Liahona
Një Përgatitje e Mrekullueshme për Jetën
Korrik 2024


“Një Përgatitje e Mrekullueshme për Jetën”, Liahona, korrik 2024.

Një Përgatitje e Mrekullueshme për Jetën

Gjërat që mësojnë të rinjtë e të rejat në një mision, do ta bekojnë jetën e tyre përgjithmonë.

dy misionarë në moshë të re duke ecur në një rrugë

Që në moshë të re, gjithmonë më kishte mahnitur entuziazmi i misionarëve. Gjatë një mbledhjeje sakramenti në degën time të vogël në Minas të Uruguait, një misionar dha dëshminë e tij dhe shprehu ndjenjat e veta rreth misionit të tij. Fjalët e tij më ngelën në mendje dhe në zemër.

“Një ditë”, – thashë me vete, – “do të shërbej në një mision.”

Ca kohë më vonë, kur isha prift, pata mundësinë që t’i shoqëroja misionarët kur jepnin mësime. Ishte një përvojë e paharrueshme që të isha misionar në moshën 16‑vjeçare.

Kur mbusha 18 vjeç, disa të rinj e të reja nga dega ime u kthyen nga misionet e tyre, përfshirë motrën time Anën, e cila u kthye nga një mision në Argjentinë. Përvojat dhe dëshmitë e tyre gjithashtu më prekën në zemër.

Teksa afrohej ditëlindja ime e 19‑të, dëshiroja që ta jepja emrin tim për të shkuar dhe për të shpallur ungjillin e Shpëtimtarit dhe për të shërbyer në vreshtin e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 75:2). U përgatita dhe dërgova dokumentet për misionin tim. Kur mbërriti thirrja ime, e hapa letrën e nënshkruar nga Presidenti Spenser W. Kimball dhe lexova se do të shërbeja në Misionin e Uruguait/Paraguait. Do të shërbeja në vetë atdheun tim! Isha i lumtur për mundësinë që të shpallja “lajmet e mira të gëzimit të madh, madje ungjillin e përjetshëm” (Doktrina e Besëlidhje 79:1).

Mbërrita në zyrën e misionit pas udhëtimit dy orë me autobus për në Montevideo të Uruguait. Presidenti i misionit më veçoi si misionar për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe më caktoi një shok misioni. Atë pasdite filluam të trokisnim në dyer.

Në fillim, pati raste kur misioni nuk qe aq emocionues sa e kisha përfytyruar se do të ishte. Fatmirësisht kisha një shok misionar të bindur e punëtor, i cili më ndihmoi të zbuloja gëzimin e humbjes së vetes sime në shërbim të Zotit. Shembulli i tij më bekoi gjatë gjithë misionit tim.

Por përgatitja ime për të qenë një përfaqësues i Shpëtimtarit Jezu Krisht, kishte filluar kohë më parë.

E Gjitha Filloi me një Kapëse Kravate

Në janar 1962, kur isha gjashtë vjeç, misionarët erdhën në dyqanin e argjendarisë së babait tim që të shihnin se si ta zëvendësonin një kapëse kravate, që e kishte humbur njëri prej tyre. Ndërkohë që ishin atje, ata dëgjuan dikë që po i binte kitarës. Kur pyetën për këtë gjë, babai im i ftoi që të hynin brenda dhe të takonin shokun e tij.

Gjatë bashkëbisedimit të tyre, babai im dhe shoku i tij i pyetën misionarët nëse i binin kitarës. Një misionar tha se i binte pak. Shoku i babait tim ia kaloi kitarën dhe i kërkoi që t’i binte. Ai filloi t’u binte disa këngëve ndërkohë që shoku i tij këndonte.

Kërkimi i thjeshtë i misionarëve për një kapëse kravate çoi në njohjen e familjes sime me ungjillin e Jezu Krishtit. Ne u bëmë miq të mirë me misionarët dhe filluam t’i dëgjonim mësimet. Fara e ungjillit u mboll dhe filloi të rritej, fillimisht brenda nënës sime, Elsës, dhe motrave të mia, Anës dhe Stelës, dhe më pas brenda meje.

Që prej asaj dite, në familjen time u rrit dashuria për punën misionare. Unë shërbeva në një mision, bijtë e mi kanë shërbyer në misione dhe tani nipërit e mbesat tona po fillojnë të përgatiten dhe të shërbejnë në misione, duke krijuar një brez të tretë misionarësh.

Nuk është gjithnjë e lehtë të jesh misionar. Kërkohet përgatitje përpara se një i ri ose e re të jetë gati për të shkuar në fushën e misionit. Kjo është diçka ku prindërit, familja dhe udhëheqësit e Kishës mund të jenë shembuj të mirë dhe të punojnë si një ekip për t’i përgatitur të rinjtë e të rejat që në moshë të hershme.

Një mënyrë për t’i ndihmuar që të përgatiten, është që t’u mësoni atyre zotësi praktike. Zotësi të tilla si kursimi i parave, larja dhe hekurosja e rrobave, qepja, lyerja e këpucëve, gatimi, të folurit me të tjerët dhe shërbimi ndaj të tjerëve do t’i ndihmojnë në misionet e tyre. Pjesëmarrja në seminar dhe institut gjithashtu ndihmon në atë përgatitje dhe i plotëson gjërat që mësojnë në shtëpi dhe në kuorumet e klasat e tyre.

