“Të Lutemi ta Ndihmosh Atë”, Liahona, korrik 2024.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
“Të Lutemi ta Ndihmosh Atë”
Puna për historinë familjare dhe puna me mëkëmbës në tempull më ndihmuan që të mposht ndjenjat e dështimit dhe të vetmisë.
Një ditë në punë u ndjeva zemërthyer dhe e vetmuar. Besoja se kisha dështuar me paraardhësit e mi për shkak të gabimeve të shumta që kisha bërë. Iu përgjërova Atit tim Qiellor për forcë.
Një ose dy javë më vonë një motër erdhi tek unë pas kishës dhe më pyeti nëse isha Xheni Kasama. Ajo më tha se ishte Mishel (Mish) Bautista, një nga këshilltaret tona për tempullin dhe historinë familjare në lagje. Më shpjegoi se kishte parë një ëndërr në të cilën tri gra të veshura me rroba të bardha dhe me mbiemrin Kasama kishin ardhur tek ajo për ndihmë. Ato iu përgjëruan motrës Bautista: “Të lutemi ta ndihmosh atë”.
Motra Mish e kuptoi se këto gra po i kërkonin që të ndihmonte të afërmen e tyre – mua –për të mësuar më shumë rreth punës në tempull dhe për historinë familjare.
Motra Mish më tha: “Le të shohim nëse mund t’i gjejmë ato gra në pemën tënde familjare”.
Në faqen në internet të programit FamilySearch zbuluam dokumentet për gjyshen time, Damasa Kasamën; motrën e saj, Emiliana Kasamën; dhe stërgjyshen time, Eugenia Kasamën. Pa asnjë dyshim e dinim se ato ishin gratë në ëndërr. Një ndjenjë e ëmbël paqeje më përshkoi dhe e ndjeva dashurinë e paraardhëseve të mia të më pushtonte pikërisht në atë çast. Derdhëm lot për shkak të lumturisë që ndiem në zemrat tona. E ndjeva se ato kishin shumë merak për mua dhe, si rrjedhojë, pata një ndjenjë të thellë dashurie për to.
Atëherë e kuptova përgjegjësinë time për t’i ndihmuar ato dhe paraardhësit e mi të tjerë që të merrnin ordinancat e tempullit. Paraardhësit tanë janë duke pritur – disa prej tyre prej një kohe të gjatë – që ne në tokë t’i kryejmë këto ordinanca të shenjta për ta.
Më vonë, atë vit u pagëzova në tempull për këto tri paraardhëse. Dëshmoj për bukurinë e punës për historinë familjare dhe për fuqinë që ajo sjell në jetën time.
Siç tha Presidenti Rasëll M. Nelson: “Megjithëse puna në tempull dhe [për] histori[n]ë familjare ka fuqinë të bekojë ata përtej velit, ajo ka po atë fuqi për të bekuar të gjallët. Ajo ka një ndikim përmirësues mbi të gjithë ata që përfshihen në të. Ata vërtet po ndihmojnë në ekzaltimin e familjeve të tyre.”
E di se Kisha është e vërtetë dhe që ne nuk mund të bëhemi të përsosur pa paraardhësit tanë.