“Bashkëbisedime në Familje rreth Vetëvrasjes”, Liahona, korrik 2024.
Bashkëbisedime në Familje rreth Vetëvrasjes
Si prindër, ne dëshirojmë që t’i përgatitim fëmijët tanë për një prej rreziqeve të mundshme me të cilat mund të përballen ata. Edhe pse mund të jetë e sikletshme që të flisni për të, vetëvrasja është një nga ato rreziqe.
Jeta familjare është si një udhëtim me gomone nëpër një rrjedhë uji plot furi. Teksa familjet veshin jelekë shpëtimi dhe kaska, prindërit janë si udhërrëfyesit në lumë që kanë kaluar përmes kësaj udhe më parë. Fëmijët kanë nevojë që ne t’i paralajmërojmë për rrymat e forta ose shkëmbinjtë përpara tyre. Nëse më tutje në lumë do të kishte një ujëvarë shkatërruese, a do t’i paralajmëronim fëmijët tanë për të? A do t’i udhëzonim se si të vozitnin dhe ku të drejtoheshin që ta ndryshonin kursin e tyre, apo do të pritnim derisa të vareshin nga shkëmbi që t’i paralajmëronim?
Si prindër, ne mund të mos ndihemi rehat që të diskutojmë një temë aq të pakëndshme si vetëvrasja, por mund të ndihmojmë për t’i mbrojtur dhe përgatitur fëmijët tanë përpara se ata të kenë mendime të rrezikshme.
Prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët që të mësojnë të ripërtërihen emocionalisht dhe të dinë se ku mund të drejtohen kur kanë nevojë për ndihmë emocionale. Reina I. Aburto, ish‑Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, dha mësim se “kjo mund të përfshijë të qenit në dijeni për sëmundjet emocionale, gjetjen e burimeve që mund të na ndihmojnë t’i trajtojmë këto vështirësi, dhe, si përfundim, sjelljen e vetes dhe të të tjerëve te Krishti, i cili është Mësuesi Shërues”.
Një Çështje e Rëndësishme për ta Diskutuar
Disa vetëvrasje ndodhin pa asnjë paralajmërim të dukshëm. Për disa njerëz ka vetëm shenja që janë pak të kuptueshme, ose nganjëherë shenjat janë krejt të dallueshme. Nuk mund ta dimë me siguri se çfarë po mendojnë fëmijët tanë, prandaj nevojitet t’i përgatitim që në fëmijëri, në rast se mendimet për vetëvrasje e pushtojnë mendjen e tyre.
Motra Aburto pohoi: “Është e rëndësishme që të flasim rreth këtyre çështjeve me fëmijët, familjet dhe miqtë tanë në shtëpitë, lagjet dhe komunitetet tona”.
Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka dhënë mësim: “Secili prej nesh ka pjesëtarë të familjes, miq të shtrenjtë apo të njohur që kanë përjetuar mendime për vetëvrasjen, janë përpjekur të kryejnë vetëvrasje apo kanë kryer vetëvrasje. … Shumë lagje dhe kunje [dhe familje] marrin parasysh që të kenë diskutime rreth parandalimit të vetëvrasjes pasi dikush ka kryer vetëvrasje. Pyetja ime është, përse të presim? Pse nuk e bëjmë tani? Sepse dikush në lagje apo në kunj ka mendime për vetëvrasje.”
Disa vite më parë pas një tragjedie që ndodhi pranë zonës sonë, u ula së bashku me fëmijët e mi. U ndjeva e detyruar që t’u tregoja atyre se nëpërmjet Jezu Krishtit, ka gjithmonë një udhë për të shkuar përpara. Nuk ka asgjë që ata mund të bëjnë, ose që nuk arrijnë të bëjnë, që si përgjigje do të kishte vetëvrasjen. Në moshën e tyre të njomë, nuk kisha arsye të mendoja se ata ishin në rrezik, por e dija se kishte më shumë që mund ta bëja për t’i përgatitur fëmijët e mi se si të vepronin me mendime të rrezikshme, të mundshme për vetëvrasje.
