Liahona
Udhëtimi i të Rinjve dhe të Rejave në Tempullin e Romës
Korrik 2024


Udhëtimi i të Rinjve dhe të Rejave në Tempullin e Romës

Në datën 27 nëntor 2023, më shumë se 45 anëtarë nga e gjithë Shqipëria patën mundësinë të vizitojnë Tempullin e Romës duke kryer ordinanca jo vetëm për veten, por edhe për familjarët e tyre. Udhëtimi i tyre përfundoi me sukses më 2 dhjetor 2023. Në këtë udhëtim kishte një mbizotërim të moshave të reja dhe udhëtimi u organizua në formën e një Konference për ta. Anëtarët dhe anëtaret në moshë të re shprehen se ky do të mbetet një udhëtim i paharrueshëm për ta. Duket se anëtarët janë ndier të lumtur në praninë e njëri-tjetrit. Përveç pagëzimeve dhe ordinancave të ndryshme për shpirtrat përtej velit, tre prej të rinjve e të rejave mundën të merrnin dhurimin e tyre. Përgatitjet e anëtarëve kanë qenë padyshim rigoroze, por edhe të zellshme.

Të gjithë anëtarët shprehën mirënjohje të thellë për këtë mundësi, por edhe për organizatorët e kësaj Konference të cilët ishin Motra dhe Vëllai Kotëll, Motra dhe Vëllai Manuering, Motra dhe Vëllai Alushaj, si edhe Presidenti Erald Veliu. Të rinjtë e të rejat patën mundësinë të dëgjojnë biseda dhe këshilla tepër të vlefshme nga Presidenti Veliu, Motra e Vëllai Alushaj dhe nga Motra e Vëllai Toronto. Presidenti Veliu i këshilloi të rinjtë e të rejat që të shpenzojnë më shumë kohë duke studiuar Librin e Mormonit, sepse në të gjenden këshilla dhe të vërteta të përjetshme, të cilat e kanë ndihmuar shumë në jetën e tij. Nga ana tjetër, Motra dhe Vëllai Toronto u shfaqën të gëzuar për pjesëmarrjen e të rinjve dhe të rejave në këtë konferencë, duke i nxitur ata që të ecin në shtegun e ngushtë të besëlidhjeve, të cilat ne i bëjmë me Atin tonë Qiellor. Më poshtë do të lexojmë përvojat e mrekullueshme të dy motrave që morën dhurimin e tyre për herë të parë në këtë udhëtim të paharrueshëm për to.

Përvoja e Klaudia Mushit (anëtare e Degës së Gjirokastrës).

“Ishte gusht 2023 kur në telefonin tim mbërriti një njoftim, ku shkruhej se në datën 27 nëntor 2023 do të zhvillohej një konferencë për të rinjtë dhe të rejat në Tempullin e Romës. Të shkuarit në Tempull deri në ato momente kishte qenë një ëndërr e mbetur në sirtar. E lumtur vrapova drejt prindërve për t’i bindur ata. Sigurisht ata nuk mundën t’i rezistonin gëzimit që panë në sytë e mi, dhe më lejuan të jem pjesë e udhëtimit. Isha e sigurt që Ati po përmbushte atë mundësi që tashmë e kisha pritur prej një viti. Në të njëjtën kohë isha e vetëdijshme që të shkuarit në shtëpinë e Tij kërkon përkushtim dhe disiplinë. Pa humbur kohë fillova të fokusohem më shumë tek Ati dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Teksa ditët kalonin me studimin e Librit të Mormonit, klasat përgatitore, revistat për të rinj dhe lutjet gjithë frymëzim, fillova të krijoj një lidhje më të afërt me Perëndinë. Në shpirt më buronte një dëshirë e zjarrtë për të kryer të gjitha ordinancat që bëheshin në Tempull, përfshirë edhe dhurimin tim personal.

