“E Pastër Përsëri”, Miku, maj 2024, f. 18–19.
E Pastër Përsëri
“Nuk munda ta zgjidhja të drejtën as për një ditë!” – mendoi Emilia.
Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.
Emilia qëndronte në ujë me babin dhe buzëqeshte. E kishte pritur këtë ditë për javë të tëra! Zemra po i rrihte fort ngaqë nuk ishte zhytur ndonjëherë më parë nën ujë. Por ishte aq e lumtur që do të pagëzohej ashtu siç bëri Jezu Krishti.
I mbylli sytë dhe e dëgjoi babin të thoshte lutjen e pagëzimit. Më pas ajo e zuri hundën me dorë, i mbylli sytë dhe i përkuli gjunjët teksa babi e zhyti nën ujë.
Babi e nxori shpejt nga uji dhe ajo kullonte e tëra. Emilisë iu desh të fshinte sytë, por ishte duke buzëqeshur. Tani ndihej ndryshe. E pushtoi një ndjenjë e re dhe e lumtur. Donte që të vazhdonte të ndihej ashtu përherë!
Babi e përqafoi fort. E di se si të vazhdoj ta ruaj këtë ndjenjë, – mendoi Emilia. Gjithçka që më duhet të bëj është të zgjedh të drejtën dhe të jem si Jezu Krishti. U ndje e sigurt se mund ta bënte këtë gjë.
Kur mbërritën në shtëpi, Emilia shkoi me vrap nga makina te dera e shtëpisë. Po kështu bëri edhe vëllai i saj katërvjeçar, Xhona. Sapo Emilia arriti te dera dhe filloi ta hapte atë, Xhona ia kapi fundin dhe e tërhoqi fort.
“Mos!” – bërtiti Emilia. Ajo e tërhoqi fundin nga duart e tij. Pastaj ia bllokoi rrugën kështu që ai nuk mund të hynte brenda i pari. Sa e zemëruar u ndje!
Befas ajo ngriu. Një ndjenjë e tmerrshme e pushtoi. Bëri mënjanë dhe e la Xhonën që të vraponte brenda.
“Më fal!” – thirri ajo pas tij. Sapo kishte bërë një zgjedhje të gabuar. Shpëtimtari nuk do t’i kishte bërtitur Xhonës. Si mundi ta prishte punën që tani? Ndjenja e saj e re e lumturisë tashmë ishte zhdukur.
“E prisha” – mendoi ajo. “Nuk munda ta zgjidhja të drejtën as për një ditë!”
Të nesërmen ishte e diel. Teksa Emilia u bë gati për kishë, ajo mendoi për mënyrën se si i kishte bërtitur Xhonës. Ende ndihej tmerrësisht keq.
Gjatë mbledhjes së sakramentit, peshkopi i kërkoi Emilisë që të dilte përpara. Ajo do të konfirmohej. Kjo do të thoshte se do të merrte dhuratën e Frymës së Shenjtë. U ul në karrige. Babi i vuri duart me butësi mbi kokën e saj.
Emilia i mbylli sytë ndërkohë që babi filloi. Ajo e dëgjoi të thoshte fjalët: “Merre Frymën e Shenjtë”.
Emilia vazhdoi të dëgjonte.
“Emili, mbaj mend gjithmonë se për shkak të Jezu Krishtit, ti mund të pendohesh kur bën një zgjedhje të gabuar” – tha babi. “Sa herë që merr sakramentin, ti mund të mendosh për besëlidhjen që bëre kur u pagëzove. Ti mund të premtosh sërish që ta ndjekësh Atë.”
Kur babi e përfundoi bekimin, Emilia u ndje e lumtur dhe plot paqe. Ajo e dinte se Fryma e Shenjtë po i tregonte se gjithçka do të ishte në rregull. Ishte në rregull që ajo nuk ishte e përsosur. Për shkak të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij, ajo mund të pendohej dhe të merrte falje. Asaj i vinte keq që i kishte bërtitur Xhonës dhe Ati Qiellor e dinte se ajo do të vazhdonte të përpiqej.
Emilia vuri buzën në gaz teksa ajo dhe babi u kthyen te karriget e tyre. Më pas erdhi sakramenti dhe Emilia mezi po priste për të.