“Dy të Vërtetat që më Ndihmojnë të Kuptoj Përulësinë”, Liahona, korrik 2024.
Të Rinjtë në Moshë Madhore
Dy të Vërtetat që më Ndihmojnë të Kuptoj Përulësinë
Përulësia mund të ndihmojë si lidhur me krenarinë ashtu edhe me ndjenjat e papërshtatshmërisë.
Një fakt: Unë jam fëmijë i Perëndisë. Dhe kjo është një e vërtetë e mahnitshme dhe hyjnore.
Një fakt po aq i rëndësishëm: Përderisa çdo njeri tjetër në këtë tokë është gjithashtu një fëmijë i Perëndisë, edhe ata janë qenie të mahnitshme dhe hyjnore.
Që të dyja këto të vërteta ndoshta duken të qarta, por m’u desh ca kohë që t’i përvetësoja ato vërtet dhe të kuptoja se çfarë domethënie kanë në jetën time. Nganjëherë jam fajtor që i qasem një situate plot krenari, duke hamendësuar se mënyra ime është mënyra e drejtë ose që jam më i aftë se njerëzit e tjerë. Herë të tjera bëj të kundërtën, duke u ndier se jam më pak i denjë ose më i pavlerë se të tjerët përreth meje.
Përgjigjja për të dyja vështirësitë është e njëjtë:
Përulësia.
A Nuk Isha Mjaft i Mirë?
Një përvojë që vërtet më përuli, ndodhi në misionin tim. Mendoj se shumica e misionarëve përballen me ndjenja papërshtatshmërie ndërkohë që përpiqen t’i sjellin njerëzit te Jezu Krishti. Në misionin tim, shpenzoja disa orë në ditë thjesht duke u përpjekur që të gjeja dikë që t’i jepja mësim dhe njerëzit më refuzonin shpesh. Nuk u ndjeva i suksesshëm. Nuk e ndjeva se përpjekjet e mia ishin të mjaftueshme. Përfundimisht, fillova të ndieja se unë nuk isha mjaft i mirë.
Ndërkohë që mund të duket sikur përulësia nuk ishte çfarë më nevojitej, kur ia shpjegova ndjenjat e mia presidentit tim të misionit, ai më ndihmoi të kuptoja se pjesë e problemit tim ishte të menduarit se isha i përjashtuar nga problemet që misionarët hasin anembanë botës. Por nuk jam misionari i parë që u ndje i refuzuar dhe sigurisht nuk do të jem as i fundit.
Në njëfarë mënyre e kisha bindur veten time se vështirësitë e mia ishin tërësisht faji im, pavarësisht nga fakti që disa prej misionarëve më të mirë në histori, si Dymbëdhjetë Apostujt fillestarë, bijtë e Mosias dhe Alma i Riu, janë përballur me refuzim dhe përndjekje shumë më të keqe nga sa isha përballur unë.
Në vend që të më vinte keq për veten time, fillova të isha në gjendje të ndieja se po qëndroja krah për krah me Jezu Krishtin në vështirësitë e mia. Dhe kur u ndjeva i turpëruar për përpjekjet e mia të papërsosura, m’u kujtua ajo që dha mësim Presidenti Xhefri R. Holland, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Shlyerja [e Krishtit] do t’i ndihmojë misionarët ndoshta në mënyrë edhe më të rëndësishme nga sa do t’i ndihmojë kërkuesit. Kur hasni vështirësi, kur refuzoheni, … ju po trajtoheni njëlloj si personi më i mirë që ka qenë ndonjëherë në botë, personi më i pastër dhe më i përkryer që ka jetuar ndonjëherë.”
Ende e kthej vështrimin pas te kjo përvojë kur kam nevojë të kujtoj që të jem i përulur dhe të mirëbesoj te Zoti.
Një Mësim për Përulësinë
Mësova shumë rreth identitetit tim si fëmijë i Perëndisë ndërkohë që isha në misionin tim. Por pasi u ktheva në shtëpi, e kuptova që akoma kisha shumë për të mësuar rreth rëndësisë së të kujtuarit se edhe njerëzit e tjerë janë fëmijë të Perëndisë.
Shpejt pasi u ktheva në shtëpi, m’u ngarkua një thirrje e vështirë dhe më vunë përgjegjësinë për një aktivitet të rëndësishëm. Isha i mbingarkuar dhe nuk po arrija të takohesha me njerëzit që supozohej të më ndihmonin. Dërgova një mesazh me postë elektronike që ishte, me të vërtetë, i shprehur me fjalë mjaft të zemëruara.
Kisha të drejtë të thosha se thirrja ishte e rëndësishme dhe se kisha nevojë për më shumë përkrahje, por shpejt e kuptova se ndoshta kjo nuk ishte mënyra më e mirë për t’i motivuar njerëzit. Më nevojitej përulësi; më nevojitej që të kujtoja se njerëzit e tjerë ndoshta kishin gjërat e tyre vetjake që po u krijonin stres.
Siç dha mësim Plaku Stiven E. Snou kur ai ishte anëtar i Të Shtatëdhjetëve: “Nëse e përulim veten, lutjet tona marrin përgjigje; ne gëzojmë paqe të mendjes; shërbejmë më me efektshmëri në thirrjet tona; dhe, nëse vazhdojmë të jemi besnikë, ne do të kthehemi më në fund në prani të Atit tonë Qiellor”.
Vërtet kam ndier më shumë gëzim në thirrjen time dhe në jetën time kur kam mësuar që të jem më i përulur.
Baraspeshimi i Dy të Vërtetave
Për mua, të mësuarit e përulësisë së vërtetë ka qenë rreth baraspeshimit të këtyre dy të vërtetave:
Unë jam fëmijë i Perëndisë. Dhe unë jam i rrethuar nga fëmijë të tjerë të Perëndisë.
Teksa kam mësuar më shumë rreth përulësisë, kam kuptuar se ajo që dha mësim Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, është e vërtetë: “Përulësia nuk është njëfarë arritje madhështore e përcaktueshme dhe as kapërcimi i disa sfidave madhore. … Është të kemi vetëbesim të heshtur që ditë pas dite dhe orë pas ore ne mund të mbështetemi te Zoti, t’i shërbejmë Atij dhe të plotësojmë qëllimet e Tij.” Kam mësuar se vërtet mund t’i arrij qëllimet e Zotit, por vetëm kur e drejtoj vullnetin tim drejt Tij dhe mirëbesoj se Ai e di se çfarë është më e mira.
E di se teksa përpiqemi të bëhemi më të përulur dhe më shumë si Krishti, Ati Qiellor do të na bekojë në përpjekjet tona.
Autori jeton në Frankfurt, Gjermani.