten të humbur ose të çorientuar në udhëtimin tuaj, mund t’ju ndihmojë të përsiatni tri pyetjet vijuese:

  1. Si më ka përgatitur Zoti nëpërmjet fjalëve të profetëve dhe apostujve për sprovat që kam përjetuar?

  2. Çfarë po më ftojnë profetët dhe apostujt të bëj sot për t’u përgatitur për sfidat që shtrihen përpara?

  3. Çfarë po bëj tani për të vepruar sipas ftesave profetike?

Duke i përsiatur këto pyetje, ne mund të kuptojmë rëndësinë e udhërrëfimit prej profetëve dhe apostujve. Ne mund ta dëgjojmë më mirë zërin e Zotit dhe të vëmë re se si Ai na ndihmon vazhdimisht. Nëse zgjedhim, ne mund t’i dëgjojmë profetët dhe apostujt dhe të gjejmë udhërrëfim, begati e mbrojtje në shtegun që çon përsëri tek Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti.

Plaku Tai në një majë mali

Plaku Tai në zonën e Sierra‑Nevadës në Kaliforni rreth vitit 1988. Historia që ai tregon, ndodhi në malin Baden‑Pouell në vargmalin e San Gabrielit në Kaliforni në vitin 1984.

Fotografia me mirësinë e autorit

Besimi për të Shkuar Përpara

I humbur, në të ftohtë dhe i vetëm në atë mal me borë shumë vite më parë, u dëshpërova. Duke mos ditur se çfarë të bëja tjetër, u gjunjëzova në borën e saporënë dhe iu luta Atit tim Qiellor për ndihmë. I tregova Atij për telashin dhe frikën time dhe u përgjërova që të më gjenin e të shpëtohesha.

Kur u ngrita në këmbë pasi kisha thënë lutjen, bora zbriti kudo përreth meje dhe një heshtje e bukur, e qetë i mbushi pemët. Kjo qetësi u prish kur dëgjova shushuritje në shkurret aty pranë. U shfaqën dy djem më të mëdhenj në moshë. Ata e kishin arritur tashmë majën e malit dhe në vend që të ndiqnin monopatin, vendosën të rrëshqisnin poshtë malit. Nga të gjitha vendet, ata rrëshqitën pikërisht atje ku isha unë!

Kur më pyetën se çfarë po bëja atje, u thashë se kisha humbur rrugën. Më ftuan të bashkohesha me ta dhe së bashku rrëshqitëm të sigurt deri te gryka e monopatit në rrëzë të malit. Përfundimisht ne u ribashkuam me pjesën tjetër të grupit tonë.

Ndërsa shkojmë përpara në udhëtimet tona vetjake me besim, përkushtim e durim, kuptofshim se si Shpëtimtari ecën me ne dhe na ndihmon në mënyrë aktive! Jezu Krishti është udha, e vërteta dhe jeta. Besimi ynë tek Ai na sjelltë paqe në mendjen tonë dhe gëzim në udhëtimin tonë!