Liahona
Si Mund t’i Mirëbesoja Atit Qiellor kur Ndieja se po Qëndroja e Vetme?
Korrik 2024


“Si Mund t’i Mirëbesoja Atit Qiellor kur Ndieja se po Qëndroja e Vetme?”, Liahona, korrik 2024.

Të Rinjtë në Moshë Madhore

Si Mund t’i Mirëbesoja Atit Qiellor kur Ndieja se po Qëndroja e Vetme?

Po përpiqesha të kisha besim, por vazhdoja të përballesha me shumë sfida. Si mund të vazhdoja t’i mirëbesoja Zotit?

e re në moshë madhore e ulur dhe e zhytur në mendime

Ilustrimet nga Kathleen Petersen

Kushërinjtë më njohën me misionarët kur isha nëntë vjeçe. U bashkova me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, por isha e vetmja nga pjesëtarët e familjes sime më të afërt që e bëri këtë gjë. Që nga ajo kohë, kam mësuar ta dua ungjillin e Jezu Krishtit gjithnjë e më shumë. Sidoqoftë, për njëfarë kohe, mirëbesimi tek Ati Qiellor dhe të vërtetat e Tij ishte jashtëzakonisht i vështirë për mua dhe në të vërtetë hasa vështirësi që të vazhdoja përpara me besim.

Të jetuarit ndryshe nga bota si një dishepulle e Jezu Krishtit mund të jetë i vështirë kudo, por të rriteshe në Hong‑Kong si anëtare e Kishës ishte edhe më sfiduese nga sa mund ta priste dikush.

Një arsye është se shumë njerëz në këtë zonë nuk e pëlqejnë Kishën dhe mendojnë se ajo është e lidhur me gjëra të këqija. Një fjalë kineze e përdorur më përpara për “Mormon”, që i referohej Kishës, përfshinte një tingull që e lidhte atë me fjalën kineze për “djall”. Për disa njerëz, kjo krijoi një keqkuptim të pavend për vlerat e Kishës.

Gjithashtu, ngaqë ka kaq shumë fe të tjera tradicionale tashmë të themeluara dhe pak anëtarë të Kishës në Hong‑Kong, mund të jetë e lehtë të ndihesh e vetmuar apo e izoluar. Shumë njerëz e vënë në pikëpyetje Kishën, duke mos i kuptuar tërësisht mësimet e saj dhe duke mos qenë të gatshëm të mbajnë vesh për të dëgjuar atë që dëshirojnë të tregojnë anëtarët.

I ndjeva ndikimet e këtyre pengesave më së shumti kur isha adoleshente, por nëpërmjet atyre përvojave, mësova kaq shumë rreth asaj që do të thotë të kesh mirëbesim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

A ia Vlente ta Jetoje Ungjillin?

Në shkollë të mesme, prindërit e mi ishin miq me njërën nga mësueset e mia. Kjo mësuese ishte një e krishterë që shkonte në një kishë tjetër të krishterë. Në atë kohë, isha anëtarja e vetme e Kishës në klasën time dhe shumë nxënës të klasës dhe mësues tashmë kishin disa spekulime rreth Kishës së Jezu Krishtit dhe anëtarëve të saj.

Kjo mësuese në veçanti kishte opinione shumë të forta negative rreth besimit tim, gjë që i bëri gjërat më të ndërlikuara ngaqë ishte mikeshë e familjes.

Për shembull, shpesh ndihesha përgjumësh në klasën e saj ngaqë ngrihesha herët për të shkuar në seminarin herët në mëngjes, gjë që e bëri atë të shqetësohej se do të ngelesha prapa me detyrat e shkollës. Ajo gjithashtu më vinte në shënjestër dhe më sfidonte me shumë pyetje të ndërlikuara doktrinore që nuk dija se si t’u përgjigjesha. Madje më dha si detyrë shkollore që të lexoja literaturë kundër Kishës. U përpoq me gjithçka mundi që të mbushte mendjen që të largohesha nga besimi im.

