Konferenca e Vogël e të Rinjve dhe të Rejave në Elbasan
“Ejani më Pranë Jezu Krishtit” ishte tema e konferencës së vogël të të rinjve dhe të rejave në moshë madhore beqare që u mbajt më 10-11 shkurt 2024 në godinën kishtare në Elbasan. Të ftuar ishin të rinjtë e të rejat nga Kunji Tiranë, Shqipëri; Distrikti i Elbasanit dhe Misioni i Shqipërisë, Tiranë.
Një nga të rejat pjesëmarrëse në këtë aktivitet, Bajame Topalli, tregoi përvojën e saj në këtë aktivitet duke thënë: “Aktiviteti në Elbasan, ishte një përvojë shumë e veçantë për mua. Më pëlqyen shumë organizimi, orët mësimore dhe mesazhet që u treguan. Mesazhi që mora, ose që më tërhoqi më shumë, ishte fakti që çdo ndjenjë është reale. Dhimbja, tundimi, vështirësitë janë reale. Satani është armiku i drejtësisë. Pavarësisht çdo gjëje reale, duke ditur se kush është Satani, më duhet të kujtoj gjithmonë Perëndinë dhe bekimet që kam marrë. Ajo që unë jam përpjekur të bëj gjatë kësaj kohe që nga aktiviteti, është që po përpiqem të bëj gjëra që të mos e harroj dashurinë e Perëndisë dhe të tregoj dashurinë që kam për Të. Po dëgjoj këngë që më sjellin shpirtin dhe më ndihmojnë që të largohem nga tundimi. Po përpiqem t’i përmirësoj studimet e mia edhe lutjet.”
Gjatë kësaj konference, të rinjtë e të rejat u përfshinë në një aktivitet shërbimi të organizuar nga çifti humanitar Ellsuorth që po shërben aktualisht në Shqipëri. Në ketë aktivitet shërbimi të rinjtë e të rejat zbukuruan letra, të cilat do të bashkëngjiteshin te disa pako, që do t’u dhuroheshin nënave dhe fëmijëve të dhunuar.
Të ftuar të veçantë të kësaj konference të vogël ishin Pako Serrano dhe Davide Lotito, udhëheqës në Zonë për mbështetjen te vetja. Ata u mësuan të rinjve e të rejave rreth programit të mbështetjes te vetja. Lume Çermeli tha në lidhje me këtë orë mësimore: “Tek kjo konferencë e vogël mësuam më shumë për programin e mbështetjes te vetja dhe se cilat janë disa gjëra që janë vetëm tokësore, por na ndihmojnë të arrijmë gjëra të përjetshme dhe se cilat janë disa gjëra të tjera që janë të përjetshme. Më ndihmoi të kuptoj se cilat gjëra kanë më shumë rëndësi në këtë jetë dhe çfarë na ndihmon ne që t’i arrijmë ato gjëra të përjetshme përmes gjërave të përkohshme këtu në tokë.” Ndërsa Everaldo Qose tha për këtë orë mësimore: “Diçka që më pëlqeu, ishte trajnimi mbi mbështetjen te vetja edhe se të qenit shenjtorë të Atit do të sjellë bekime të përjetshme për mbështetjen tonë te vetja. Diçka që do të bëj, është që do të marr pjesë në kursin e mbështetjes te vetja.”
Të ftuar të tjerë në këtë konferencë ishin dhe Plaku e Motra Smith, të cilët shërbejnë si drejtuesit e çifteve misionare që punojnë me të rinjtë e të rejat në moshë madhore.
Në paraqitjen e tyre, Plaku dhe Motra Smith thanë: “Çita është një grabitqar që në mënyrë natyrale gjurmon kafshë të tjera. Gjithë ditën, çdo ditë, çita është grabitqare. Satani është armiku i drejtësisë dhe i atyre që kërkojnë të bëjnë vullnetin e Perëndisë. Gjithë ditën, çdo ditë, qëllimi i tij i vetëm është t’i bëjë të mjerë djemtë dhe vajzat ashtu si ai.”
Lume Çermeli tha në lidhje me këtë orë mësimore: “Më pëlqeu shumë mësimi nga Motra dhe Plaku Smith të cilët folën për pemën e jetës dhe se si ne duhet të mbahemi fort te shufra e hekurit në mënyrë që të hamë atë frutë, e cila është më e dëshirueshme se çdo gjë tjetër. Gjithashtu më bëri përshtypje diçka që tha Plaku Smith, që Perëndia e njeh personalisht secilin prej nesh dhe Ai i di pikat tona të forta dhe dobësitë tona, por nuk duhet të harrojmë që Satani na njeh gjithashtu në mënyrë të përsosur dhe ai i di pikat tona të forta dhe dobësitë tona ndaj duhet të jemi të kujdesshëm, pasi ai do përpiqet të na tundojë pikërisht te dobësitë tona në mënyrë që ne të biem pre e tundimeve të tij.”
Në përfundim, këshilla e profetit tonë të dashur, është pikërisht ajo që secili prej nesh ka nevojë për të mbijetuar shpirtërisht dhe për të bëre zgjedhje të duhura në jetën tonë. “Kur ju zgjateni për [ta marrë] fuqinë e Zotit në jetën tuaj me të njëjtin intensitet që ka një njeri që po mbytet, kur kapet dhe gulçon për ajër, fuqi nga Jezu Krishti do të jenë tuajat. Kur Shpëtimtari e di se ju me të vërtetë doni të zgjateni drejt Tij – kur Ai mund ta ndiejë se dëshira më e madhe e zemrës suaj është që ta merrni fuqinë e Tij në jetën tuaj – ju do të udhëhiqeni nga Fryma e Shenjtë për të ditur saktësisht atë që duhet të bëni.”