Liahona
Varësia ndaj një Telenovele: Si e Lejova Perëndinë të Triumfonte
Mars 2024


Varësia ndaj një Telenovele: Si e Lejova Perëndinë të Triumfonte”, Liahona, mars 2024.

Varësia ndaj një Telenovele: Si e Lejova Perëndinë të Triumfonte

Kur hoqa dorë nga të parit e kësaj telenovele, e ndjeva ndikimin e Frymës së Shenjtë të rritej jashtëzakonisht shumë në jetën time.

grua që shikon televizor teksa një personazh zgjat dorën nga televizori dhe i prek shpatullën

Ilustrimet nga Benedetta Vialli / Salzman International

Zgjedhja e Jezu Krishtit sjell fuqi të madhe “dhe o, sa do të na nevojitet fuqia e Tij në ditët në vazhdim”1. Bota jonë është në rrëmujë të madhe. Kundërshtari duket se ka ndikim më të madh mbi kaq shumë prej fëmijëve të Perëndisë. Mungesa e shenjtërisë lëvdohet dhe tundimet na shpërqendrojnë e na largojnë nga ajo që do të na afrojë më shumë me Zotin.

Për ta kapërcyer këtë, ne duhet të zgjedhim aktivisht Jezu Krishtin në jetën tonë dhe të heqim dorë nga gjërat që e fyejnë Shpirtin. Moroni na këshilloi: “Jini të urtë në ditët e provës suaj; qërohuni nga çdo fëlliqësi” (Mormoni 9:28) dhe na ftoi: “Ejani te Krishti dhe përsosuni në të dhe i mohoni vetes çdo ligësi; … dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj” (Moroni 10:32).

Si mund të heqim dorë nga gjërat e kësaj bote dhe të vijmë te Krishti me më shumë qëllim? Secili prej nesh është në një nivel të ndryshëm në këtë proces. Të gjithë ne mund të heqim dorë nga diçka që po na pengon të ndiejmë më plotësisht ndikimin e Frymës së Shenjtë. Kemi nevojë për fuqinë e Shlyerjes së Shpëtimtarit që ta bëjmë atë, dhe ajo fuqi fillon duke e përdorur lirinë tonë të zgjedhjes për ta zgjedhur Atë.

Dëshira për t’u Bërë Pjesë

Kur isha maturante në shkollën e mesme, isha në ekipin e brohoritëseve të skuadrës. Çdo ditë gjatë ushtrimit vajzat në ekipin tim të brohoritëseve flisnin për atë që po ndodhte në një telenovelë që transmetohej gjatë ditës në televizion. Nuk e kisha parë kurrë dhe e dija që ishte një shfaqje me moral të ulët. Megjithatë, ndihesha e lënë jashtë çdo ditë gjatë ushtrimit ndërsa vajzat flisnin plot emocion për shfaqjen. Shpirti më pëshpëriti që të mos e shikoja, por unë dëshpërimisht doja të përfshihesha në bisedat e tyre, kështu që fillova ta shikoja.

Nuk m’u duk aq keq. Arsyetova se nuk do të ndikonte tek unë. E dija që nuk do të bëja gjërat e këqija që i pashë personazhet të bënin. Krijova varësi dhe e shikoja shfaqjen çdo ditë. Kur shkova në Universitetin “Brigam Jang”, e rregullova orarin e orëve të mia mësimore që të mund ta shikoja atë shfaqje çdo ditë. Nuk humba asnjë episod.

U martova dhe linda fëmijën tim të parë. E vendosja që të merrte një sy gjumë çdo ditë gjatë shfaqjes me qëllim që të mund ta shikoja atë.

Ndërsa vitet kaluan, Shpirti më pëshpëriti shumë herë që duhej ta ndaloja të shikuarit e asaj shfaqjeje. Por refuzova. Isha kaq e përfshirë me personazhet dhe jetën e tyre. Ishte mënyra ime për t’u çlodhur, kështu që vazhdova ta shikoja. Isha e bindur se nuk po më lëndonte.

grua që largohet nga televizori ndërsa personazhi i zgjat dorën prej andej dhe e kap nga krahu

Ftesa

Nëntëmbëdhjetë vjet pas shkollës së mesme, ende po e shikoja shfaqjen televizive çdo ditë. Në konferencën e përgjithshme, Motra Sheri L. Dju, në atë kohë Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, po fliste për largimin nga bota dhe gjërat që nuk janë të shenjta. Më pas ajo tha: “E ftoj secilën prej nesh të përcaktojë të paktën një gjë që mund ta bëjë për të dalë nga bota dhe për t’iu afruar më pranë Krishtit”2.