Kjo ishte një kohë sfiduese për besimin tim. Përse të qëndruarit besnike, kur po përpiqesha të qëndroja pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, po më shkaktonte sfida dhe vështirësi në jetën time? A nuk supozohej që të bekohesha për zbatimin e urdhërimeve dhe sakrifikimin e gjumit për të shkuar në seminar?

Në vend të kësaj, notat e mia në shkollë po binin, besimi im po lëkundej dhe marrëdhëniet me mësuesit e mi, me familjen time dhe Atin Qiellor po vuanin.

Për njëfarë kohe fillova të pyes veten nëse ia vlente ta jetoja ungjillin. Fillova të mos shkoja në seminar dhe shpejt ndjeva që besimi im po zbehej. Dukej më e lehtë që thjesht t’u dorëzohesha gjërave që bota përreth meje po më shtynte të bëja.

Zgjedhja për të Mirëbesuar

Vazhdova t’i lutesha Atit Qiellor për udhërrëfim e kuptueshmëri. Pavarësisht nga pështjellimi dhe mërzitja e thellë që ndjeva rreth gjendjes sime, diçka në zemrën time vazhdonte të mbahej te besimi. Fola me miq besnikë dhe u tregova në mirëbesim bashkëmoshatarëve nga kisha rreth asaj që po përjetoja, dhe ata më nxitën që të flisja me mësuesen time të seminarit rreth vështirësive të mia.

Ajo u përgjigj me dhembshuri dhe më nxiti të vazhdoja ndjekjen e seminarit me një zemër plot shpresë. Më premtoi se do t’i shihja bekimet të shpaloseshin nëse vazhdoja të mbahesha te besimi dhe të mirëbesoja se Zoti kishte shumë bekime të ruajtura për mua dhe do t’i shenjtëronte sfidat e mia (shihni te 2 Nefi 2:1–2).

Prandaj, pavarësisht nga sfidat që po hasja, unë zgjodha të mirëbesoja.

e re në moshë madhore duke buzëqeshur

Pas ca kohe, e ndjeva se qëndrimi im po ndryshonte. Në vend që të përqendrohesha te vështirësitë që po hasja, u përqendrova te mirënjohja që ndieja për ungjillin. Fillova të përqendrohem te bekimi i familjes sime, tek identiteti im hyjnor dhe të vërtetat e përjetshme të ungjillit. Dhe përfundimisht, arrita te njohuria se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë të vetëdijshëm për rrethanat e mia dhe po qëndronin gjithmonë me mua në ato çaste kur ndihesha se po qëndroja shumë e vetmuar.

Kjo ndryshoi gjithçka.

Ndërsa vazhdova ta vija mirëbesimin tim tek Ata, t’i zbatoja urdhërimet, të pendohesha çdo ditë dhe të bëja gjëra të vogla çdo ditë për t’u lidhur me Ta, ndjeva që themeli im i besimit po thellohej e forcohej.

Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit tha: “Merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj vetjake për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Punoni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet. Ushqejeni me të vërtetën. Mos e ndotni me filozofitë e rreme të burrave dhe grave mosbesuese. Teksa e bëni forcimin e vazhdueshëm të dëshmisë suaj për Jezu Krishtin përparësinë tuaj më të lartë, vëzhgoni për mrekullitë që ndodhin në jetën tuaj.”

Dhe teksa e bëra këtë gjë, një mrekulli vërtet ndodhi.

Çfarë do të Thotë të Mirëbesosh te Zoti

Pasi iu shmanga çfarëdo bashkëbisedimi rreth besimit fetar me mësuesen time për ca kohë, një ditë kur ajo m’u afrua me disa pyetje, u ndjeva gati për t’iu përgjigjur atyre me besimin tim të ripërtërirë. Me mirësjellje e pyeta nëse kishte qenë ndonjëherë në njërën prej mbledhjeve të kishës sonë apo nëse kishte lexuar ndonjë gjë nga Libri i Mormonit. Kur tha jo, u ndjeva e frymëzuar të jepja dëshminë time për disa të vërteta të thjeshta.

