Liahona
Nga Errësira në Lumturi
Korrik 2024


“Nga Errësira në Lumturi”, Liahona, korrik 2024.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Nga Errësira në Lumturi

Teksa i përsërita fjalët e ordinancave të tempullit në mendjen time, ndodhi diçka e mrekullueshme.

duar të bashkuara që qëndrojnë mbi një libër

Në vitin 1988, shkova me mësues të tjerë britanikë që të jepja mësim në një shkollë në Sudan. Fëmijët ishin të këndshëm dhe ne shpejt iu përshtatëm vështirësive të jetës në një vend në zhvillim. Gjithsesi, punëdhënësi ynë doli të ishte një udhëheqës despotik, i cili përndiqte këdo që mendohej se ishte në kundërshtim me të në çfarëdo mënyre. Ai më urreu që nga dita që mbrojta dikë që ai e kishte keqtrajtuar.

Një ditë më thirri në zyrën e tij. Për më shumë se gjysmë ore, iu nënshtrova të gjitha mënyrave të keqtrajtimit dhe kërcënimeve verbale. U largova nga dhoma në një gjendje të tronditur. Nuk më kujtohet se si ia dola deri në fund të ditës së shkollës. Tërë mbrëmjen nuk mund t’i hiqja nga mendja fjalët e tij të tmerrshme.

Para se të flija, u ula mbi shtrat dhe lexova shkrimet e shenjta. Më pas rashë në gjunjë dhe u luta plot zjarr për ngushëllim e lehtësim, por nuk ndjeva gjë. U futa në shtrat, por nuk mund të flija. U ngrita dy herë të tjera, lexova, rashë në gjunjë dhe u luta, por pa dobi.

“O, epo”, – mendova, – “Ati Qiellor nuk u përgjigjet gjithmonë lutjeve tona në mënyrën si dhe kohën kur dëshirojmë.” U dorëzova duke menduar se do të kaloja një natë të mjeruar dhe pa gjumë.

Por kur u shtriva përsëri, mendova: “Ka edhe një gjë tjetër që mund ta bëj”. Fillova të përsëritja në mendjen time fjalët e ordinancave të tempullit. Kur e bëra këtë gjë, ndodhi një mrekulli e mahnitshme. Tërë mjerimi dhe errësira u larguan prej meje dhe paqja e gëzimi më i mrekullueshëm vërshuan brenda meje dhe e mbushën tërë qenien time.

U ngrita në këmbë dhe u luta, duke i dhënë falënderime me lot në sy Atit Qiellor. Pastaj u ktheva sërish në shtrat dhe fjeta. E nesërmja, që duhej të kishte qenë plot frikë e mjerim, ishte dita më e lumtur që kam kaluar ndonjëherë në një klasë plot fëmijë.

E kuptova se Zoti kishte dashur që unë të përsiatja ordinancat e tempullit. Shenjtorëve që kapërcyen rrafshnaltat pasi morën bekimet e tyre në Tempullin e Navusë, Presidenti Brigam Jang (1801–1877) u tha: “Zjarri i besëlidhjes që bëtë në Shtëpinë e Zotit, le të digjet në zemrat tuaja, si një flakë e pashuar”. Kur besëlidhjet tona në tempull digjen në zemrat dhe mendjet tona, edhe ne do të gjejmë forcë, paqe dhe ngushëllim.