Liahona
Historia e Suksesit të një Misionari: 60 Vjet për të Dhënë Rezultat
Korrik 2024


“Historia e Suksesit të një Misionari: 60 Vjet për të Dhënë Rezultat”, Liahona, korrik 2024.

Historia e Suksesit të një Misionari: 60 Vjet për të Dhënë Rezultat

Çfarë përvoje plot gëzim ishte për mua që të dëgjoja se një farë e ungjillit, e mbjellë shumë vite më parë, dha fryt!

fara në tokë dhe një pemë që rritet me fruta

Ilustrimi nga Carolyn Vibbert

Gjithmonë më ka pëlqyer shumë vargu te Doktrina e Besëlidhje 18:10: “Vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë”. Dhe nganjëherë kërkohen shumë prej nesh që të punojmë së bashku për të dhënë dëshmi që të sjellim shpirtra te Shpëtimtari (shihni te 2 Korintasve 13:1).

M’u kujtua ky koncept i bukur i punës së përbashkët misionare kur një ditë mora një mesazh me postë elektronike. Një vëlla, i cili tha se ishte i biri i presidentit të misionit në Uiçita të Kanzasit, vriste mendjen nëse unë isha bashkëshortja e Robert Monsonit. Vëllai vazhdoi të thoshte se po kërkonte Plakun Monson, i cili shërbeu në Misionin e Shteteve Qendrore në vitin 1959. Ai ishte bashkëshorti im.

Ai më tregoi për dy misionarë të rinj në moshë, të cilët u frymëzuan kohët e fundit që të hynin në ndërtesën e një apartamenti. Trokitën në derën e parë dhe gjetën një zonjë të moshuar, e cila i ftoi të ktheheshin përsëri të nesërmen. Caktuan një orar.

Kur u kthyen për takimin, ata mësuan se kjo motër e moshuar kishte një kombinim tresh të vjetër të shkrimeve të shenjta (Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe) që misionarët ia kishin dhënë në vitin 1959. E kishte lexuar shumë herë dhe e dinte se mësimet e tij ishin të vërteta. Ajo nuk ishte bashkuar me Kishën në atë kohë ngaqë bashkëshorti i saj nuk donte që ajo të frekuentonte kishën ose të pagëzohej. Bashkëshorti i saj kishte ndërruar jetë kohët e fundit dhe ajo u lut që të mund t’i gjente përsëri misionarët. Në kombinimin e saj tresh ishin emrat e dy misionarëve nga viti 1959: Robert Monson dhe Grenëjd Kërën, bashkëshorti im dhe shoku i tij i misionit.

Në javët që pasuan, kjo grua mësoi rreth planit të shpëtimit dhe bekimeve të tempullit. Biri i saj kishte ndërruar jetë në moshën 22‑vjeçare dhe ajo u emocionua shumë për mundësinë që të ribashkohej me të. Kur misionarët e ftuan të pagëzohej, ajo plot gëzim e pranoi ftesën e tyre.

Si bashkëshorti im ashtu edhe shoku i tij i misionit, Plaku Kërën, kishin ndërruar jetë, por mund t’i përfytyroj ata duke marrë pjesë në këtë pagëzim të bukur nga përtej velit.

Kur i biri i presidentit të misionit ma tregoi historinë, m’u kujtua se Shpëtimtari nuk e harron asnjërin prej nesh. Ai është gjithmonë me ne nëse e lejojmë Atë në jetën tonë. Dhiata e Re tregon historinë e Zakeut, i cili u ngjit në një pemë fiku që të shihte Shpëtimtarin (shihni te Lluka 19:1–10). Edhe lart në pemë, Shpëtimtari e gjeti Zakeun, të cilit i kërkoi që të hante darkë në shtëpinë e tij. Në mënyrë të ngjashme, një motër e moshuar u lut dhe priti që misionarët t’i trokitnin në derë, dhe ata trokitën. Shpëtimtari na njeh ne të gjithë. “Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që k[a] humbur” (Lluka 19:10).

Dy dyshe misionarësh, një mbi 60 vjet më parë dhe më pas një dyshe në kohët më të fundit, e sollën këtë motër te Jezu Krishti dhe në shkëmbim i forcuan dëshmitë e tyre vetjake dhe gjetën gëzim në Zotin. Ndihem plot përulësi që munda të jem një spektatore në këtë histori, duke ndier gëzimin e të gjithë njerëzve të përfshirë për ta sjellë këtë motër te Shpëtimtari (shih te Doktrina e Besëlidhje 18:15).

Autorja jeton në Jutë, SHBA.