Liahona
Falja
Korrik 2024


Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Falja

Kur Shpëtimtari jetoi në tokë, Ai u dha dashuri njerëzve duke u shërbyer atyre. Ai iu dha atyre urtësi e dije duke u dhënë mësim rreth planit të Atit Qiellor për lumturinë. Ai i ftoi të gjithë të vinin tek Ai, duke thënë: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje”. Po kjo ftesë qëndron ende dhe i bëhet secilit prej nesh, që ne të mund të arrijmë ta njohim Atë dhe të bëhemi pak më shumë si Ai.

Jezu Krishti është shembulli i përsosur i faljes për ne. Ai u mësoi dishepujve të Tij sa herë duhej ta falnin vëllanë e tyre nëse i vëllai vazhdonte të gabonte: “[Jo] … deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë”. Kjo nënkupton falje të vazhdueshme. Krishti na mësoi që t’i lutemi Atit tonë Qiellor: “Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë”. Shembulli themelor i aftësisë së Shpëtimtarit për të falur, ishte lutja e Tij ndaj Perëndisë, kur Ai u kryqëzua dhe tha: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”.

“Të falësh është një tipar hyjnor. Ai është ta ndjesh ose shfajësosh dikë nga faji për një kundërvajtje ose keqbërje. Shkrimet e shenjta i referohen faljes në dy mënyra. Zoti na urdhëron të pendohemi për mëkatet tona dhe të kërkojmë faljen e Tij. Ai gjithashtu na urdhëron t’i falim ata që na fyejnë ose lëndojnë.” Krishti na mësoi: “Falni dhe do të jeni të falur”. “Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit.”

Ne u lindëm në botë për të marrë një trup fizik që na mundëson të mësojmë, të rritemi dhe të zhvillohemi. Ne përjetojmë kundërshti dhe kemi lirinë për të zgjedhur, që është në përputhje me planin e Atit Qiellor. Megjithëse bëjmë më të mirën tonë, ne të gjithë bëjmë gabime, mëkatojmë, gabojmë dhe bëjmë zgjedhje të gabuara. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, mund të marrim falje për mëkatet tona nëpërmjet pendimit të sinqertë dhe të plotë, që përfshin një zemër të thyer, një shpirt të penduar dhe ndjesinë e një keqardhjeje të perëndishme.

“Për faljen kërkohet të pendohemi për mëkatet tona dhe në të njëjtën kohë ta rritim e forcojmë besimin tonë te Jezu Krishti. Teksa pendohemi dhe vijmë tek Ai, jemi në udhën drejt faljes.”

Plaku Nil L. Andersen ka dhënë mësim: “Ne duhet të mbajmë mend, sidoqoftë, që dhurata hyjnore e faljes nuk mund të fitohet kurrë; ajo mundet vetëm të merret. Po, duhet të zbatohen urdhërimet dhe të merren ordinancat për të marrë falje, por përpjekja vetjake, sado e madhe, zbehet në krahasim me koston e shëlbimit. Në fakt, nuk ka krahasim. Falja është një dhuratë dhe i Vetmi që mund ta japë dhuratën, është Shëlbuesi dhe Shpëtimtari i botës, Jezu Krishti. Ai ua ofron me gatishmëri dhuratën e Tij të paçmuar të gjithë atyre që i drejtohen Atij për ta marrë.”

Proklamata mbi Familjen na kujton se një nga parimet e rëndësishme të një jete të lumtur është falja, pavarësisht se sa njerëz i përkasin familjes sonë: “Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht. Martesat dhe familjet e suksesshme ngrihen dhe ruhen me parimet e besimit, lutjes, pendimit, faljes, respektit, dashurisë, dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese.”

Presidenti Nelson na paraqiti një kërkesë: “Thirrja ime sot, të dashur vëllezër e motra, është t’u jepni fund konflikteve që po ziejnë në zemrën tuaj, në shtëpinë tuaj dhe në jetën tuaj. … E përsërit thirrjen time për t’u dhënë fund konflikteve në jetën tuaj. Ushtroni përulësinë, guximin dhe forcën që duhet edhe për të falur, edhe për të kërkuar falje. Shpëtimtari ka premtuar se ‘në qoftë se [ne] ua fal[im] njerëzve gabimet e tyre, Ati [ynë] qiellor do [të na] falë edhe [ne]’.” “Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato.”

Në të njëjtën mënyrë, ne duhet të falim dhe t’i harrojmë padrejtësitë që përjetojmë. Falja është një nga dhuratat më të mëdha që na ka dhënë Ati ynë Qiellor. Nëpërmjet veprës shlyese të Jezu Krishtit, ne mund të marrim mrekullinë e gëzueshme të faljes, duke përjetuar një ndryshim të madh të zemrës, duke u bërë “një shenjtor …, si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri”, duke ndier paqe e siguri dhe duke marrë ngushëllim e forcë për të vazhduar me gëzim në shtegun e besëlidhjeve.

Kjo është arsyeja pse “ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”.

Notes

  1. Mateu 11:28.

  2. Shihni te Mateu 18:21–22.

  3. Lluka 11:4 (shihni edhe vargjet 1–3).

  4. Lluka 23:34.

  5. Tema dhe Pyetje: Forgiveness [Falja], https://www.churchofjesuschrist.org/study/manual/gospel-topics/forgiveness?lang=eng#p3

  6. Lluka 6:37.

  7. Doktrina e Besëlidhje 64:10.

  8. Shihni te Neil L. Andersen, The Divine Gift of Forgiveness, f. 146.

  9. Neil L. Andersen, “The Gift of Forgiveness”, Liahona, shkurt 2021, f. 11.

  10. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, https://www.churchofjesuschrist.org/study/scriptures/the-family-a-proclamation-to-the-world/the-family-a-proclamation-to-the-world?lang=alb

  11. Rasëll M. Nelson, “Fuqia e Hovit Shpirtëror”, Liahona, maj 2022, f. 97, 100.

  12. Doktrina e Besëlidhje 58:42.

  13. Shihni te Mosia 5:2.

  14. Mosia 3:19.

  15. 2 Nefi 25:26.