Liahona
Vepra e Madhërishme e Zotit dhe Mundësia Jonë e Madhe
Korrik 2024


“Vepra e Madhërishme e Zotit dhe Mundësia Jonë e Madhe”, Liahona, korrik 2024.

Vepra e Madhërishme e Zotit dhe Mundësia Jonë e Madhe

Kur ne japim dashuri, tregojmë dhe ftojmë, ne po punojmë me Zotin për ta ndihmuar çdo shpirt të çmuar që të vijë tek Ai.

dy gra duke biseduar teksa ecin në një rrugë

Çdo profet në këtë periudhë të fundit e madhështore ungjillore u ka mësuar anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që ta shpërndajnë ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Në gjithë jetën time, disa shembuj më vijnë në mendje:

Presidenti Dejvid O. Mek-Kei (1873–1970), profeti i rinisë sime, shpalli: “Çdo anëtar një misionar”.

Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dha mësim: “Dita për ta çuar ungjillin në më shumë vende dhe njerëz është këtu dhe tani” dhe “ne duhet ta shtrijmë hapin tonë” për ta shpërndarë ungjillin tek të tjerët.

Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) tha: “E madhërishme është puna jonë, e jashtëzakonshme është përgjegjësia jonë për të ndihmuar në gjetjen e atyre të cilëve duhet t’u japim mësim. Zoti na ka dhënë një mandat për t’ia mësuar ungjillin çdo krijese. Kjo do të kërkojë përpjekjet [tona] më të mira.”

Dhe Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim: “Puna misionare është një pjesë thelbësore e mbledhjes së madhërishme të Izraelit. Ajo mbledhje është puna më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. Asgjë tjetër nuk krahasohet në madhështi. Asgjë tjetër nuk krahasohet në rëndësi. Misionarët e Zotit – dishepujt e Tij – përfshihen në sfidën më të madhe, kauzën më të madhe, veprën më të madhe në tokë sot.”

Arrita ta mësoj vetë këtë kur isha një misionar në moshë të re në Misionin e Britanisë. Jam akoma dhe më i sigurt për të sot. Si një Apostull i Zotit Jezu Krisht, dëshmoj se mundësitë janë kudo për t’i ndihmuar të tjerët të vijnë te Krishti duke treguar dashurinë tonë, duke shprehur bindjet tona dhe duke i ftuar të na bashkohen për të përjetuar gëzimin e ungjillit të Jezu Krishtit.

Vepra Shkon Përpara

Isha i privilegjuar të kisha një detyrë në Sektorin e Misionarëve të Kishës kur u paraqit botimi i parë i udhëzuesit Predikoni Ungjillin Tim në vitin 2004, dhe sërish kur doli botimi i dytë në vitin 2023. Besoj se udhëzuesi Predikoni Ungjillin Tim e ka bekuar punën misionare në një mënyrë të thellë.

Varianti i ri i udhëzuesit Predikoni Ungjillin Tim përfshin çdo gjë që kemi mësuar që prej vitit 2004, drejtim të frymëzuar nga çdo anëtar i Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe ndryshimet e bëra për ta shpërndarë ungjillin në një epokë digjitale. Disa prej këtyre ndryshimeve kanë rezultuar në një sukses domethënës.

Kemi zbuluar se shpërndarja e ungjillit në mënyra të thjeshta, normale dhe të natyrshme nëpërmjet parimeve “jep dashuri, trego, fto” e bekon së tepërmi mbretërinë. Jezu Krishti e shpërndau ungjillin në këtë mënyrë kur jetoi në tokë. Ai na i dha jetën e Tij dhe dashurinë e Tij dhe i ftoi të gjithë njerëzit të vijnë tek Ai (shihni te Mateu 11:28). Të jepni dashuri, të tregoni dhe të ftoni siç bëri Ai, është një bekim dhe përgjegjësi e veçantë për çdo anëtar të Kishës.

Fillojeni me Dashuri

Në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq, Jezu Krishti mori mbi Vete mëkatet e botës dhe i vuajti të gjitha brengat dhe “dhimbje[t] dhe hidhërime[t] dhe tundime[t] [e] çdo lloji” (Alma 7:11). Kjo “bëri [që Ai], … më i madhi i të gjithëve, të dridhe[j] për shkak të dhembjes e t[’i] … d[ilte] gjak nga çdo por” (Doktrina e Besëlidhje 19:18). Nëpërmjet Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti e ka bërë të mundur shpëtimin dhe ekzaltimin për të gjithë njerëzit.

Kur drejtohemi te Shpëtimtari dhe përsiatim për gjithçka që Ai ka bërë për ne, kjo krijon brenda nesh një zemër të mbushur me dashuri për Të. Ai më pas i kthen zemrat tona drejt të tjerëve dhe na urdhëron t’i duam ata (shihni te Gjoni 13:34–35) dhe ta shpërndajmë ungjillin e Tij tek ta (shihni te Mateu 28:19; Marku 16:15). Nëse njerëzit përreth nesh mund të ndiejnë se ne i duam dhe kujdesemi për ta me sinqeritet, ata ka të ngjarë ta hapin zemrën e tyre ndaj mesazheve tona, ashtu si mbreti Lamoni e hapi zemrën e tij për ta pranuar ungjillin për shkak të dashurisë dhe shërbimit të Amonit (shihni tek Alma 17–19).

