“Trupi Juaj: Përkujdesja për atë Dhuratë Hyjnore”, Liahona, korrik 2024.
Trupi Juaj: Përkujdesja për atë Dhuratë Hyjnore
Trupat tanë janë dhurata nga Perëndia dhe tempuj për shpirtrat tanë, por kërkon vetëzotërim dhe disiplinë që t’i ushqejmë dhe të kujdesemi për ta siç duhet.
Është e lehtë ta marrim si të mirëqenë shëndetin tonë të mirë, që do të thotë, derisa ato 10 pije me gaz në ditë, një mënyrë jetese pa lëvizje dhe mungesa e gjumit të na e dëmtojnë shëndetin. Ose ndoshta, pavarësisht nga zgjedhjet e shëndetshme që bëjmë, formimet gjenetike na japin një goditje të papritur dhe na dalin sfida shëndetësore.
Të gjithëve na janë dhënë shkallë të ndryshme të shëndetit fizik që nuk mund t’i kontrollojmë gjithmonë. Por një gjë është e sigurt: plani i Perëndisë bën thirrje që ne ta përmirësojmë atë që na është dhënë. Bërja e kësaj gjëje kërkon po atë vetëdisiplinë dhe përkushtim që na nevojitet për të kultivuar shëndetin tonë shpirtëror. Kjo nënkupton ta vëmë nën kontroll prirjen tonë të natyrshme për t’u ulur në vend që të vrapojmë, për të ngrënë ëmbëlsira në vend të perimeve dhe për të ndenjur zgjuar deri vonë në vend që të flemë.
Kur kërkojmë frymëzim për ta përmirësuar shëndetin tonë fizik dhe teksa zhvillojmë vetëdisiplinë për ta ruajtur atë shëndet, ne do të zbulojmë një aftësi më të madhe për t’i shërbyer Perëndisë dhe për të gjetur gëzim.
Trupi Juaj Është një Tempull
Shpirtrat lulëzojnë kur tregohet kujdes i mirë për frymën dhe trupin. “Fryma e trupi janë shpirti i njeriut” (Doktrina e Besëlidhje 88:15). Duke komentuar për këtë varg, Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se si trupi dhe fryma “janë me rëndësi të madhe. Trupi juaj fizik është një krijim madhështor i Perëndisë. Është tempulli i Tij si edhe i juaji dhe duhet të trajtohet me nderim.”
Në moshën 99‑vjeçare, Presidenti Nelson vazhdon të kryejë detyrat e tij si President i Kishës, ndërkohë që e pranon se nganjëherë ai përdor një mjet për t’u mbajtur për ekuilibër dhe tani parapëlqen që t’i japë bisedat e konferencës së përgjithshme duke ndenjur ulur. “Herë pas here, kam pasur një sfidë të vogël me ekuilibrin tim”, – shkroi ai në faqen e tij të mediave shoqërore në maj 2023. “Mendoj se nuk duhet të habitem kur dalin probleme të vogla teksa i afrohem kufirit të shekullit. Fatmirësisht, zemra ime është mirë, shpirti im është i fortë sikurse janë këmbët e mia, dhe truri im akoma funksionon.”
Presidenti Nelson njihet për praktikat e tij vigjilente për shëndetin dhe stilin aktiv të jetesës. Gjithmonë një burrë i hollë në trup, ai punoi shumë për të qëndruar i tillë. Ai bënte ushtrime fizike rregullisht, duke parapëlqyer të ishte në natyrë. Edhe pse në të 90-tat, ai pastronte dëborën nga trotuaret e shtëpisë së vet dhe të fqinjëve të tij, fuste kazanët e plehrave përsëri në garazhe dhe punonte në oborrin e vet. Derisa u bë President i Kishës, ai bënte ski aq shpesh sa ia lejonte plani i punëve.
Zhvillimi i Vetëdisiplinës
Ne i dimë bazat e shëndetit të mirë fizik:
-
Bëni rregullisht ushtrime fizike.
-
Flini mjaftueshëm.
-
Hani sipas një diete të baraspeshuar.
-
Ruani një peshë të shëndetshme.
-
Mbajeni stresin nën kontroll.
Sekreti është që ta bëjmë trupin tonë të bëjë atë që shpirti ynë e di se duhet ta bëjë. Sipas Presidentit Nelson, një nga provimet e vdekshmërisë është vënia nën kontroll e orekseve të trupit tonë nëpërmjet shpirtit që banon brenda tij:
“Satani e njeh fuqinë e orekseve tona. Prandaj na tundon që të hamë gjëra që nuk duhet t’i hamë, të pimë gjëra që nuk duhet t’i pimë. …
Kur e njohim vërtet natyrën tonë hyjnore, ne do të dëshirojmë që t’i kontrollojmë orekse të tilla. … Në lutje të përditshme, ne plot mirënjohje do ta njohim [Perëndinë] si Krijuesin tonë dhe do ta falënderojmë Atë për madhështinë e vetë trupit tonë fizik. Ne do të kujdesemi për të dhe do të gëzohemi për të si dhuratën tonë vetjake nga Perëndia.”
Kultivimi i Mirënjohjes dhe Gjetja e Gëzimit në Trupin që na e Dha Perëndia
Në moshën 27‑vjeçare dhe si nënë e tre fëmijëve, unë u diagnostikova me artrit reumatoid, një sëmundje autoimune që i shkatërron kyçet dhe nyjet me kalimin e kohës. Jeta më doli jashtë kontrollit fizikisht e mendërisht. Iu drejtova Perëndisë për ndihmë lidhur me qëndrueshmërinë mendore dhe shëndetin e shkëlqyer, të cilat më parë i kisha marrë si të mirëqena.
Kërkova ndihmë nga një psikolog për ankthin tim. Punova me një reumatolog për mjekimet që duhej të merrja, si dhe përdora edhe kura popullore. Kurrë nuk hoqa dorë. Pas shumë vitesh dhe shumë agonie, shëndeti im u përmirësua fizikisht dhe mendërisht.
Më kujtohet një pasdite duke bërë ngjitje në mal dhe po kaloja pranë një deti lulesh livadhi drejt një liqeni malor. Me lotët që më rridhnin nëpër fytyrë, e falënderova Perëndinë për bekimin e trupit tim fizik dhe aftësinë time për t’u përfshirë në një veprimtari që e mendoja të humbur. Nuk ka kurim për gjendjen time dhe sëmundja ka pasur ndikim të dukshëm në trupin tim. Por ngjitja në mal dhe ushtrimet fizike janë bërë pasionet e mia dhe kurrë nuk e kam marrë shëndetin tim si të mirëqenë.
Pavarësisht nga kufizimet e mia fizike, kohët e fundit shërbeva me bashkëshortin tim në një mision si misionarë në moshë në Uashington, SHBA (që është një vend i shkëlqyer për ngjitje mali!) Jam mirënjohëse që kam shërbyer gjatë gjithë jetës sime në pothuajse çdo thirrje të mundshme në Kishë.
Siç tha Presidenti Nelson: “Qofshim gjithmonë mirënjohës për bekimin e jashtëzakonshëm të një trupi të madhërishëm fizik, krijimin suprem të Atit tonë të dashur Qiellor. Sado i shkëlqyer që është trupi ynë, ai nuk është një qëllim në vetvete. Ai është një pjesë thelbësore e planit të madhërishëm të Perëndisë për lumturinë drejt përparimit tonë të përjetshëm.”