Liahona
Shpëtimtari i të Gjithëve, një Ungjill për të Gjithë
Mars 2024


“Shpëtimtari i të Gjithëve, një Ungjill për të Gjithë”, Liahona, mars 2024.

Shpëtimtari i të Gjithëve, një Ungjill për të Gjithë

Ungjilli, Shlyerja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit i bekojnë të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Krishti dhe paralitiku

Christ and the Palsied Man [Krishti dhe Paralitiku], nga J. Kirk Richards, nuk lejohet kopjimi

Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit është, së pari, para së gjithash dhe përgjithmonë, burimi i lumturisë së përhershme, i paqes së vërtetë dhe gëzimit për çdo njeri në këto ditë të mëvonshme. Bekimet që rrjedhin nga ungjilli dhe nga dashamirësia e pakufizuar e Krishtit, nuk kishin kurrë për qëllim që të ishin vetëm për pak njerëz të zgjedhur, në lashtësi apo në kohët e sotme.

Pavarësisht se sa të papërshtatshëm mund të ndihemi dhe pavarësisht nga mëkatet që mund të na largojnë prej Tij për njëfarë kohe, Shpëtimtari ynë na siguron se Ai i “shtrin duart e tij në drejtim[in tonë] gjatë gjithë ditës” (Jakobi [LiM] 6:4), duke na ftuar të gjithëve që të vijmë tek Ai dhe ta ndiejmë dashurinë e Tij.

Bekimet e Ungjillit për Mbarë Botën

Ungjilli i Jezu Krishtit është “rivendosur në këto ditë të mëvonshme për t’iu përgjigjur nevojave … të çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli në tokë”1. Ungjilli tejkalon çdo kombësi dhe ngjyrë, ndërkohë që i kapërcen të gjithë kufijtë kulturorë për të dhënë mësim se “të gjithë janë njësoj para Perëndisë” (2 Nefi 26:33).2 Libri i Mormonit qëndron si një dëshmi mbresëlënëse e kësaj të vërtete.

Ky anal i shkëlqyer dëshmon se Krishti i mban mend të gjitha kombet (shihni te 2 Nefi 29:7) dhe do t’u shfaqet “të gjithë atyre që besojnë në të, … [dhe do të] bë[j]ë mrekulli të mëdha, shenja dhe çudira mes fëmijëve të njerëzve” (2 Nefi 26:13). Mes këtyre mrekullive, shenjave dhe çudirave të fuqishme është përhapja e ungjillit. Pra, ne dërgojmë misionarë në mbarë botën për të dëshmuar për lajmin e tij të mirë. Ne gjithashtu e shpërndajmë ungjillin tek njerëzit që janë përreth nesh. Ushtrimi i çelësave të rivendosur të priftërisë për të gjallët dhe të vdekurit siguron që plotësia e ungjillit do të jetë përfundimisht në dispozicion për çdo bir e bijë të prindërve tanë qiellorë – në të shkuarën, në të tashmen ose në të ardhmen.

Thelbi i këtij ungjilli – mesazhi qendror i çdo profeti dhe apostulli të thirrur ndonjëherë në këtë vepër – është se Jezusi është Krishti dhe se Ai erdhi për ta bekuar çdo njeri. Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne deklarojmë se flijimi i Tij shlyes është për të gjithë botën.

Nevoja për një Shlyerje të Pafundme dhe të Përjetshme

Teksa shkoj anembanë botës, bëj intervista me një grup të gjerë anëtarësh të Kishës. Jam i frymëzuar të dëgjoj se si i ndiejnë ata bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit në jetën e tyre, edhe kur ata rrëfejnë ndonjë mëkat të largët. Sa e mrekullueshme është që ngushëllimi pastrues i Shlyerjes së Tij është gjithmonë në dispozicion për të gjithë ne!

“Duhet të bëhet një shlyerje”, shpalli Amuleku, “përndryshe i tërë njerëzimi do të mbarojë patjetër.” Ne do të ishim të “rënë dhe [të] humbur … po të mos ishte për shlyerjen”, e cila kërkon “një flijim [të] pafundëm dhe [të] përjetshëm”. Sepse “nuk mund të ketë asgjë më pak se një shlyerje të pafundme që do të mjaftonte për mëkatet e botës” (Alma 34:9, 10, 12).