I thashë se kurrë nuk mund ta dish nëse diçka është e vërtetë pa e përjetuar atë ose pa kërkuar vetë për përgjigje. I shpjegova se e dija që ungjilli ishte i vërtetë ngaqë kisha punuar për ato përgjigje dhe e ndieja në zemrën time se ishin të vërteta. E ftova të bënte të njëjtën gjë dhe që nga ajo kohë marrëdhënia jonë ishte shumë më tepër paqësore.

Kjo sfidë besimi që e pata si adoleshente, me të vërtetë më përgatiti për të ardhmen time si dishepulle e Krishtit. Kam parë kaq shumë bekime dhe premtime që të realizohen ndërkohë që kam vazhduar t’i mirëbesoj Zotit mbi opinionet e çdo njeriu tjetër. Sikurse tha Nefi: “O Zot, unë kam besuar te ti dhe unë do të besoj te ti përgjithmonë. Unë nuk do ta vë besimin tim në krahun prej mishi” (2 Nefi 4:34).

Kur gjërat nuk shkojnë siç u planifikuan ose kur përballemi me vështirësi që kurrë nuk i parashikuam, mund të jetë e lehtë që të ndihemi sikur Ati Qiellor na ka drejtuar në udhë të gabuar, na ka braktisur ose thjesht nuk tregon interes.

Por kjo nuk është e vërtetë.

Në fakt, është gjithmonë në ato kohë sfidash pështjelluese dhe zemërthyese që më vjen ndërmend se çfarë do të thotë ta vë tërësisht mirëbesimin tim te Zoti. Duhet t’i lejoj dishepullimin tim dhe besimin tim të bëhen domethënës dhe jetëndryshues në vend që të bëhen mekanikë dhe të rëndomtë. Presidenti Nelson gjithashtu dha mësim: “Besimi juaj në lulëzim do t’ju ndihmojë t’i ktheni sfidat në mundësi dhe rritje të pashembullta”.

Mund ta shoh se si zgjedhja për të besuar te Jezu Krishti më ka bekuar në më shumë mënyra sesa e mendoja ndonjëherë të mundur. Kjo nuk do të thotë që gjithmonë kam shpëtuar nga hidhërimi, vështirësitë apo pështjellimi, por do të thotë që e di se ku të drejtohem për paqe dhe qëndrueshmëri.

Presidenti Nelson plot dashuri na kujtoi: “Ju lutem, dijeni këtë: nëse do të dështojë çdo gjë dhe çdo njeri tjetër në botë tek i cili mirëbesoni, Jezu Krishti dhe Kisha e Tij kurrë nuk do t’ju lënë në baltë”.

Çfarëdo që po hasni në jetën tuaj, qofshin ato pritshmëri të paplotësuara, shtytje nga zërat e botës, probleme familjare, vështirësi me shëndetin mendor, paqëndrueshmëri financiare, zemërthyerje, padrejtësi apo ndonjë sfidë tjetër, do t’ju ftoja të vazhdoni ta vendosni mirëbesimin tuaj te Zoti. Ai është tërësisht në dijeni për rrethanat tuaja. Ai ju njeh. Ai ka bekime të mahnitshme të ruajtura për ju. Edhe në ato çaste kur nuk doni t’i mirëbesoni Atij, zgjidhni ta bëni këtë gjë gjithsesi. Premtimet e Tij janë të sigurta. Ai do t’ju udhëheqë drejt gëzimit, shpresës dhe mrekullive në kohën e duhur.

Ai e bën këtë për mua ndërsa vazhdoj të mirëbesoj tek Ai.