Momenti i shumëpritur erdhi. Kur pashë tempullin nga afër, m’u duk sikur vetë parajsa kishte zbritur në tokë. Ajo që ndjeva, ishte një lloj qetësie shpirtërore, të cilën nuk e dija që ekzistonte më parë. Kur hyra brenda, ndjesia m’u duk më e prekshme se kurrë. Gjithçka përreth ishte me detaje të cilat nuk m’i kishte kapur ndonjëherë syri, por përsëri arrita të ndiej që kisha një përkatësi në këtë vend. Çfarë kënaqësie ishte për mua të shihja punonjësit e Tempullit të kryenin ordinancat gjithë zell! Drita e tyre e ndriçoi edhe më shumë zemrën time. Pasi u vesha me fustanin e tempullit, e vëzhgova veten për disa minuta përpara pasqyrës dhe u ndjeva plotësisht si një fëmijë i Perëndisë. Ditën e parë arrita të kryej disa ordinanca nistore për shpirtrat përtej velit. E dija që ata shpirtra ishin shumë mirënjohës dhe kjo më emocionoi shumë. Ditën tjetër mora dhurimin, dhuratën që Zoti kishte përgatitur për mua. U ndjeva e bekuar që munda të mësoj më tepër rreth planit të Atit dhe qëllimeve të Tij. Sa shumë dashuri ka Ai për ne! Sa me detaje kujdeset Ai për mirëqenien tonë! Mikesha ime Selma ishte në të njëjtin sesion për të marrë dhurimin e saj. Fryma e Shenjtë u ndje edhe më shumë kur u përqafuam në fund të ordinancës. E dija që ky ishte një konfirmim që Ati dhe Jezu Krishti ishin krenarë për ne. Përveç dhurimit tim, arrita të kryej disa nistore, pagëzime, vulosje dhe sigurisht dhurime për shpirtrat e tjerë. Nga ana tjetër, aktivitetet dhe hareja e Konferencës nuk munguan asnjë ditë. Takova njerëz të mrekullueshëm dhe krijova miqësi me shumë prej të rinjve dhe të rejave. Çdokush e bënte punën e tij me pasion, të gjithë ne ishim vegla në duart e Perëndisë. Nuk doja që e gjithë kjo të mbaronte.

Tani që jam kthyer nga tempulli, më merr shumë malli për të. Mësimet që kam nxjerrë prej tij, mbartin një vlerë të përjetshme. Kam vënë re shumë ndryshime te vetja. Besëlidhjet që kam bërë atje, më kanë shërbyer si një urë lidhëse për të komunikuar me Jezu Krishtin më shumë se më parë. Ai nuk është vetëm Shpëtimtari, por edhe miku im më i mirë. Dashuria që Ai dhe Ati kanë për mua, ka shërbyer si një nga shembujt më të mirë në jetën time për t’i dashur njerëzit për atë që janë dhe jo për t’i ndryshuar. Diçka tjetër që dua të ndaj me ju, është se nuk ka nevojë të jeni të përsosur për t’u ndier të pranuar. Perëndia na krijoi në një mënyrë që gjithsecili prej nesh të jetë unik. Mos e gjykoni veten edhe kur jeni duke kaluar një situatë të pakëndshme, Zoti ua jep sfidat më të vështira luftëtarëve të Tij më të mirë. Me anë të Tij, ju mund të tejkaloni çdo vështirësi.”

Përvoja e Selma Kolës (anëtare e Lagjes së Dytë, Tiranë).

“Unë e kam marrë dhurimin tim në datë 28 nëntor 2023, në Tempullin e Romës, Itali. Ajo çfarë më mbeti në mendje si përvojë, ishte që në krahasim me herën e parë që kam shkuar në tempull në vitin 2019, këtë herë ndjeva se kisha bërë më shumë zhvillim për të përballuar shpirtërisht më shumë dhomat më të larta, edhe pse në mënyrë jo të përsosur. Por përsëri ndihem mirënjohëse që Zoti më përgatiti këto vite që ta vizitoj përsëri Atë dhe ta takoj brenda në tempull. Gjatë kohës së përgatitjes sime për të marrë dhurimin, qëllimi im kryesor ka qenë që të shkoj në tempull për të takuar Zotin dhe për të folur me Të. Dhe besoj se ky duhet të jetë qëllimi kryesor për secilin nga ne. Sigurisht që askush nuk e ka parë Perëndinë, por nëse ne armatosemi përditë me aftësi të perëndishme nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ne do të mund ta përballojmë praninë e Zotit, në atë formë se si mund ta arsyetojë Ai të përshtatshme të na shfaqet neve. Unë e dëshmoj fort që ne anëtarët e Kishës së Krishtit kemi aftësinë për të parë mrekulli të vogla, të padukshme, me anë të syve shpirtërorë, por thelbësore për të na forcuar dëshminë dhe për të ndier dashurinë që Perëndia ka për ne.

