Liahona
Perëndia më Tregoi se Kisha Qëllim
Korrik 2024


“Perëndia më Tregoi se Kisha Qëllim”, Liahona, korrik 2024.

Portrete Besimi

Perëndia më Tregoi se Kisha Qëllim

Rashë nga një pemë, por Zoti më shpëtoi me qëllim që të mund ta ndryshoja komplet jetën time dhe të ndihmoja njerëz me aftësi të kufizuara si unë.

burrë në karrige me rrota me familjen e tij

Fotografitë nga Christine Hair

Po frekuentoja një konferencë fetare me motrën time kur ajo më kërkoi të ngjitesha në një pemë dhe të merrja një tufë arrash kokosi për konferencën. Ndërsa po mblidhja arrat e kokosit në majë të pemës, papritur humba ndjenjat dhe rashë. Rashë me forcë me kurriz dhe nuk mund t’i ndieja më këmbët.

Më çuan në spital ku doktorët i stabilizuan kockat e kurrizit tim. Për tre muaj qëndrova i shtrirë në shpinë në spital, i paaftë madje që të qëndroja i ulur. Ishte një kohë tronditëse dhe dëshpëruese. Thjesht qëndroja i shtrirë dhe vrisja mendjen se çfarë do të më ndodhte dhe çfarë do të bëja më pas.

Këshillohuni me Zotin

Pas tre muajsh më thanë që të shkoja në Zelandën e Re për një operacion për kurrizin. Operacioni bëri që unë të mund të qëndroja i ulur, në vend që të qëndroja vetëm i shtrirë. Ndërkohë që ndodhesha në spital në Zelandën e Re, u takova me një vajzë që punonte atje. Ajo më pyeti: “A të njoh? Më dukesh i njohur.”

Filluam të bisedonim. Ajo më foli për ungjillin e Jezu Krishtit dhe më dha një Libër të Mormonit. Fillimisht nuk e lexova. E lashë ashtu pranë shtratit tim. Gjithsesi, një ditë isha vetëm dhe nuk kishte asgjë interesante për të parë në televizor. Më pas pashë Librin e Mormonit mbi tavolinën time. E hapa dhe fillova të lexoj e të lexoj.

Teksa lexoja, pata ndjenjën që kishte diçka ndryshe në Librin e Mormonit dhe që ai duhet të përmbante ungjillin e vërtetë të Jezu Krishtit. Vajza në spital kishte shenjuar disa vargje, njëri nga të cilët ishte tek Alma 37:37: “Këshillohu me Zotin për të gjitha veprimet e tua dhe ai do të të drejtojë për të mirë”.

Ato fjalë më ranë në sy dhe më vunë në mendime. Që të dija nëse Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ishte Kisha e vërtetë, e dija se më nevojitej që të këshillohesha me Zotin. Gjithashtu doja të shkoja për ta parë këtë kishë vetë.

Mungesa Ime e Shpresës u Largua

Kur u ktheva në shtëpi nga Zelanda e Re, i ftova misionarët që të më jepnin mësim. Teksa mësoja, fitova dëshmi se kjo është Kisha e Krishtit. U jam mirënjohës misionarëve që më dhanë mësim. Në pagëzimin tim, ata patën forcën të më futnin në ujë, njëri duke më mbajtur në krahë ndërkohë që tjetri kryente pagëzimin tim.

Me pagëzimin tim, u larguan të gjitha ndjenjat e depresionit dhe të mungesës së shpresës që i kisha duruar. E dija se kisha një qëllim në jetë dhe se Perëndia më donte.

Përpara se të pagëzohesha, ndihesha i turpëruar për veten time për shkak të karriges me rrota. Gjithsesi, pasi u pagëzova, fillova të vija në lagjen e Kishës çdo të diel dhe të merrja pjesë në aktivitetet e të rinjve në moshë madhore beqarë. Madje shkova në mbrëmjet e vallëzimit të kunjit, ku e kërceva çdo këngë i ulur në karrigen time me rrota. U bashkova edhe me një rrjet për njerëzit në Samoa me dëmtime të shtyllës kurrizore.

E kuptova se isha shëruar nga ndjenja se kisha nevojë të fshihesha. Nëpërmjet Kishës, fitova vetëbesimin që të shkoja mes njerëzve përsëri.