Të Folurit për Vetëvrasjen e Parandalon Vetëvrasjen
Udhërrëfyesi burimor i Kishës për parandalimin e vetëvrasjes informon: “Të folurit rreth vetëvrasjes nuk do ta bëjë dikë më të prirur për të tentuar vetëvrasjen. Në fakt, të folurit haptazi rreth vetëvrasjes është një mënyrë e efektshme për të ndihmuar që të parandalohet vetëvrasja.”
Sipas Profesorit Xhon Akerman, drejtori klinik për parandalimin e vetëvrasjeve në Spitalin Kombëtar të Fëmijëve: “Krijimi i një hapësire të sigurt për të folur rreth vetëvrasjes mund ta shpëtojë jetën e një fëmije”. Në fakt ai shton: “Nëse një fëmijë po ndeshet me mendime për vetëvrasje, dijenia se një i rritur që tregon interesim, është i gatshëm të ketë një bashkëbisedim të çiltër, është shpesh një lehtësim”.
“Të folurit rreth vetëvrasjes në mënyra të përshtatshme, në fakt, ndihmon për ta parandaluar atë, në vend që ta nxitë”, – dha mësim Motra Aburto. Babai i saj vdiq nga vetëvrasja. Për shumë vite, ajo shmangu që të fliste rreth vdekjes së tij me familjen e saj. Sidoqoftë, që prej asaj kohe, ajo ka mësuar vlerën e të folurit rreth vetëvrasjes me ndershmëri e qartësi. “Tani kam diskutuar hapur në lidhje me vdekjen e tim eti me fëmijët e mi dhe e kam dëshmuar shërimin që mund të japë Shpëtimtari në të dyja anët e velit.”
Bashkëbisedimet e çiltra rreth vetëvrasjes mund t’i fuqizojnë fëmijët që të shkojnë te prindërit e tyre dhe njerëz të tjerë në moshë madhore të mirëbesuar, në vend që të përpiqen të lundrojnë të vetëm mes mendimeve për vetëvrasje, nëse ato mendime do të shfaqen ndonjëherë.
Fëmijë të vegjël që në moshën gjashtë ose shtatë vjeç, kanë raportuar mendime për vetëvrasje. “Dikur ishte që … terapistët, studiuesit dhe prindërit nuk besonin që fëmijë të vegjël nën moshën 10 ose 11 vjeç kishin mendime për vetëvrasje”, – thotë Dr. Akermani. “Ne e dimë se kjo në fakt nuk është e vërtetë.” Ai vë në dukje se edhe fëmijët e vegjël mund t’i lidhin idetë për vetëvrasje me ndjenjën se janë një barrë, kur ndiejnë një dhembje emocionale ose përjetojnë mungesë të shpresës.
Motra Aburto dha siguri: “Njohuria se si t’i dallojmë shenjat dhe simptomat te vetja dhe të tjerët mund të jetë e dobishme. Ne gjithashtu mund të mësojmë se si t’i zbulojmë modele të pasakta ose të pashëndetshme të të menduarit dhe se si t’i zëvendësojmë ato me më shumë mendime të kthjellëta dhe të shëndetshme.”
Vetëvrasja Është më e Shpeshtë nga sa Mund ta Mendojmë
Globalisht, një vdekje nga vetëvrasja ndodh gati çdo 40 sekonda dhe është shkaku i dytë kryesues i vdekjes në botë për njerëzit e moshave 15–24 vjeç. Në një studim të kohëve të fundit, të kryer mes mijëra adoleshentëve në Jutë të SHBA‑së, studiuesit shkencorë nga Universiteti “Brigam Jang” zbuluan se gati 12 përqind e rinisë shenjtore të ditëve të mëvonshme e kishte marrë parasysh seriozisht vetëvrasjen dhe 4 përqind kishte bërë një përpjekje për vetëvrasje.