Profeti i madh Jakobi dha mësim gjithashtu që, për shkak se “vdekja ka kaluar mbi të gjithë njerëzit, … duhet patjetër të jetë një fuqi e ringjalljes” që të na sjellë në praninë e Perëndisë (2 Nefi 9:6).

Si mëkati ashtu edhe vdekja duhej të mposhteshin. Ky ishte misioni i Shpëtimtarit, të cilin Ai e kreu me guxim për të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Krishti në Gjetseman

Gethsemane [Gjetsemani], nga J. Kirk Richards, nuk lejohet kopjimi.

Flijimi i Shpëtimtarit Tonë

Natën e Tij të fundit në vdekshmëri, Jezu Krishti hyri në Kopshtin e Gjetsemanit. Atje, Ai u gjunjëzua mes pemëve të ullirit dhe filloi të binte në një thellësi agonie që unë dhe ju nuk do ta dimë kurrë.

Atje, Ai filloi të merrte mbi veten e Tij mëkatet e botës. Ai ndjeu çdo dhembje, dëshpërim e pikëllim dhe Ai duroi të gjithë ankthin dhe vuajtjen e përjetuar nga ju, unë dhe çdo shpirt që ka jetuar ndonjëherë ose që do të jetojë ndonjëherë. Kjo vuajtje e madhe dhe e pafundme “bëri [që Ai], … më i madhi i të gjithëve, të dridhe[j] për shkak të dhembjes e [t’i] d[ilte] gjak nga çdo por” (Doktrina e Besëlidhje 19:18). Vetëm Ai mund ta kishte bërë këtë.

Nuk kish’ një tjetër aq të mir’

T’shlyente mëkatin.

Port’n e qiellit vetëm Ai

Mund t’hapte që t’hynim.3

Jezusi u çua më pas në Kalvar dhe në çastin tragjikisht më të padrejtë në historinë e kësaj bote, Ai u kryqëzua. Askush nuk mund t’ia kishte marrë Atij jetën e Tij. Si Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, Ai kishte fuqi mbi vdekjen fizike. Ai mund t’i ishte lutur Atit të Tij dhe ushtri engjëjsh do të kishin ardhur për t’i mposhtur torturuesit e Tij dhe për të demonstruar sundimin e Tij mbi të gjitha gjërat. “Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?” – pyeti Jezusi në çastin kur e tradhtuan (Mateu 26:54).

Nga bindja e përsosur ndaj Atit të Tij dhe dashuria e përsosur për ne, Jezusi e dha me dëshirë jetën e Tij dhe e kreu flijimin e Tij të pafundmë dhe të përjetshëm shlyes, i cili shtrihet prapa në kohë dhe përpara gjatë gjithë përjetësisë.

Fitorja e Shpëtimtarit Tonë

Jezusi u ngarkoi detyrën Apostujve të Tij që ta vazhdonin veprën e Tij pas vdekjes së Tij. Si do ta bënin ata këtë gjë? Mjaft prej tyre ishin vetëm peshkatarë të thjeshtë dhe asnjëri nuk ishte trajnuar në sinagoga për shërbesën. Në atë çast, Kisha e Krishtit dukej e destinuar për zhdukje. Por Apostujt gjetën forcë për ta mbartur mbi supe thirrjen e tyre dhe për t’i dhënë formë historisë së botës.

Çfarë e bëri të vinte forcën prej një dobësie të tillë të dukshme? Udhëheqësi dhe studiuesi i kishës anglikane, Frederik Farrari, tha: “Ka një përgjigje dhe një të vetme të mundshme – ringjallja prej së vdekuri. I gjithë ky revolucion i gjerë ishte për shkak të fuqisë së ringjalljes së Krishtit.”4 Si dëshmitarë të Zotit të ringjallur, Apostujt e dinin se asgjë nuk mund ta ndalte këtë vepër që të përparonte. Dëshmia e tyre ishte një burim fuqie mbështetëse ndërsa Kisha e hershme i kapërceu të gjitha parashikimet.

Në këtë periudhë Pashke, si njëri nga dëshmitarët e Tij të shuguruar, unë deklaroj se herët një mëngjes të bukur të së dielës, Zoti Jezu Krisht u ngrit nga vdekja për të na forcuar dhe për t’i këputur lidhjet e vdekjes për çdo njeri. Jezu Krishti jeton! Për shkak të Tij, vdekja nuk është fundi ynë. Ringjallja është dhurata falas dhe universale e Krishtit për të gjithë njerëzit.

