Liahona
Mos e Humbisni Përvojën e një Misioni si Misionar në Moshë
Korrik 2024


“Mos e Humbisni Përvojën e një Misioni si Misionar në Moshë”, Liahona, korrik 2024.

Mplakja me Besnikëri

Mos e Humbisni Përvojën e një Misioni si Misionar në Moshë

Besëlidhjet tona na ftojnë t’i shërbejmë njëri‑tjetrit, të qëndrojmë si një dëshmitar i Perëndisë dhe t’i ngushëllojmë njerëzit që kanë nevojë për ngushëllim. Shërbimi si misionar në moshë është një mënyrë për t’i plotësuar këto ftesa, për ta bekuar vetë jetën tonë dhe jetën e njerëzve të cilëve u shërbejmë.

çift në moshë duke nxituar që të hipin në avion

Ka 34 000 misionarë në moshë që po shërbejnë në misione kohëplota ose në misione shërbimi pikërisht tani, të cilët, sikurse bashkëpunëtorët e tyre më të rinj në moshë, po gjejnë shumë gëzim në këtë rrugëtim. Beqarët dhe çiftet mund të shërbejnë si misionarë në moshë në një larmi caktimesh.

Dhe nevojat janë domethënëse. Në konferencën e përgjithshme të tetorit 2023, Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i nxiti anëtarët më të mëdhenj në moshë që të marrin parasysh një mision për misionarët në moshë. Ai pyeti: “‘Çfarë po bëni në këtë fazë të jetës suaj?’ Ka kaq shumë mënyra se si misionarët në moshë mund të bëjnë atë që askush tjetër nuk mundet. Ju jeni një forcë e jashtëzakonshme për mirë, me përvojë në Kishë dhe e përgatitur për t’u dhënë kurajë dhe për t’i shpëtuar fëmijët e Perëndisë.”

Duke shpjeguar se si thirren misionarët në moshë, Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Mundësitë për misionarë[t në] mosh[ë] janë të larmishme dhe pa fund. Thirrjet e tyre për të shërbyer bëhen zyrtarisht pas shqyrtimit me lutje që i bëhet përvojës së tyre [të punësimit], përvojës [së] gjuhë[s] dhe aftësive personale. Nga të gjitha kualifikimet për të shërbyer[,] dëshira për të shërbyer mund të jetë [kualifikimi] më [i] rëndësish[ëm].” Ai gjithashtu i përshkroi kontributet e misionarëve në moshë si “të pazëvendësueshme”.

“Disa misionarë në moshë punojnë në zyrën e misionit ose me UBJ–Pathway ose me nisma humanitare që kanë një strukturë të përcaktuar mirë”, – vuri në dukje një misionar në moshë. “Ne vetë kemi shërbyer në disa lloje misionesh të tilla. Prandaj ishim disi të pasigurt kur u thirrëm në një mision PAU (përkrahja e anëtarëve dhe udhëheqësve). Pasi e filluam, me të vërtetë na pëlqeu fleksibiliteti dhe krijimtaria që lloji i misionit na dha për të vizituar anëtarët dhe për të forcuar degët vendore.”

Një motër në moshë që shërben në një qendër vizitorësh, tha: “Kur ndërroi jetë burri im, nuk isha e sigurt se çfarë të bëja me kohën time. Tani kam gjëra për të bërë, vende për të shkuar, njerëz për t’i takuar. Kam njerëz që varen nga unë.”

“Nuk ka nevojë që të jesh i shqetësuar nëse nuk shërbeve ndërkohë që ishe më i ri”, – vërejti një motër pasi u kthye në shtëpi nga misioni i saj si misionare në moshë. “Ai është një rol i ri për çdo njeri. Ne të gjithë mësuam së bashku që të mbështetemi te Zoti si edhe te njëri‑tjetri dhe zbuluam se ‘nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen’ [Alma 37:6].”

Bekimet për Misionarët

Misionet e misionarëve në moshë ndryshojnë po ashtu si ndryshojnë misionarët në moshë. Ka nga të gjitha llojet, secili me sfidat, gëzimet dhe dobitë e veta personale. Por ka disa gjëra të përbashkëta për çfarëdolloj misioni të misionarëve në moshë: studim domethënës të shkrimeve të shenjta, lutje të shpeshta dhe të zellshme, përfshirje në shërbim, udhërrëfim të vazhdueshëm nga Fryma e Shenjtë dhe një mundësi të pashoqe për të sjellë ndryshim.