Për kontekst, në një grup prej 25 adoleshentësh, 3 prej tyre, duke folur në mënyrë statistikore, e kanë marrë parasysh seriozisht vetëvrasjen dhe njëri prej tyre ka bërë një përpjekje për vetëvrasje.
Nëse mund t’i ndihmojmë fëmijët tanë që të gjejnë përkrahjen që iu nevojitet, përpara se të arrijnë pikën e krizës – kur idetë kthehen në plan – ne mund të jemi në gjendje t’i ndihmojmë që ta ndryshojnë kursin përpara se të jetë tepër vonë.
Ku të Filloni
Në moshë shumë të vogël, fëmijët mund të fillojnë t’i kuptojnë ndjenjat, por ne mund t’iu sigurojmë atyre fjalët se si t’i shprehin siç duhet ndjenjat e tyre. Hapi i parë mund të jetë që ta ndihmoni një fëmijë të vogël të ndërtojë fjalorin e vet emocional. Mund t’i mësojmë fëmijët që të kuptojnë ndryshimet midis të qenit të zemëruar, të trishtuar, të acaruar e kështu me radhë. Nëse fëmija mund ta shpjegojë atë që po ndien, ne mund të punojmë së bashku që nga kjo pikë. Në një mënyrë të përshtatshme për moshën, ne mund t’i diskutojmë ndjenjat e tyre të forta me fëmijët që nga mosha gjashtëvjeçare dhe t’i ndihmojmë që t’i përcaktojnë e trajtojnë këto ndjenja.
Këto bashkëbisedime të hershme gjithashtu do t’i ndihmojnë prindërit që të njihen më mirë me shkallën tipike të emocioneve të fëmijëve të tyre. Shumica e fëmijëve kalojnë ulje dhe ngritje në mirëqenien emocionale. Kjo është normale. Të pasurit e bashkëbisedimeve herët dhe shpesh me fëmijët e vegjël, mund t’u japë prindërve një termometër emocional që të dallojnë ndryshimet midis uljeve dhe ngritjeve tipike të fëmijërisë dhe ideve të rrezikshme.
Bashkëbisedimet parandaluese rreth vetëvrasjes janë si trajnime të tjera parandaluese që japin prindërit. Ne mund t’i përgatitim fëmijët dhe rininë për mundësinë e përjetimit të ideve për vetëvrasje në të njëjtën mënyrë se si mund t’i përgatitim për të ngarë një makinë dhe çfarë të bëjnë në rastin e një aksidenti. “Ne duam t’i përgatitim fëmijët tanë që të kuptojnë atë që mund të ndodhë emocionalisht dhe atë që mund të shohin te shokët e tyre”, – thotë Dr. Akermani.
Vazhdimi i Bashkëbisedimit
Ndërsa fëmijët rriten, ashtu piqen edhe bashkëbisedimet që kemi me ta. Mund të bëjmë pyetje që nuk marrin përgjigje ‘po’ ose ‘jo’, dhe më pas t’i lejojmë fëmijët që të përgjigjen haptazi. Nxitini fëmijët që të jenë të ndershëm për ndjenjat e tyre të vështira. Studimet shkencore tregojnë se trajtimi i emocioneve të vështira mund ta pakësojë intensitetin dhe kohëzgjatjen e tyre.
Nëpërmjet komunikimit të hapur rreth depresionit, vetëvrasjes ose ndjenjave të shkurajimit, fëmijët mësojnë se mund t’i shprehin mendimet e tyre të çiltra dhe se janë emocionalisht të sigurt me ne. “Ata gjithashtu marrin mesazhin e pagabueshëm se ju interesoheni thellësisht për ta dhe se lumturia dhe mirëqenia e tyre kanë rëndësi për ju”, – thotë një këshilluese e shëndetit mendor.
Dashuria dhe përkrahja jonë për fëmijët tanë mund të jenë modeli i dashurisë që ka Ati Qiellor për secilin prej nesh. “Ati juaj Qiellor ju do – secil[in] prej jush”, – dha mësim Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018). “Ajo dashuri nuk ndryshon kurrë. … Është atje për ju kur jeni të trishtuar ose të lumtur, pa kurajë ose plot shpresë. Dashuria e Perëndisë është atje për ju, pavarësisht nëse ju ndieni se e meritoni apo jo dashurinë. Është thjesht gjithmonë atje.”
