“Për Çfarë Mund të Lutemi?”, Liahona, korrik 2024.
Eja, Më Ndiq
Për Çfarë Mund të Lutemi?
Tek Alma 33 dhe 34 na mësohet se mund të lutemi kudo, në çdo kohë, lidhur me gjithçka. Në vijim janë disa shembuj të individëve që luten në situata të ndryshme.
Ndërkohë që i lexoni këto përvoja, merrni parasysh disa nga mënyrat se si jeni lutur “për tufat e fushave tuaja” dhe “në vendet tuaja të fshehta dhe në vendin tuaj të shkretë” (Alma 34:25, 26).
Lutja në Lojërat Olimpike
Alma Riçardsi, një atlet në garën e kërcimit së larti, ishte pjesë e ekipit olimpik të atletikës në vitin 1912 që mori pjesë në garat në Stokholm të Suedisë. Gjatë konkurrimit u eliminuan një e nga një sportistët e tjerë derisa ngeli vetëm Alma dhe një tjetër.
“Ndërsa Alma po përgatitej të kërcente, e kishte mendjen të shpërqendruar nga ankthi. Ja ku ishte, duke përfaqësuar atdheun e tij në garën më të madhërishme atletike në botë. Prapëseprapë u ndje i dobët, sikur po mbante tërë botën mbi supet e tij. Mendoi për Jutën, familjen e tij dhe qytetin e lindjes. Mendoi për UBJ‑në dhe shenjtorët. Duke e përkulur kokën, ai në heshtje i kërkoi Perëndisë që t’i jepte forcë. ‘Nëse është e drejtë që duhet të fitoj’, – u lut ai, – ‘do të bëj gjithçka mundem për të dhënë një shembull të mirë gjatë gjithë ditëve të jetës sime.’”
Duke marrë forcë nga Zoti, Alma kërceu dhe e kaloi shufrën e lartë. Kur dështoi konkurruesi tjetër i ngelur, Alma fitoi medaljen e artë.
Më vonë një shok “u tall me të rreth lutjes përpara se të kërcente e të fitonte. ‘Do të doja që të mos talleshe’, – u përgjigj Alma qetësisht. ‘Iu luta Zotit që të më jepte forcë që ta kapërceja shufrën, dhe e kapërceva.’”
Lutja në një Cep Rruge
Në vitin 1898, Inez Najti dhe Xheni Brimhalli ishin dy gratë e para beqare që u thirrën si motra misionare për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Pak kohë pasi mbërritën në misionet e tyre në Angli, të dyja gratë shkuan të predikonin në Oldëm, një qytet i vogël industrial pranë Liverpulit.
Dy motrat, presidenti i tyre i misionit dhe misionarët e tjerë u mblodhën një mbrëmje. “Ata formuan një rreth në një cep rruge plot lëvizje, bënë një lutje dhe kënduan himne derisa një turmë e madhe u formua përreth tyre.” Përpjekjet e tyre ishin kaq të suksesshme sa presidenti i misionit “njoftoi se një mbledhje e veçantë do të mbahej të nesërmen dhe ai i ftoi të gjithë të vinin dhe të dëgjonin predikimin nga ‘gra mormone të vërteta e të gjalla’”.
Lutja për Transportim
Sahri nga Bo, në Sierra‑Leone, udhëtoi me një taksi motoçikletë drejt një zone rurale për t’u çuar ilaçin e nevojshëm prindërve të tij të moshuar. Ai qëndroi më vonë nga sa e planifikoi, për t’i ndihmuar prindërit që të riparonin çatinë e tyre që ishte dëmtuar nga një stuhi ere. Kur u rregullua, kishte rënë muzgu.
Për shkak të orës së vonë, ishte e pamundur që të vinte një taksi. Sahri u shqetësua. Pa një taksi, atij i ngelej një udhëtim në këmbë që jo vetëm që do të ishte i gjatë, por ndoshta edhe i rrezikshëm. Qëndrimi në shtëpinë e prindërve nuk ishte një mundësi, sepse kishte një turn herët në punë të nesërmen në mëngjes. Përveç kësaj, nuk donte ta linte vetëm familjen e tij me fëmijë të vegjël natën.
Të lutej për një taksi motoçikletë dukej disi e çuditshme, por Sahri i kërkoi Perëndisë që ta ndihmonte për të shkuar në shtëpi. Disa minuta më vonë erdhi një taksi, pasi kishte sjellë dikë në atë zonë zakonisht të qetë. Plot mirënjohje Sahri hipi në motoçikletë, duke u ndier i bekuar që do të mund të shkonte në shtëpi dhe do të kishte më shumë kohë për t’i mbajtur zotimet e tij për punën dhe për ta mbajtur të sigurt familjen e tij.
Lutja për një Ndryshim të Orarit
Vëllai Migel Tronkoso nga Santa‑Kruzi në Argjentinë, mezi po priste që të dëgjonte Plakun Karlos H. Amado, të Të Shtatëdhjetëve, që të fliste në kunjin e tij. Por Plaku Amado ishte caktuar të fliste të martën në mbrëmje dhe Vëllai Tronkoso, një mësues në shkollën e mesme, kishte për të dhënë mësim në një klasë në shkollë atë natë. Plot vendosmëri që të frekuentonte mbledhjen, ai dhe familja e tij u lutën për ndihmë.
Vëllai Tronkoso tha këtë për përvojën e tij:
“Ditën përpara konferencës, u ndjeva i nxitur që të flisja me drejtoreshën që të largohesha 20 minuta më herët. … Përpara se të mund të thosha një fjalë, ajo më kërkoi nëse nuk do ta kisha problem që ta ndryshoja orën e fillimit të mësimit të martën duke e nisur dy orë më përpara se orari i zakonshëm. …
Çfarë bekimi ishte kjo gjë për ne! Arritëm në mbledhje mjaft përpara dhe e ndiem Shpirtin në praninë e njërit prej dishepujve të Zotit. … Përveç kësaj, fituam dëshmi si familje se Ati Qiellor i njeh dëshirat tona dhe i dëgjon lutjet tona.”