“Nuk jam ndier kurrë më pranë Zotit sesa kur po shërbenim si misionarë në moshë”, – tha një misionar në moshë. “E dija se disa gjëra ishin jashtë kontrollit tim, veçanërisht në shtëpinë tonë, me fëmijët dhe nipërit e mbesat. Prandaj i lashë gjërat në duart e Zotit. Dhe Ai e bekoi familjen tonë. Nuk ishim kurrë më pranë nipërve e mbesave tona sesa kur takoheshim me ta çdo javë në platformën Zoom. Folëm për gjëra që ata kurrë nuk do të kishin pasur interes më parë. Ndërkohë që kjo nuk i ndodh çdo njeriu, në rastin tonë, një bir u kthye sërish në kishë ndërkohë që ne shërbenim, dhe një bir tjetër u rimartua dhe më vonë u vulos në tempull.”

Një tjetër misionar në moshë tha: “Studimi ynë i përditshëm vetjak dhe në dyshe i shkrimeve të shenjta u bë më domethënës, sepse po kërkonim mënyra se si t’i vinim në jetë shkrimet e shenjta, jo thjesht t’i lexonim ato. Nuk po përpiqesha thjesht për ‘sasinë’, siç e kisha bërë nganjëherë në të shkuarën. Në shërbimin tonë dukej se isha duke iu referuar vazhdimisht një shkrimi të shenjtë që e lexova atë ditë ose atë javë, prandaj fillova të prisja që t’i përdorja shkrimet e shenjta që i kisha lexuar kohët e fundit gjatë çdo dite. Isha më pak pasiv në studimin tim të shkrimeve të shenjta, duke pritur që do t’i referohesha diçkaje që e kisha lexuar gjatë ditës.”

“Shërbimi në një mision më ka dhënë një arsye të re për jetën”, – tha një motër misionare në moshë. “Më dha një qëllim domethënës, një gjallëri të re për të jetuar dhe diçka që ta bëja përtej lojës së golfit ose përkujdesjes për nipërit dhe mbesat e mia.”

“Shërbimi është një kalim me dy drejtime”, – tha një misionar tjetër në moshë. “Kur mendonim – disi me mendjemadhësi – se sa shumë po bënim për të tjerët, nuk patëm shumë sukses. Por kur e kuptuam se sa shumë po mësonim dhe po rriteshim vetë, jo vetëm që ndryshuam ne, por edhe të tjerët dukeshin më të interesuar në atë që po thoshim e bënim. Për veprimet tona merrnim shumë më tepër bekime nga sa prisnim.”

Marrëdhënie më të Forta

Kur njerëzit shërbejnë si misionarë në moshë, ata zhvillojnë marrëdhënie të thella që zgjatin një jetë të tërë. Shumë njerëz afrohen ngushtësisht me njerëzit të cilëve u shërbejnë. Ata gjithashtu kultivojnë marrëdhënie të forta me misionarë të tjerë dhe udhëheqës vendorë. “Ne krijuam miqësi me misionarë të rinj në moshë, me çifte të tjera dhe me njerëz që nuk do t’i kishim takuar kurrë nëse do të kishim qëndruar në shtëpi”, – tha një misionar në moshë. “Ende i mbajmë lidhjet me njëri‑tjetrin. Në një kohë kur mendova se çdo ditë do të ishte e njëjta gjë, vajtja në një mision na dha një nisje të re dhe miq të rinj me të cilët ta ndanim rrugëtimin.”

Misionet e misionarëve në moshë mund t’i ndihmojnë çiftet që po ashtu t’i forcojnë martesat e tyre. Kur njerëzit dalin në pension ose e pakësojnë kohën e të punuarit, çiftet mund të zbulojnë se kanë nevojë që të rishikojnë së bashku një qëllim të përbashkët meqë mund të mos jenë më duke rritur fëmijë në shtëpinë e tyre. Ata gjithashtu mund të jenë mësuar që të jenë në fushat e tyre me oraret e tyre. Plakja ose dalja në pension mund ta ndryshojë këtë gjë. Nisja së bashku e një përvoje të re, të përbashkët, qoftë duke shërbyer nga shtëpia ose në një mision kohëplotë për misionarët në moshë, mund të ndihmojë për të krijuar një qëllim të ri për pjesëtarët e një çifti dhe për ta forcuar mbështetjen e tyre te njëri‑tjetri.

“Ka një thënie të vjetër se me daljen në pension ‘merr gjysmën e rrogës dhe dyfishin e kohës me burrin nga ç’e merrje më parë’”, – tha një motër duke qeshur. “Shërbimi në një mision në një vend larg nga shtëpia na lejoi që të flisnim gjerë e gjatë për këto sfida në mënyra që kurrë nuk do të kishim folur para misionit tonë. Pasi bashkëshorti im doli në pension, thjesht zienim brenda vetes kur kishim ndonjë konflikt. Tani, në vend që të shkojë secili në punën e vet dhe ta shpërfillim njëri‑tjetrin, ne nuk duam që të kemi ndikim negativ në punën e Zotit, prandaj flasim gjerë e gjatë për gjërat që na shqetësojnë.”