Menjëherë pasi diskutova për vetëvrasjen me vetë fëmijët e mi, biri im nëntëvjeçar më pyeti nëse mund të fliste privatisht me mua. Ai më tregoi për raste kur kishte përfytyruar t’i jepte fund jetës së vet, së bashku me mënyrën se si do ta bënte atë. Kurrë nuk e kisha menduar se ai i kishte pasur këto mendime. E përqafova, e falënderova për trimërinë e tij që më tregoi, dhe i thashë se pavarësisht nga ajo që ai bëri ndonjëherë ose e mendoi ndonjëherë, ai ishte i çmuar dhe i nevojshëm në familjen tonë. Dhe u zotova ta vëzhgoja atë për ndonjë shenjë të mëtejshme të ideve për vetëvrasje ose të sëmundjes mendore.
Vetëvrasja Nuk Është Përgjigjja
Disa të rinj e të reja mund të mendojnë se vetëvrasja është mënyra e tyre e vetme për mungesën e shpresës që kanë. Presidenti Xhefri R. Holland, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na siguron: “Pavarësisht gabimeve të shumta që ndieni se keni bërë … , ose distancës nga shtëpia dhe familja dhe Perëndia që mendoni se jeni larguar, ju dëshmoj se nuk keni shkuar përtej shtrirjes së dashurisë hyjnore. Nuk është e mundur që ju të zhyteni më poshtë se[sa ku shkëlqen] drita e pafundme e Shlyerjes së Krishtit.”
Përveçse t’u flasim fëmijëve tanë të vegjël, ne mund t’i flasim rinisë sipas modelit të dhënë nga Presidenti Holland: “Ku[sh]do nga [ju] të rinjtë ose të rejat tona që po has[ni] vështirësi, cilatdo qofshin shqetësimet ose vështirësitë tuaja, vdekja nëpërmjet vetëvrasjes qartësisht nuk është përgjigjja. Ajo nuk do ta lehtësojë dhembjen që po ndieni, apo që mendoni se po shkaktoni. Në një botë që ka nevojë aq skajshëm për gjithë dritën e mundshme, ju lutemi, mos e pakësoni dritën e përjetshme që Perëndia e vendosi në shpirtin tuaj përpara se të ishte kjo botë. … Mos e shkatërroni një jetë për të cilën Krishti dha jetën e Tij që të ruhej. Ju mund t’i duroni vështirësitë e kësaj jete në vdekshmëri, sepse ne do t’ju ndihmojmë që t’i duroni ato. Jeni më të fortë nga ç’mendoni. Ndihma është në dispozicion, nga të tjerët dhe veçanërisht nga Perëndia. Ne ju duam, ju vlerësojmë dhe kemi nevojë për ju. Ne kemi nevojë për ju!”
Ju dhe bashkëshorti ose bashkëshortja juaj mund të diskutoni se kur është një kohë e mirë që të filloni të flisni për të, shumë përpara se të vijnë krizat, nëse vjen ndonjë krizë. Me lutje mund ta kërkoni Shpirtin që t’ju ndihmojë për udhërrëfim si për kohën ashtu edhe për fjalët në bashkëbisedimet me fëmijët tuaj.
Nuk jemi kurrë përgjegjës për zgjedhjen e dikujt tjetër që t’i japë fund jetës, por ka gjëra që mund t’i bëjmë për ta parandaluar atë. Siç dha mësim Presidenti Holland:
“Biri i Vetëmlindur i Perëndisë erdhi për të na dhënë jetë duke e mposhtur vdekjen.
Ne duhet të zotohemi tërësisht ndaj asaj dhurate të jetës dhe të vrapojmë në ndihmë të atyre që janë në rrezik të heqin dorë nga kjo dhuratë e shenjtë.”