Krishti dhe Maria Magdalena te varri

Christ and Mary at the Tomb [Krishti dhe Maria te Varri], nga Joseph Brickey

Ejani te Krishti

Ungjilli dhe Shlyerja e Jezu Krishtit janë për gjithkënd, që do të thotë, për çdo njeri. E vetmja mënyrë se si i përjetojmë bekimet e plota të flijimit shlyes të Shpëtimtarit, është duke pranuar individualisht ftesën e Tij: “Ejani tek unë” (Mateu 11:28).

Ne vijmë te Krishti kur ushtrojmë besim tek Ai dhe pendohemi. Ne vijmë tek Ai kur pagëzohemi në emrin e Tij dhe marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ne vijmë tek Ai kur i zbatojmë urdhërimet, i marrim ordinancat, i nderojmë besëlidhjet, i pranojmë me dëshirë përvojat në tempull dhe jetojmë llojin e jetës që bëjnë dishepujt e Krishtit.

Me raste, ju do të përballeni me shkurajim dhe zhgënjim. Zemra juaj mund të thyhet për veten tuaj ose dikë që e doni. Ju mund të rëndoheni nga mëkatet e të tjerëve. Gabimet që keni bërë, ndoshta gabimet e rënda, mund t’ju bëjnë që të keni frikë se paqja dhe lumturia janë larguar nga ju përgjithmonë. Në raste të tilla, mos harroni se Shpëtimtari jo vetëm që ngre barrën e mëkatit, por gjithashtu “vuajt[i] dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji” (Alma 7:11), përfshirë tuajat! Për shkak të asaj që Ai kaloi për ju, Ai di personalisht se si t’ju ndihmojë kur e pranoni ftesën e Tij jetëndryshuese: “Ejani tek unë”.

Të Gjithë Janë të Mirëpritur

Jezu Krishti e ka bërë të qartë se të gjithë fëmijët e Atit Qiellor kanë pretendime të barabarta mbi bekimet e ungjillit dhe të Shlyerjes së Tij. Ai na kujton se të gjithë “gëzojnë të njëjtin privilegj si njëri, ashtu edhe tjetri dhe asnjëri nuk është i ndaluar” (2 Nefi 26:28).

“Ai i fton të gjithë të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai, të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra” (2 Nefi 26:33).

“Ai i fton të gjithë” – që do të thotë të gjithë ne! Ne nuk duhet të vendosim etiketa sipërfaqësore dhe dallime artificiale ndaj vetes apo të tjerëve. Nuk duhet të vendosim kurrë ndonjë pengesë ndaj dashurisë së Shpëtimtarit ose të ushqejmë mendime se ne apo të tjerët jemi përtej shtrirjes së Tij. Siç e kam thënë më parë, “nuk është e mundur që [dikush] të zhyte[t] më poshtë sesa ku shkëlqen drita e pafundme e Shlyerjes së Krishtit”5.

Në vend të kësaj, siç Motra Holland dhe unë dhamë mësim pak muaj përpara se ajo të ndërronte jetë, ne urdhërohemi të “ke[mi] mirëdashje, mirëdashje e cila është dashuri” (2 Nefi 26:30).6 Kjo është dashuria që Shpëtimtari na tregoi, sepse “Ai nuk bën asgjë që nuk është për të mirën e botës; pasi ai e do botën, deri në pikën sa të japë jetën e tij, që ai të mund të tërheqë të gjithë njerëzit te vetja” (2 Nefi 26:24).

Dëshmoj se ungjilli dhe Shlyerja e Jezu Krishtit janë për të gjithë njerëzit. Lutem që ju t’i përqafoni me gëzim bekimet që sjell Ai.

Shënime

  1. Howard W. Hunter, “The Gospel – A Global Faith”, Ensign, nëntor 1991, f. 18.

  2. Shihni te Howard W. Hunter, “All Are Alike unto God” (mbrëmje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 4 shkurt 1979), f. 1–5, speeches.byu.edu.

  3. Një Kod’r e Blert’ Ësht’ Atje Larg”, Himne, nr. 190.

  4. Frederic W. Farrar, The Life of Christ (1994), f. 656.

  5. Xhefri R. Holland, “Punëtorët në Vresht”, Liahona, maj 2012, f. 33.

  6. Shihni te Xhefri R. dhe Patrisha T. Holland, “Një e Ardhme e Mbushur me Shpresë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 8 janar 2023), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.