Kur ajo e bëri atë ftesë, ndjeva një derdhje të jashtëzakonshme të Shpirtit dhe në mendjen time dëgjova fjalët: “Duhet të ndalosh së shikuari atë shfaqje tani!” Ishte kaq e fuqishme; ishte si një shuplakë në fytyrë. E dija që në atë çast se nuk mund ta shpërfillja më këtë nxitje. Ndjeva një ngutje për të mos e parë më kurrë telenovelën. Kuptova se asnjë personazh nuk po bënte ndonjë gjë të virtytshme apo të nderuar. Po i ftoja gjërat pa vlerë në jetën time çdo ditë. Iu zotova Zotit, aty për aty, se nuk do ta shikoja më kurrë.

Nuk ishte e lehtë! Nëntëmbëdhjetë vjet zakoni dhe varësie ishin të vështira për t’u ndërprerë. Erdhi e hëna dhe ishte koha për të filluar shfaqjen. Shkova për te telekomanda e televizorit. Doja kaq shumë ta ndizja. M’u kujtua zotimi ndaj Zotit se nuk do ta shikoja më kurrë. U largova.

Pastaj mendova për personazhin tim të parapëlqyer dhe pyeta veten se çfarë mund t’i ndodhte asaj dhe shkova prapë tek telekomanda. E dija se kisha nevojë për ndihmën e Perëndisë, kështu që u gjunjëzova dhe u luta për forcë që të isha në gjendje të mos ta shikoja. Mendova për premtimin tim ndaj Atit Qiellor dhe dola nga dhoma. Zgjodha të ndiqja nxitjet që kisha marrë nga Fryma e Shenjtë, dhe të nderoja zotimin tim.

Ai skenar u përsërit çdo ditë atë javë dhe në javën që pasoi. Çdo ditë, gjunjëzohesha, lutesha dhe përgjërohesha për forcë që të mos shikoja, dhe çdo ditë zgjodha Jezu Krishtin dhe u largova nga një shfaqje televizive që ishte e pamoralshme. Mora forcë për ta mposhtur dobësinë nga fuqia që ofron Shpëtimtari nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

Pasi e bëra këtë për njëfarë kohe, ndodhi një mrekulli. Mua më humbi plotësisht e gjithë dëshira për ta parë filmin, pasi e kisha parë atë çdo ditë për 19 vjet. Ishte e mahnitshme! Më humbi gjithashtu dëshira për të parë të gjithë filmat e diskutueshëm që kisha qenë duke i parë, kështu që ndalova plotësisht.

Ndërgjegjja ime u bë e mprehtë dhe e dallova të keqen për atë që ishte. Sinqerisht doja të shmangia çdo shfaqje të së keqes (shihni te 1 Thesalonikasve 5:22). Nuk isha më e ndjeshme ndaj saj.

person që përdor telekomandën për të fikur televizorin

Bekimi më i Mahnitshëm

Por gjëja më e mahnitshme që ndodhi, ishte se ndjeva ndikimin e Frymës së Shenjtë të rritej në jetën time përtej çdo gjëje që kisha përjetuar më parë. Përparimi im shpirtëror u përshpejtua jashtëzakonisht! Gjatë gjithë atyre viteve kisha menduar se e gëzoja shoqërimin e Frymës së Shenjtë, por kisha përjetuar vetëm një copëz të asaj që mund të kisha. Kuptova se të shikuarit e atyre shfaqjeve gjatë gjithë asaj kohe më ndikoi vërtet. Kisha humbur për kaq shumë vite të pasurit e një shoqërimi më të fortë me Perëndinë. Kur e përdora lirinë time të zgjedhjes për të hequr dorë nga gjërat e pashenjta, të kësaj bote, Shpirti ishte i lirë të vinte tek unë në një masë shumë më të madhe dhe çfarë ndryshimi të jashtëzakonshëm që ka bërë kjo gjë në jetën time për të më forcuar, ngushëlluar e udhërrëfyer.

Ne priremi të kapemi fort pas gjërave pa vlerë, gjërave që në fakt e mbajnë derën të mbyllur ndaj bekimeve që Perëndia dëshiron të sjellë në jetën tonë. Pse e shkëmbejmë ndikimin e fuqishëm, mundësues të Shpirtit me gjëra argëtuese ose me famë? Ndoshta të shikuarit e një shfaqjeje televizive nuk është një problem i madh apo mëkat i stërmadh, por më pengoi që të kisha Frymën e Shenjtë me bollëk të madh në jetën time dhe e ngadalësoi përparimin tim shpirtëror.

Jam kaq mirënjohëse që Zoti nuk hoqi dorë prej meje, por vazhdoi me durim të më kërkonte që të hiqja dorë nga diçka e pashenjtë, në mënyrë që Ai të mund ta mbushte jetën time me vërshimin e ndikimit të Tij.

Autorja jeton në Jutë, SHBA.