Liahona
Ju Keni Përkatësi
Mars 2024


“Ju Keni Përkatësi”, Liahona, mars 2024.

Të Rinjtë në Moshë Madhore

Ju Keni Përkatësi

Ne mund ta gjejmë ndjenjën tonë të përkatësisë ndërsa zhvillojmë një marrëdhënie kuptimplotë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Perëndia Ati dhe Jezu Krishti duke i shtrirë krahët e tyre për të përshëndetur njerëzit përreth tyre

Hollësi nga Glory in Degrees [Lavdi sipas Shkallëve], nga Annie Henrie Nader

Secili prej nesh lind me një nevojë të lindur për të pasur përkatësi. Natyrisht, ne e dëshirojmë atë përkatësi në shoqërimet tona me familjet, miqtë, kolegët, lagjet [në kishë] dhe njerëz të tjerë në jetën tonë. Zemrat tona duket se i kanë këto dëshira qiellore për një nevojë të thellë dhe të qëndrueshme për të pasur përkatësi.

Ju dhe unë ishim – dhe ende jemi – pjesë e një familjeje të përjetshme me Atin tonë Qiellor, shumë kohë përpara se të vinim në tokë. Shkrimet e shenjta na përshkruajnë si “të huaj dhe shtegtarë mbi dhe” (Hebrenjve 11:13; Doktrina e Besëlidhje 45:13). Duke lënë shtëpinë tonë qiellore dhe duke ardhur në një botë të mbushur me pështjellim, vetmi dhe zemërthyerje, ne mund të ndihemi si endacakë, të etur për shtëpinë dhe marrëdhëniet tona të përjetshme.

Nëse keni ndier ndonjëherë pak mall për qiellin, ndoshta kjo ndodh sepse shtëpia jonë dhe identiteti ynë i vërtetë janë të lidhura me Atin tonë Qiellor dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që të kemi një lidhje të thellë me Ta. Kur jemi të lidhur me Ta nëpërmjet marrëdhënies sonë besëlidhëse, ne do të gjejmë ndjesinë e vërtetë të përkatësisë që shpirti ynë e dëshiron fort.

Marrëdhënia jonë Besëlidhëse me Perëndinë

Veprimet dhe mendimet tona pasqyrojnë marrëdhëniet që kanë vlerë për ne. E njëjta gjë është e vërtetë për marrëdhënien besëlidhëse me Atin tonë Qiellor dhe Shpëtimtarin tonë.

Kur e vlerësojmë marrëdhënien tonë besëlidhëse me Perëndinë, gjithçka ndryshon. Në vend që të ndikohemi nga bota, ne bëhemi të ndikuar prej Tij dhe bëhemi më shumë si Ai. Jeta jonë fillon të marrë më shumë kuptim, qëndrueshmëri dhe fuqi shpirtërore. Papritur, “përkatësia” i tejkalon sferat e vdekshme të asaj që ne mendojmë se do të thotë “përkatësia”.

Kur ajo marrëdhënie besëlidhëse me Perëndinë vjen e para, shpërqendrimet boshe të botës e humbasin fuqinë e tyre dhe ne gjejmë paqe dhe përkatësi të vërtetë vetjake. Në një botë që shpesh nuk jep gjëra falas, Ati ynë Qiellor i shtrin me dashuri bekimet e besëlidhjes së Tij pavarësisht nga pozita jonë në këtë botë (shihni te 2 Nefi 9:50–51).

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim kaq bukur se “kur bëjmë një besëlidhje me Perëndinë, ne largohemi përgjithmonë nga qëndrimi asnjanës. Perëndia nuk do ta braktisë marrëdhënien e Tij me njerëzit që e kanë farkëtuar një lidhje të tillë me Të. Në fakt, të gjithë ata që kanë bërë besëlidhje me Perëndinë, marrin një lloj të veçantë dashurie e mëshire.”1

Ne vendosim nëse kemi një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Ai është gjithmonë i qëndrueshëm me ne, por ne duhet të zgjedhim që të jemi të qëndrueshëm me Të. Dhe ajo zgjedhje hyjnore është njëkohësisht fuqizuese dhe çliruese! Kjo zgjedhje na çliron nga perceptimet e rreme se kush jemi dhe nga zinxhirët kufizues të pritshmërive të kësaj bote.