Muaj më vonë, ndërsa një të diel po reflektoja në rrugën e kthimit nga kisha për në shtëpi, vura re se zbulesa që mora kur Presidenti De Feo na dha një mësim në konferencën e misionit një muaj përpara se të merrja dhurimin, ajo ditë e forcoi më shumë atë zbulesë dhe më informoi më tepër me dëshmi shtesë. Ndërsa unë komunikoja me Presidentin De Feo, ai e krijoi situatën në atë mënyrë që të mos ishte ai që më përgjigjej, por unë t‘i përgjigjesha vetë pyetjes sime. Dhe kështu ndodhi! Deri diku, isha nxitur siç duhet se Perëndia po kërkonte për një kohë të gjatë që unë të bëja një besëlidhje me Të.

Një fije shumë e hollë e ndan përulësinë nga krenaria. Ai fill i hollë është bashkësia e të gjitha gjërave që duhet të bëjmë në mënyrën më të thjeshtë, dhe e parimeve bazë thelbësore për të ushqyer sa duhet shpirtin dhe për të mbajtur gjallë dëshminë. Zoti është mjeshtri i gjërave të thjeshta, ndërsa Satani është mjeshtër i gjërave komplekse. Nuk është gjithmonë e rëndësishme të marrësh zbulesa vazhdimisht, ose të kesh gjithmonë një pyetje, ose të kesh prirje për t‘u thelluar në doktrina të thella, sepse vetëm kështu jemi më afër Perëndisë. Ndonjëherë është e nevojshme thjesht të bëjmë pushim, të mos flasim fare dhe thjesht të bëjmë, të vazhdojmë të bëjmë dhe të mësojmë se si ta jetojmë ungjillin më mirë.

Ne kemi aftësinë hyjnore për të bërë gjithçka. Dhe tani jemi në stadin ku e dimë këtë. Por Perëndisë nuk i intereson aspak kjo pjesë e të bërit në sasi të gjërave, përpara cilësisë së asaj që po bën. Dhe kjo përforcon zbulesën time të parë që mora kur isha vetëm adoleshente, se nuk është se Zoti nuk më beson se unë mund të bëj disa gjëra, por pikërisht sepse Ai e di që unë mund t‘i bëj ato, Ai rezervon kohën që më mëson të bëj gjërat sipas mënyrës së Tij, madje edhe më mirë sesa mënyra ime. Të gjitha këto filluan me nxitjen që duhet të bëja një besëlidhje me Zotin, muaj përpara se të bëhesha një misionare. U pasua me mësimdhënien e Presidentit De Feo në Konferencën e Misionit. Më pas pata përjetimin e dhurimit në tempull. Dhe së fundmi, jam bekuar me dëshmi shtesë përtej kuptimit të dhurimit, nga ku kuptova që ajo nxitje që Zoti më kërkoi për të bërë një besëlidhje, në fakt ka qenë për besëlidhjen në tempull për të marrë dhurimin, e cila me të vërtetë ishte shumë më lart çdo besëlidhjeje që kisha planifikuar dhe zgjedhur të bëja me Atin.

Unë dëshmoj se e kam parë Perëndinë kur të tjerët më kanë dashur dhe kur unë i kam dashur të tjerët. E kam parë sepse vetëm nëpërmjet kësaj mënyre, Ai ka banuar në mua. Për mua është dëshmi kaq e fortë se sa i mëshirshëm është Ati për të na lënë vend që ta takojmë dhe të bisedojmë me Të, njëlloj sikur fizikisht ta kishim përballë. Unë dëshmoj që dhe kur nuk kemi asgjë për të ofruar, por veç zemrën dhe mendjen, pikërisht ato rrethana aq përulëse janë më specifiket. Le të jemi dhurues jo vetëm në tempull, po njëlloj si ky i fundit në familjet tona, shtëpitë tona, miqësitë tona, komunitetet tona. Ungjilli ka të bëjë me të dhuruarin më tepër sesa me të përftuarin. Dhe ndërsa e bëjmë këtë, pra jo vetëm zemra e mëndja, por që e gjithë qenia jonë të jetë një sakrificë e gjallë për Zotin, aty shoqëruesi ynë i vazhdueshëm e i përjetshëm do të marrë frerët e jetës sonë, mendja jonë do të jetë e kontrolluar prej Tij.”