Përkrahja jonë duhet të vazhdojë ndërkohë që janë në misionet e tyre. Është e bukur të dëgjojmë përvojat e mrekullueshme që misionarët tanë i kanë pothuajse çdo ditë. Ne gjithashtu mund të jemi pjesë e atyre përvojave duke u shtrirë dorën e ndihmës njerëzve të cilëve ata u japin mësim. Për shembull, nëna e njërit prej misionarëve që i dha mësim familjes sonë, e kontaktoi nënën time dhe i shkroi asaj për shumë vite, duke e ndihmuar atë të qëndronte në shtegun e besëlidhjeve.

Teksa i ndihmojmë misionarët e ardhshëm që të përgatiten, ne duhet të kujtojmë se puna misionare është shumë më tepër se një traditë në Kishë – ajo është një ftesë dhe urdhërim nga Zoti (shihni te Mateu 28:19). Në fillim, ungjilli iu mësua Adamit dhe Evës. Më pas ata ua mësuan ungjillin fëmijëve të tyre (shihni te Moisiu 5:6–12). “Dhe kështu Ungjilli filloi të predikohej, që nga fillimi, duke u shpallur nga engjëjt e shenjtë, të dërguar nga prania e Perëndisë” (Moisiu 5:58).

Ky predikim vazhdon tani me një ushtri prej më shumë se 71 000 misionarësh. Por na nevojiten më tepër, shumë më tepër, në rreshtat e parë – një ushtri misionarësh dhe anëtarësh.

dy motra misionare duke u lutur

Çfarë Mund të Mësojmë në Misionet Tona

Ndërkohë që isha në mision, u mësova me punën misionare dhe fillova të mendoja më thellësisht rreth mesazhit tonë. Gjithmonë e kisha ndier se ungjilli ishte i vërtetë, por pata dëshirë të fortë që ta dija se ai ishte i vërtetë. U luta, agjërova, studiova, punova dhe më pas prita për përgjigje.

Gjatë një mësimi një ditë, tregova rrëfimin e Jozef Smithit për Vegimin e Parë:

“Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua. …

Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: ‘Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!’” (Joseph Smith – Historia 1:16–17.)

Në atë çast, mund ta ndieja Frymën e Shenjtë të më pohonte se ajo që po jepja mësim, ishte e vërtetë. Profeti Jozef Smith vërtet i kishte parë Atin e Birin, dhe Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë dhe, së bashku me Biblën, dëshmon për Shpëtimtarin tonë. Çfarë paqeje i solli kjo shpirtit tim! Edhe dekada më vonë, ende ma ngroh zemrën.

Misioni im ishte si të fitoja një diplomë pasuniversitare shpirtërore. Gjërat që mësojnë të rinjtë e të rejat në një mision, do ta bekojnë jetën e tyre përgjithmonë. Mes shumë gjërave, ata mësojnë:

  • Si të studiojnë, të luten, të japin mësim dhe t’i vënë në jetë parimet e ungjillit çdo ditë.

  • Si të jetojnë me një shok ose shoqe misioni për 24 orë në ditë.

  • Si të kujdesen për shëndetin e tyre.

  • Si të planifikojnë.

  • Si t’i përmirësojnë zotësitë për udhëheqje.

  • Si të krijojnë marrëdhënie siç duhet me njerëz të tjerë.

  • Si ta kërkojnë, dëgjojnë dhe të udhërrëfehen nga Fryma e Shenjtë.

Të rinjtë e të rejat që shërbejnë në misione, do të forcohen e përgatiten për t’u përballur me sfidat e jetës teksa vazhdojnë ta vënë në jetë atë që mësojnë ndërkohë që janë në misionet e tyre.

Sot Është Koha

Profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, ka dhënë mësim:

“Nuk ka pasur kurrë një kohë në historinë e botës kur njohuria për Shpëtimtarin tonë të ishte më jetike personalisht dhe më me vend për çdo shpirt njerëzor. Përfytyroni se sa shpejt do të zgjidheshin konfliktet shkatërrimtare anembanë botës – dhe ato në jetën tonë individuale – nëse të gjithë do të zgjidhnim të ndiqnim Jezu Krishtin dhe t’ua vinim veshin mësimeve të Tij.”

Sot është dita që ne të tregojmë karakter e guxim dhe ta shpërndajmë ungjillin e Jezu Krishtit. Sot është dita për të rinjtë e të rejat tona që të përgatiten për të shërbyer në batalionin e Zotit në një mision mësimdhënieje ose shërbimi. Bota ka nevojë për ju! Ka gjunjë për t’i forcuar, duar për t’i ngritur dhe të vërtetë për ta predikuar (shihni te Doktrina e Besëlidhje 81:5).

Na nxittë ftesa vijuese nga Zoti për të vepruar dhe për ta ngritur flamurin e së vërtetës me fuqi:

“Vini re, unë ju them se është vullneti im që ju duhet të shkoni …

Duke i ngritur zërat tuaj si me tingullin e një borie, duke shpallur të vërtetën sipas zbulesave dhe urdhërimeve që unë ju kam dhënë.

Dhe kështu, nëse jeni besnikë, ju do të … kurorëzoheni me nder dhe lavdi, dhe pavdekësi, dhe jetë të përjetshme” (Doktrina e Besëlidhje 75:3–5).