Dhe kur e gjejmë atë përkatësi me Atin tonë Qiellor, atëherë ne mund të shikojmë jashtë vetvetes dhe t’i shohim të tjerët ashtu siç i shikon Ai. Kur e kuptoj se si ndihet Ai për mua, unë e kuptoj më mirë se si ndihet Ai për ju dhe aftësia dhe dëshira ime për t’ua shtrirë dorën të tjerëve dhe për t’i mbledhur ata, bëhen më të forta.

Tempulli i Navusë në perëndim të diellit

Ilustrimi i Tempullit të Navusë në perëndim të diellit, nga Max D. Weaver

Besëlidhjet Shkyçin Bekimet

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë që ne të bëjmë besëlidhje me Ta, që Ata të na bekojnë në mënyrat që kemi nevojë, dhe të na ndryshojnë në mënyra që do të na lejojnë të kthehemi në praninë e Tyre.

Do t’ju ftoja të shkoni sa më shpesh që mundeni në shtëpinë e Zotit. Kur zotohem të shkoj shpesh dhe me qëllim, unë marr lehtësim nga bota dhe lartësohen mendimet dhe natyra ime.

Nëpërmjet mbajtjes së besëlidhjeve tona, ne marrim fuqinë e priftërisë që shkyç bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit në jetën tonë. Këto bekime përfshijnë shërimin, udhërrëfimin, mbrojtjen, ndihmën, forcën, paqen, këndvështrimin dhe gëzimin. Ati Qiellor dëshiron të na bekojë me të gjitha këto gjëra nëpërmjet marrëdhënies sonë besëlidhëse.

Nëse nuk i keni marrë ende bekimet e tempullit, ju ftoj t’i studioni bekimet e tempullit, fuqinë e priftërisë, besëlidhjet dhe atë që dëshiron Perëndia për ju. Mos e shtyni kohën për të marrë lehtësimin, fuqinë dhe ndihmën e Tij të dashur.

Presidenti Nelson ka thënë:

“Do t’[ju] nxitja të mos pr[isni] derisa të martohe[ni] përpara se të m[errni] dhurimin në shtëpinë e Zotit. Filloni tani të mësoni dhe përjetoni se çfarë do të thotë të armatoseni me fuqinë e priftërisë.

Dhe secilit prej jush që ka bërë besëlidhje në tempull, i përgjërohem që të kërkojë – me lutje dhe vazhdimisht – t’i kuptojë besëlidhjet dhe ordinancat e tempullit. Dyer shpirtërore do të hapen. Ju do të mësoni se si të ndani velin mes qiellit dhe tokës, si të kërkoni që engjëjt e Perëndisë t’ju ndihmojnë dhe si të merrni më mirë udhëzime nga qielli. Përpjekjet tuaja të zellshme për ta bërë këtë do ta përforcojnë dhe forcojnë themelin tuaj shpirtëror.”2

Përkatësia nëpërmjet Pendimit

Pendimi i vazhdueshëm është një mënyrë tjetër e bukur dhe e fuqishme për të qëndruar pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Shpesh gabimisht besojmë që nëse pendohemi shumë, atëherë duhet të jemi larg prej Tyre. Në fakt e kundërta është e vërtetë.

Pendimi nuk ju largon më tepër prej Tyre – ai ju afron me Ta!

Ju mund të gjeni përkatësi më të madhe dhe një marrëdhënie më të thellë me Ta nëpërmjet përpjekjeve tuaja për t’iu drejtuar Atyre për ndihmë dhe për të marrë falje.

Secili prej nesh mund të ndihet më larg prej përsosmërisë sesa do të donim, por nuk mendoj se Ati Qiellor është aq i shqetësuar për këtë sa Ai është për dëshirën tonë dhe përpjekjet tona për t’u përpjekur përsëri. Ai na do, Ai e di se ku po shkojmë dhe Ai do të na udhëheqë me dashuri.

Pranimi i dobësive dhe gabimeve tona kërkon cenueshmëri, por duke u penduar, ne e ftojmë Atin Qiellor që të jetë pranë asaj pjese të cenueshme për ne. Kjo afërsi e lejon Atë që të na japë dashurinë e Tij të madhe dhe të sigurojë shërimin, faljen dhe sigurinë që na nevojitet. Është në këtë lidhje me Perëndinë që ne zhvillojmë mirëbesim dhe gjejmë inkurajim e përkatësi të vërtetë.

