Miku
Një Premtim Pagëzimi
Maj 2024


“Një Premtim Pagëzimi”, Miku, maj 2024, f. 8–9.

Një Premtim Pagëzimi

“Pse dëshiron të pagëzohesh?” – pyeti babi.

Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.

“Babi, a mund të pagëzohem kur të jem tetë vjeç?” – pyeti Kitoni.

Babi ngriti sytë nga loja që po bënin. “Është një zgjedhje e madhe. A nuk do të ishte më mirë që të presësh derisa të jesh 18 vjeç?”

Kitoni u mendua për këtë. “Por jam pothuajse 8 vjeç tani. Dhe 18 vjeç është kaq larg!”

Babi qëndroi në heshtje për një çast. Bëri lëvizjen e radhës në lojë. “Pse dëshiron të pagëzohesh?”

“E dua Jezusin” – tha Kitoni. “Dhe dua ta ndjek Atë.”

“Kjo është një arsye e shkëlqyer për t’u pagëzuar” – tha babi. Ai buzëqeshi. “Do të të përkrah nëse kjo është ajo që zgjedh. Qofsh tetë apo 18 vjeç.”

Kitoni i hodhi krahët rreth babit. “Faleminderit!”

Babi nuk ishte anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Por ai prapëseprapë shkonte në kishë me Kitonin dhe mamin nganjëherë. Kur Kitoni jepte biseda apo këndonte me fëmijë të tjerë të Fillores në mbledhjen e sakramentit, babi gjithmonë vinte.

Pasi e përfunduan lojën, Kitoni e gjeti mamin në kuzhinë.

“Babi tha se mund të pagëzohem kur të jem tetë vjeç” – tha ai.

Mami vuri buzën në gaz. “Kjo është kaq emocionuese! A e ke menduar se kush dëshiron të të pagëzojë?”

Kitoni vendosi pjatat në tryezë. “A mendon se mund ta bëjë gjyshi?” Gjyshi dhe gjyshja po shërbenin në mision në një qytet tjetër.

“Mund t’i pyesim” – tha mami.

Pas darkës, Kitoni e mori në telefon me kamera gjyshin dhe gjyshen me telefonin e mamit. Pas disa zileve, fytyrat e tyre të qeshura e mbushën ekranin.

“Ç’kemi, gjyshe! Ç’kemi, gjyshi!” – tha Kitoni. “A e gjeni çfarë? Do të pagëzohem për ditëlindjen time këtë vit.”

“Kjo është e mrekullueshme!” – tha gjyshja.

“Gjyshi, a do të më pagëzosh ti?” – pyeti Kitoni.

Gjyshi buzëqeshi edhe më shumë. “Do të më pëlqente shumë!”

Kur erdhi dita e pagëzimit, Kitoni ishte gati. Mami dhe babi e çuan me makinë te godina e vogël kishtare pranë vendit ku gjyshi dhe gjyshja po shërbenin në misionin e tyre.

Kitoni dhe gjyshi ishin veshur me rroba të bardha. U ulën së bashku ndërkohë që të gjithë këndonin. Pastaj mami tha një lutje.

Më pas babi dha një bisedë. “Kur pagëzohesh, ti premton ta ndjekësh Jezu Krishtin dhe t’i zbatosh urdhërimet e Tij. Ai na mësoi ta duam njëri-tjetrin. Dashuria është mënyra më e mirë për të jetuar” – tha ai.

Kitoni pa fotografinë e Jezusit që po mbante babi.

“Kur i duam të tjerët, kjo i bën ata të ndiejnë se dikush përkujdeset për ta. Kjo na ndihmon gjithashtu të jemi të lumtur dhe të kemi paqe.” Babi pa drejt e nga Kitoni. “Jam krenar për ty sot që po premton ta ndjekësh Jezu Krishtin. Shpresoj që pagëzimi yt të të kujtojë përherë t’i duash Perëndinë dhe të tjerët.”

Kitoni e përqafoi fort babin. Pastaj e ndoqi gjyshin në vaskën e vogël. Kitoni e vendosi një dorë te krahu i gjyshit dhe tjetrën te dora e gjyshit. Gjyshi tha fjalët për lutjen e pagëzimit. Pastaj e ndihmoi Kitonin që të futej në ujë.

Kur Kitoni doli nga uji, ai buzëqeshi. U pagëzua! Ai e kishte ndjekur Jezu Krishtin. Shpejt, ai gjithashtu do të konfirmohej dhe do të merrte dhuratën e Frymës së Shenjtë. Më pas ai do të ishte anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Kitoni ishte kaq i emocionuar ta mbante premtimin e tij për ta kujtuar Jezusin dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij.

Pamja
Burrë i moshuar duke pagëzuar një djalë
Pamja
Historia në formatin PDF

Ilustrimi nga Alyssa Tallent

Shtyp në Letër