“Bashkëshortja ime dhe unë kemi filluar të flasim çdo natë rreth mëshirave të dhembshura që i patëm çdo ditë, ndërkohë që po shërbenim në misionin tonë”, – tha një misionar në moshë. “Jo vetëm që na ndihmoi të përqendroheshim më shumë tek ajo që ndodhi dhe më pak te vetja jonë, por gjithashtu na dha mundësi për të parë mirësi kudo përreth nesh, edhe kur pjesë të ditës nuk kishin shkuar mirë.”

“Dhe ngaqë ishte gjëja e fundit që bënim çdo natë”, – shtoi bashkëshortja e tij, – “ne shkonim në shtrat me më pak stres dhe më të kënaqur nga sa kishim shkuar për vite të tëra. Madje më ndihmoi të flija më mirë!”

Bekimet për Ata të Cilëve u Shërbejnë

Jeta ka uljet dhe ngritjet e veta, ditët e veta të mira dhe ditët e këqija. Po ashtu i kanë dhe misionet. Por shërbimi ndaj Zotit ka shumë shpërblime të brendshme, jo vetëm pasi mbaron misioni, por edhe gjatë misionit. Ashtu si kushëriri i saj, Mardokeu, i tha Esterit: “Kush e di nëse është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në pozitë mbretërore?” (Esterit 4:14; theksimi i shtuar.) Duke e kthyer vështrimin pas në shërbimin e tyre, shumë misionarë në moshë e kanë ndier se u caktuan në një detyrë ose në një zonë ku ishin të kualifikuar në mënyrë të pashoqe për të përmbushur një nevojë të caktuar.

Unë vetë përjetova të mirën e fuqishme që mund të bëjë një çift misionarësh në moshë kur jetova në Luizianë të SHBA-së. Menjëherë pasi u thirra të shërbeja në këshillin e lartë të Kunjit të Nju‑Orlinsit në Luizianë, m’u caktua t’i jepja përkrahje Degës së Port‑Sulfurit. Kishte vetëm pak vëllezër aktivë të priftërisë në degë. Shumica e pozicioneve të mësimdhënies dhe udhëheqjes ishin të mbushura me gra bashkëshortët e të cilave nuk ishin anëtarë. Me raste, misionarë në moshë ose udhëheqës të kunjit i ishin caktuar degës, por patën sukses të kufizuar për t’i ndihmuar këto familje pjesërisht anëtare.

Më pas një çift në moshë nga Uajomi i SHBA‑së, u caktua t’i jepte përkrahje degës. Ata kishin qenë fermerë për shumë vite dhe kishin punuar në një fabrikë vendore për prodhimin e djathit pranë shtëpisë së tyre. Për shkak të përvojave të tyre në punë dhe jetë, ata u lidhën me lehtësi me shumë njerëz në Port‑Sulfur, të cilët punonin në industrinë e naftës. Çifti në moshë shpenzoi shumë kohë duke ndërtuar marrëdhënie me familjet pjesërisht anëtare në degë dhe duke u dhënë shërbesë atyre. Për shkak të shërbimit dhe dashurisë së tyre, gjatë kohës së tyre në Port‑Sulfur, dega u forcua dhe u bekua në mënyrë të pashoqe nëpërmjet shërbimit të tyre besnik. Disa burra nga këto familje pjesërisht anëtare u bashkuan me Kishën, duke i forcuar kuorumin e pleqve dhe degën.

Misionarët në moshë bekojnë jetët – jetën e tyre vetjake si edhe jetën e të tjerëve. Mos i humbisni mundësitë e mrekullueshme që të shërbeni e të rriteni!

Shënime

  1. Ronald A. Rasband, “Sa i Madh do të Jetë Gëzimi Juaj”, Liahona, nëntor 2023, f. 53–54.

  2. Rasëll M. Nelson, “Misionarët e Moshuar dhe Ungjilli”, Liahona, nëntor 2004, f. 81; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2004, f. 117.

  3. Rasëll M. Nelson, “Predikimi i Ungjillit të Paqes”, Liahona, maj 2022, f. 7.

  4. “Gëzim. Shpresë. Fuqi mbështetëse nga Perëndia. Mbrojtje nga tundimi. Shërim. Të gjitha këto – dhe më shumë (përfshirë faljen e mëkateve) – pikojnë mbi ne nga qielli ndërsa e përhapim ungjillin” (Markus B. Nash, “Mbajeni Lart Dritën Tuaj”, Liahona, nëntor 2021, f. 72).