Krijimi

The Creation [Krijimi], nga Annie Henrie Nader

Kërkimi i një Këndvështrimi më të Lartë

Këndvështrimi ynë mund të kontribuojë në ndjesinë tonë të përkatësisë në Kishën e Zotit. Ne mund të zgjedhim këndvështrimin që veprimet tona mund ta ndihmojnë lagjen tonë, Shoqatën tonë të Ndihmës ose kuorumin tonë të pleqve që të bëhet një vend i dashur për të pasur përkatësi. Kërkimi për t’i ndihmuar të tjerët që të përkasin në fakt e rrit ndjesinë tonë të përkatësisë.

Për shkak se jeni një fëmijë i Perëndisë, ju keni përkatësi, pavarësisht se si ju perceptojnë të tjerët apo se si mund ta perceptoni veten tuaj. Plani i Atit për lumturinë është menduar për ju dhe ju keni një rol të rëndësishëm për ta luajtur në të. Secili prej jush ka aftësinë të kontribuojë në mënyrë të pashoqe dhe t’i përkasë mbretërisë së Perëndisë, pavarësisht nga gjendja juaj martesore, arsimimi juaj ose rrethanat tuaja.

Një mendim që më ka ardhur vazhdimisht në mendje, është se termat “të rinjtë në moshë madhore beqarë”, “të rinj në moshë madhore” dhe “të rriturit beqarë” nuk janë ata që jeni në të vërtetë. Këto janë terma demografikë që ndihmojnë për të përshkruar moshën dhe gjendjen martesore, por nuk janë përshkrues të përshtatshëm të identitetit, qëllimit dhe kapacitetit të vërtetë e të përjetshëm.

Etiketimet ose krahasimet mund ta kufizojnë mënyrën se si e shohim veten tonë, vlerën dhe potencialin tonë në mbretërinë e Perëndisë. Fakti është që ju jeni anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ju keni bërë besëlidhje me Perëndinë. Ju keni të drejtë përdorimi ndaj fuqisë së priftërisë së Tij. Ju jeni një anëtare e Shoqatës së Ndihmës apo anëtar i kuorumit të pleqve. Ju jeni, siç dha mësim Presidenti Nelson, një fëmijë i Perëndisë, një fëmijë i besëlidhjes dhe një dishepull i Jezu Krishtit. Kjo është ajo që ju jeni në të vërtetë para së gjithash, dhe kjo është ajo që do “t’ju udhëheq[ë] drejt jetës së përjetshme në mbretërinë çelestiale të Perëndisë”3.

Ungjilli u rivendos nëpërmjet një profeti të ri në moshë madhore, por edhe të pjekur, Jozef Smithit. Ky është një mendim i fuqishëm për t’u bluar në mendje. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i besuan Profetit dhe bashkëpunëtorëve të tij në atë moshë për të rivendosur Kishën. Perëndia ju mirëbeson edhe juve që të jeni pjesë e kësaj vepre madhështore në këto ditë të mëvonshme.

Nëse doni të dini se kush jeni dhe a ju duan dhe vlerësojnë, pyeteni Atin tuaj në Qiell. Ai gjithmonë do t’ju tregojë të vërtetën për veten tuaj. Ai do t’ju ndihmojë ta shihni veten ashtu siç ju sheh Ai – me kapacitet dhe dashuri të jashtëzakonshme. Ai mund t’ju udhërrëfejë drejt mundësive dhe rritjes së madhe që vështirë se mund ta përfytyroni!

Paçim të gjithë sy për ta parë njëri‑tjetrin dhe veten tonë, jo përmes thjerrave të moshës apo të gjendjes martesore, por nëpërmjet thjerrave unifikuese të mbajtësve të besëlidhjeve, bashkëdishepujve të Jezu Krishtit, miqve, vëllezërve, motrave dhe bijve e bijave të Perëndisë. Dhe në ato role dhe marrëdhënie të përjetshme, ne do të gjejmë ndjesinë më të lartë dhe më të vërtetë të përkatësisë.