“Mesazhi Im nga Perëndia”, Liahona, korrik 2024.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Mesazhi Im nga Perëndia
Nuk kisha dëshmi për Librin e Mormonit derisa Zoti më foli nëpërmjet librit të Helamanit.
Kur një shok më ftoi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në vitin 2020, pranova me ngurrim. Fillimisht, nuk e ndjeva se qe vendi ku duhej të isha, por vazhdova ta frekuentoja mbledhjen e sakramentit. Më së fundmi, u pagëzova.
Megjithatë, nuk e kuptoja konceptin e pasjes së një dëshmie siç flisnin anëtarë të tjerë të Kishës. Motrat misionare dhe unë kishim lexuar së bashku disa vargje nga shkrimet e shenjta, por kurrë nuk e kisha hapur vetë Librin e Mormonit. Pavarësisht nga përpjekjet e mëdha të anëtarëve të Kishës për të më mirëpritur e për të më mbajtur aktiv, shpejt fillova të shkoja me vonesë në kishë, të mos qëndroja në mbledhje dhe të kthehesha përsëri te një gjendje si bota.
Më pas, erdhi një ditë kur me një zemër plot shqetësim, pata një ndryshim të madh në atë që ndieja. Ndjeva se kisha qenë shumë i paqëndrueshëm, si bota dhe antagonist kundrejt gjërave të Perëndisë. E kuptova se nuk isha në rrugën e duhur. Ndërkohë që isha në këtë gjendje, e hodha vështrimin drejt shkrimeve të shenjta mbi shtratin tim.
I bëra thirrje Perëndisë që të më thoshte diçka. Bëra një lutje të vogël dhe prita se mos dëgjoja diçka. Më nevojitej ca ngushëllim e qartësi.
Më pas dëgjova diçka. Nuk e di nëse tingulli erdhi nga brenda mendjes sime apo nga brenda veshëve të mi, por dëgjova fjalët “Helamani 3:27”. E dija se libri i Helamanit ishte në Librin e Mormonit, prandaj i mora shkrimet e shenjta dhe shkova tek tabela e përmbajtjes që ta gjeja atë libër.
Ajo që lexova më pas, ishte një mesazh nga Perëndia veçanërisht për mua për atë çast në jetën time: “Kështu, ne mund të shohim se Zoti është i mëshirshëm ndaj të gjithë atyre që do të thërrasin në sinqeritetin e zemrave të tyre, emrin e tij të shenjtë”.
Ky fragment e ndryshoi perceptimin tim rreth veprimeve të mia dhe rreth Librit të Mormonit. E kuptova se veprimet e mia dhe mungesa e sinqeritetit ndaj Perëndisë kishin qenë të gabuara dhe se kisha nevojë t’i bëja thirrje Atij dhe të pendohesha. E di se Perëndia nuk do të m’i mohojë mëshirat dhe bekimet e Tij për aq kohë sa jam i sinqertë për t’i bërë thirrje Atij dhe për ta ndjekur Atë.
Kjo është mënyra se si më erdhi dëshmia ime për Librin e Mormonit, një libër për të cilin nuk kisha treguar interesim që ta lexoja. E di se Perëndia jeton, se Ai na flet sot dhe se Libri i Mormonit është i vërtetë.