Zoti gjithashtu më ndihmoi që ta shtyja veten dhe të rritesha kur më nxitën që të frekuentoja një program trevjeçar në Cambodian School of Prosthetics and Orthotics (CSPO) [Shkollën Kamboxhiane për Protezat dhe Ortotikën]. Nuk isha i sigurt nëse mund të pranohesha në program pasi askush në karrige me rrota nuk kishte bërë kurrë kërkesë. Sidoqoftë, rrethanat më së fundi më lejuan që të mund ta frekuentoja shkollën CSPO [SHKPO] në Kamboxhë. U diplomova në atë shkollë si studenti i parë me aftësi të kufizuara në historinë e programit.

burrë duke mbajtur një protezë krahu

Përpara se të pagëzohej, Posenai ndihej i turpëruar që ishte në një karrige me rrota. Por pas pagëzimit të tij, ai tha: “Fitova vetëbesimin që të shkoja mes njerëzve përsëri”.

Pasi u ktheva në Samoa, fola në një takim shpirtëror të TRMMB-ve rreth shëndetit. Pas konferencës, një grua eci drejt meje për të më dhënë dorën dhe për të më thënë se i pëlqeu biseda ime. Lagimanofia sapo ishte kthyer nga misioni i saj. Që nga çasti kur e takova, e ndjeva se ajo më bënte të plotë. Isha lutur që të gjeja dikë që mund të ishte një shoqëruese dhe e cila do të më donte dhe pranonte.

Kur unë dhe Lagimanofia filluam të dilnim në takime, ajo u kujdes për mua e më pranoi dhe familja e saj na përkrahu. U martuam dhe jeta jonë ndryshoi përgjithmonë kur birësuam Posenain të Riun. Perëndia na përgatiti që ta birësonim atë. Të pasurit e tij në jetën tonë na ka bërë shumë të lumtur.

A Mund të Shërbeja?

Në kishë, u thirra si nëpunës i lagjes dhe më pas si këshilltar në peshkopatë. Nuk mund ta besoja që dikush në një karrige me rrota mund të shërbente. Aksidenti im më kishte bërë të ndihesha i padobishëm, por të punuarit në Kishë më bëri të ndihem i dobishëm dhe më ndihmoi të kuptoja se mund të jepja ndihmesë. Më pëlqen shumë mundësia për t’iu afruar më pranë Jezu Krishtit teksa shërbej.

Si këshilltar në peshkopatë, dëshiroja të udhërrëfehesha që të mund të isha më i mirë në thirrjen time. Kjo gjë më bëri që të dëshiroja të përgatitesha më shumë për çdo të diel. M’u bë zakon që t’i lexoja shkrimet e shenjta dhe pata mundësi për të dhënë dëshminë time. Të qenit një udhëheqës në kishë madje më ndihmoi të bëhesha një udhëheqës në punë. Krijova ndjenjën se mund të udhëhiqja dhe ta ngrija zërin, duke më lejuar që të udhëhiqja në aspekte të tjera.

Tani punoj si drejtori i Sektorit të Protezës dhe Ortotikës në spitalin Tupua Tamasese Meaole, spitalin kryesor të Samoas. Sektori im pajis rreth 500 njerëz në vit me mjete ndihmëse për të ecur dhe karrige me rrota. Kisha, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë në Samoa, ndihmon që të sigurojë karrige me rrota dhe materiale të nevojshme për të bërë proteza (shihni te philanthropies.ChurchofJesusChrist.org/humanitarian-services). Këto mjete i ndihmojnë njerëzit që të rikthehen në punë dhe të bëhen të mbështetur te vetja. Ato gjithashtu u japin shpresë njerëzve dhe një mënyrë që t’i kthehen jetës që menduan se e kishin humbur.

burrë në një karrige me rrota duke ndihmuar një burrë tjetër me një këmbë protezë

“Të punuarit në Kishë më bëri të ndihem i dobishëm dhe të kuptoj se mund të jepja ndihmesë”, – thotë Posenai. “Më pëlqen shumë mundësia për t’iu afruar më shumë Jezu Krishtit teksa shërbej.”

Mbështetuni te Zoti

Nëse do t’u jepja këshillë njerëzve të tjerë me aftësi të kufizuara, do të thosha: “Mos i lejoni aftësitë tuaja të kufizuara që t’ju largojnë nga ajo që besoni. Kushtojani zemrën tuaj asaj që dëshironi të arrini, dhe punoni shumë drejt asaj gjëje. Kur e kërkoni ndihmën e Zotit, Ai do t’ju bekojë [shihni te 2 Nefi 32:9].”

Me atë bindje, unë vazhdoj të punoj dhe ajo më bën personin që jam sot. Besoj se u vendosa këtu dhe u shpëtova për një qëllim. Rashë nga ajo pemë, por Zoti më shpëtoi me qëllim që të mund ta ndryshoja komplet jetën time dhe të bëja këtë punë për t’i ndihmuar gjithë këta njerëz. Zoti më ka mësuar se mund të ndihmoj shumë njerëz, jo megjithëse kam aftësi të kufizuar, por për shkak të saj.