Kur e shpërndajmë ungjillin, le ta fillojmë me dashuri. Kur u ofrojmë ndihmë të tjerëve me dashuri – duke kujtuar se ata janë vëllezërit dhe motrat tona dhe fëmijë të dashur të Atit tonë Qiellor – do të krijohen mundësi që të tregojmë atë që e dimë se është e vërtetë.

Përfshihuni me Zell dhe Tregoni

Askush nuk ishte më i përkushtuar për ta shpërndarë ungjillin sesa Presidenti M. Rasëll Ballard (1928–2023). Në fjalimin e tij të fundit në konferencën e përgjithshme, ai dëshmoi: “Mendoj se … një nga gjërat më të lavdishme dhe më të mrekullueshme që mund të dijë kushdo në këtë botë, [është] se Ati ynë Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht kanë zbuluar Veten në këtë ditë të mëvonshme dhe se Jozef [Smithi] është ngritur për të rivendosur plotësinë e ungjillit të përjetshëm të Jezu Krishtit”.

Gjatë gjithë jetës së tij dhe në pjesën më të madhe të botës, Presidenti Ballard ishte i përfshirë me zell në shpërndarjen e këtij mesazhi të çmuar te kushdo. Ai na nxiti që të bëjmë të njëjtën gjë. Ai dha mësim se ne mund ta shpërndajmë ungjillin “duke qenë fqinj të mirë dhe duke u kujdesur dhe treguar dashuri”. Kur e bëjmë këtë, ne e “rrezatojmë ungjillin në vetë jetën tonë dhe … u rrezatojmë [të tjerëve] bekimet që ungjilli ka për të ofruar”. Gjithashtu mund të “japim dëshmi për atë që [ne] dimë dhe besojmë dhe për atë që [ne] ndiejmë”. Presidenti Ballard dha mësim: “Një dëshmi e kulluar … mund të mbartet nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë brenda zemrave të njerëzve të tjerë që janë të hapur për ta marrë atë”.

Shpërndarja e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit ishte dëshira më e madhe e zemrës së Presidentit Ballard. Ne mund të përfshihemi me zell – sikurse ai – në shpërndarjen e ungjillit, si me fjalë edhe me vepra. Nuk i dihet kurrë se kush prej nesh mund të jetë duke e kërkuar dritën e ungjillit, por që nuk e di se ku ta gjejë atë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 123:12).

dy burra duke ngjitur shkallët

Bëni Ftesa të Përzemërta

Ndërsa i ndihmojmë të tjerët të vijnë te Krishti, ne i ftojmë ata të përjetojnë gëzimin që sjellin Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij. Ne mund ta bëjmë këtë duke i ftuar ata që të vijnë në një aktivitet, të lexojnë Librin e Mormonit ose të takohen me misionarët. Ne gjithashtu mund t’u bëjmë atyre një ftesë të përzemërt që ta frekuentojnë mbledhjen e sakramentit me ne.

Ne e frekuentojmë mbledhjen e sakramentit çdo javë që të “adhurojmë Perëndinë dhe [të] marrim sakramentin për të kujtuar Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij”. Kjo është një kohë e përshtatshme që njerëzit ta ndiejnë Shpirtin, të afrohen më shumë me Shpëtimtarin dhe ta forcojnë besimin e tyre tek Ai.

Taksa kërkojmë mënyra për të dhënë dashuri, për të treguar dhe për të ftuar, planifikimi dhe përpjekjet tona duhet të përfshijnë ndihmën ndaj njerëzve për të frekuentuar mbledhjen e sakramentit. Nëse ata do ta pranojnë ftesën tonë dhe do ta frekuentojnë mbledhjen e sakramentit, kanë më shumë të ngjarë që të vazhdojnë në shtegun drejt pagëzimit dhe kthimit në besim. E besoj me gjithë zemrën time se sukses i madh do të vijë teksa i ftojmë të tjerët ta frekuentojnë mbledhjen e sakramentit dhe i ndihmojmë ata që t’i dallojnë bekimet që mund të marrin nga bërja e kësaj.

Zoti do të na Udhërrëfejë

Nuk i dihet kurrë se çfarë suksesesh dhe sfidash do të kemi kur japim dashuri, tregojmë dhe ftojmë. Bijtë e Mosias “shkuan nga qyteti në qytet dhe nga një shtëpi adhurimi në tjetrën, … mes Lamanitëve, për të predikuar dhe për të mësuar fjalën e Perëndisë mes tyre; dhe kështu ata filluan të kishin sukses të madh”. Nëpërmjet përpjekjeve të tyre “mijëra u sollën në njohurinë e Zotit” dhe shumë “u kthyen në besim … [dhe] nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre” (Alma 23:4–6).

Ndonëse përvoja juaj nuk do të jetë gjithmonë e tillë, Zoti ka premtuar se Ai do të punojë përkrah nesh sepse çdo shpirt është i çmuar për Të. Teksa e vendosim mirëbesimin tonë te Zoti dhe përfshihemi në shërbimin e Tij, Ai do të na udhërrëfejë për mënyrën se si ta shpërndajmë ungjillin e Tij tek të tjerët duke u dhënë dashuri atyre, duke ua treguar jetën e dëshminë tonë atyre dhe duke i ftuar të bashkohen me ne për ta ndjekur Atë.

“I madh do të jetë gëzimi [ynë]” (Doktrina e Besëlidhje 18:15) kur përfitojmë nga mundësitë kudo përreth nesh për t’i ardhur në ndihmë Zotit Jezu Krisht në veprën e Tij të madhërishme për të sjellë shpirtra tek Ai.