Liahona
Kurajë për të Shpërndarë Gjërat që Vlerësoj më Shumë
Korrik 2024


“Kurajë për të Shpërndarë Gjërat që Vlerësoj më Shumë”, Liahona, korrik 2024.

Kurajë për të Shpërndarë Gjërat që Vlerësoj më Shumë

Duke ndjekur shembullin e peshkopit tim dhe bashkëshortes së tij, pata si synim të jepja një Libër të Mormonit në çdo udhëtim që bëja me ekipin e nxitëseve të tifozëve.

e re duke treguar me gisht një faqe në një libër që mbahet nga një i ri

Kur po rritesha, më pëlqente shumë të shihja se si klloçkat e gjyshes sime i mblidhnin zogjtë nën krahët e tyre gjatë stuhive për t’i mbajtur të sigurt dhe të mbrojtur. Kjo pamje u bë më e rëndësishme për mua pasi lexova rreth saj në Librin e Mormonit (shihni tek 3 Nefi 10:4–6). Kur isha e re në moshë madhore, peshkopi im dhe bashkëshortja e tij, të cilët udhëtonin shumë për punët e tyre, më thanë se ata i jepnin dikujt një Libër të Mormonit në çdo udhëtim që bënin.

Kjo gjë më frymëzoi. I admiroja ata dhe shembujt e tyre më prekën në zemër. Vendosa që, nëse do të kisha mundësinë të udhëtoja jashtë Jutës në SHBA, do të ndiqja shembullin e tyre dhe çdo herë do t’i jepja dikujt një Libër të Mormonit.

Kur isha nxitëse tifozësh për Universitetin “Brigam Jang”, udhëtoja shpesh me ekipin e nxitëseve të tifozëve. Përpara udhëtimit tim të parë, bleva një Libër të Mormonit dhe shkrova brenda tij dëshminë time. Doja të zhvilloja kurajën për të shpërndarë te të tjerët gjërat që vlerësoja më shumë: dëshminë time dhe Librin e Mormonit. Doja të isha si peshkopi im dhe bashkëshortja e tij. Doja të isha si Jezu Krishti. Doja që të ndihmoja për t’i mbledhur të tjerët dhe t’i ndihmoja që të vinin tek Ai.

Shpejt mësova se, nëse lutesha përpara çdo udhëtimi për t’u udhëhequr te dikush që kishte nevojë për librin, një person do të shfaqej në kohën e duhur dhe në vendin e duhur që të ma bënte të natyrshme dhe të lehtë shpërndarjen e Librit të Mormonit. Sa më shumë që ushtrohesha, aq më e lehtë u bë mundësia ime për ta shpërndarë librin. Udhëtimet e mia u bënë më domethënëse për mua. Isha gjithmonë plot emocion kur gjeja marrësin e bekuar nga Ati Qiellor për këtë dëshmi të shenjtë të Krishtit.

Kur udhëtoja, përsiatja pyetjet: “Ku duhet të shkoj për të gjetur personin që Ati Qiellor po ma dërgon në këtë kohë? Çfarë mund t’i them atij ose asaj për të përçuar se sa i çmuar është për mua Libri i Mormonit?” Mendimet dhe veprimet e mia u përqendruan përtej nevojave të mia vetjake dhe argëtimit dhe ndjeva dashuri më të madhe për çdo njeri që takoja. Përpiqesha t’i shihja nëpërmjet syve të Shpëtimtarit. U luta për ta që ta pranonin dhuratën hyjnore që Ati Qiellor më kishte dërguar që t’ua ofroja.

U trishtova kur viti im i fundit në shkollë përfundoi. Të isha pjesëtare e ekipit të nxitëseve të tifozëve për UBJ‑në ishte një ëndërr që e kisha pasur gjatë gjithë jetës. Do të isha gëzuar patjetër me përvojën e pabesueshme si një nxitëse e tifozëve, por mundësia për të shpërndarë një kopje të Librit të Mormonit në çdo udhëtim me ekipin e nxitëseve të tifozëve, ma pasuroi jetën në mënyra të bukura dhe të papritura.

Shpërndarja e Librit të Mormonit ishte një mënyrë me vlerë dhe e lehtë për t’ia shtuar më shumë domethënien përvojës sime në universitet. E di se njerëzit të cilëve ua dhashë Librin e Mormonit, ishin veçanërisht të udhërrëfyer për ta marrë atë. Gjithashtu e di se në tapicerinë e pabesueshme të jetës sime, Ati Qiellor ndërthuri një mëshirë të dashur, të ëmbël e të dhembshur: Ai më lejoi të ndieja dashurinë e Tij për fëmijët e Tij në një mënyrë të veçantë në çdo udhëtim që bëra.

Pasi u diplomova, vendosa që gjithmonë të vazhdoja të kërkoja dikë të cilit ose të cilës të mund t’i jepja dëshminë time. Me kalimin e kohës, zhvillova një aftësi më të madhe dhe u ndjeva më rehat për të dhënë dëshminë time. Mësova që të mos kisha më frikë për ta dhënë atë. Besoj se kushdo mund të ndihet më rehat me dhënien e dëshmisë së vet nëpërmjet ushtrimit si dhe kërkimit të ndihmës hyjnore.

Zgjedhja për të ndjekur shembujt e peshkopit tim të mirë dhe të bashkëshortes së tij e bëri jetën time më domethënëse në shumë mënyra. Ajo më mësoi të kuptoj se Zoti është i vetëdijshëm për cilindo prej fëmijëve të Tij. Ai na do dhe pret me padurim që të na mbledhë të gjithëve nën krahët e Tij. Çfarë bekimi është që të kuptojmë gjuhën e figurshme që Ai përdor kur përshkruan mbledhjen e Tij. Ai na mbledh sikurse një klloçkë i mbledh dhe i mbron plot dhembshuri zogjtë e vet.

Autorja jeton në Jutë, SHBA.