Liahona
Shpirti Im Donte që të Ishte aty
Korrik 2024


“Shpirti Im Donte që të Ishte aty”, Liahona, korrik 2024.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Shpirti Im Donte që të Ishte aty

Një histori e parapëlqyer e shkrimeve të shenjta erdhi si përgjigje ndaj dëshirës sime për të qenë pranë Atit tim Qiellor dhe Birit të Tij.

Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit

The Second Coming [Ardhja e Dytë], nga Harry Anderson

Erdha në tempull një ditë me një pyetje në zemër: “Atë Qiellor, në çfarë gjendje jam në ungjill?”

Mangësitë e mia i kisha ndier veçanërisht dominuese atë javë. Ashtu si Nefi u ndjeva e rënduar nga mëkatet që më rrethonin me kaq lehtësi. Por, po ashtu si Nefi, e dija se tek cili të kisha mirëbesim. (Shihni te 2 Nefi 4:18–19.) Shpresova që shpenzimi i kohës me Zotin në shtëpinë e Tij atë mëngjes do të më ndihmonte ta hiqja largësinë që po ndieja.

Dëgjova me kujdes gjatë sesionit të dhurimit dhe u ndjeva mirënjohëse për forcën dhe njohurinë që më ofroi. Por kur hyra në dhomën çelestiale, zemra akoma m’u ndje e rënduar. Si mund ta dija në çfarë gjendje isha me Zotin?

U ula dhe përsiata për pak minuta dhe pastaj, me ndjesinë se isha dorëzuar, fillova të ngrihem. Por diçka më tërhoqi pas, duke më zhytur më thellë në divan. “Nuk dua të largohem”, – mendova.

Vështrova përreth dhomës dhe pashë një pikturë të njohur të Jezu Krishtit të rrethuar nga engjëjt, me krahët e Tij të shtrira drejt meje. Fjalët e një shkrimi të shenjtë të parapëlqyer më erdhën në mendje: “Shpirti im donte që të ishte aty” (shihni tek Alma 36:22).

Shpesh kam përsiatur për rëndësinë e atij vargu në historinë e Almës. Më përpara, për shkak të mëkateve të tij, mendimi i të qëndruarit përpara Perëndisë e mbushi Almën me një “tmerr të papërshkrueshëm” (Alma 36:14). Por pasi u kthye te Krishti, ai e pa Perëndinë të rrethuar nga engjëj dhe “shpirti [i tij] donte që të ishte aty”. Ky kontrast nga shkrimet e shenjta gjithmonë më është dukur i bukur. Përpjekja e vogël e Almës për të parë te Zoti pati një ndikim tepër të madh në zemrën e tij.

E kuptova se nuk ndihesha gati që të largohesha nga dhoma çelestiale sepse, si Alma, shpirti im donte që të ishte atje, si në tempull atë ditë dhe më së fundmi me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në shtëpinë time qiellore. Fryma e Shenjtë e përdori historinë time të parapëlqyer nga shkrimet e shenjta për të më treguar se Perëndia e njihte zemrën time. M’u kujtua që pavarësisht nga mangësitë e mia, Zoti i pranonte përpjekjet e mia që të isha pranë Tij. Ai e dinte se doja që të isha atje.