“Miqësi nga Loja e Shahut”, Miku, maj 2024, f. 14–15.
Miqësi nga Loja e Shahut
Si mund të luanin nëse nuk mund ta kuptonin njëri‑tjetrin?
Kjo ngjarje ndodhi në Gjermani.
“Rrezëllim ka sot në shpirtin tim!” – këndoi Matvi. Mami dhe vëllai i tij, Timofi, kënduan me të. Ishte errësirë jashtë dritares së makinës. Por kënga ndihmoi që gjithçka të dukej më e shndritshme.
Ishte një kohë e frikshme për Matvin dhe familjen e tij. Ata po shpërnguleshin në Gjermani ngaqë shtëpia e tyre nuk ishte më e sigurt. Kishin udhëtuar dy ditë rresht dhe tani pothuajse kishin mbërritur. Një peshkop këtu në Gjermani po i çonte me makinë te një vend ku të qëndronin.
Matvi ishte i lumtur që Ati Qiellor i ndihmoi të mbërrinin të sigurt në Gjermani. Por e merrte malli për babin. Atij iu desh të qëndronte prapa në atdheun e tyre për shkak të luftës. Matvi shqetësohej shumë për të.
Peshkopi e parkoi makinën jashtë një shtëpie. “Mirë se erdhët në shtëpinë time!”
Matvi mori çantën dhe hyri brenda me familjen e vet. Ishte qetësi. Familja e peshkopit duhej të kishte shkuar për të fjetur tashmë.
“Mund të qëndroni në dhomat e Matsit dhe të Loresë ndërkohë që jeni këtu” – tha peshkopi.
“Prit” – tha mami. “Nuk kanë pse të na i lënë ne dhomat e tyre.”
Peshkopi buzëqeshi. “Ata janë të lumtur ta bëjnë këtë. Duam që ju të ndiheni rehat.”
Mami tundi kokën. “Faleminderit.”
Në mëngjes Matvi dhe Timofi shkuan në kuzhinë për të ngrënë mëngjes. Peshkopi ishte ulur në tavolinë me një djalë dhe vajzë. Ata nuk dukeshin më të mëdhenj se Matvi.
“Këta janë fëmijët e mi, Matsi dhe Loreja” – tha peshkopi.
“Gëzohemi që ju takojmë” – tha Timofi.
Matsi dhe Loreja u dukën pak të pështjelluar.
“Ata nuk e flasin gjuhën tënde” – tha peshkopi. “Por jam i sigurt se do të bëheni miq të mirë.”
Matvi rrudhi vetullat. Si mund të ishin miq nëse nuk mund të flisnin me njëri‑tjetrin? Iu duk sikur ishte zhdukur drita e diellit për të cilën kishte kënduar një natë më parë.
Pasi hëngrën, Matsi dhe Loreja u treguan atyre dhomën e lojërave. Dy fëmijë më të vegjël po luanin me disa lodra. Matvi hamendësoi se ata ishin motra dhe vëllai më i vogël i Matsit dhe Loresë.
Matsi tha diçka. Dukej si pyetje, por Matvi nuk e dinte se çfarë tha ai. Matsi u ul dhe hapi një kuti letrash. I shkartisi në tufa. Pastaj ai dhe Loreja morën letrat e tyre. Matvi donte të luante. Por nuk dinte se si.
Matsi hodhi një letër dhe vështroi Matvin. Ai tha sërish diçka.
Matvi donte të qante. Ai nuk donte të jetonte në Gjermani nëse nuk mund të kuptonte askënd.
Loreja i tha diçka Matsit, pastaj vrapoi për te dollapi. U kthye dhe vuri një lojë të re në dysheme.
Matvi e dinte këtë lojë. Copat prej druri dukeshin si ato që kishte në shtëpi. Ishte shah! Ai kishte luajtur shah me babin për orë të tëra. Matvi pohoi me kokë i lumtur. Ai dinte se si ta luante këtë lojë.
Loreja buzëqeshi fort dhe filloi të vendoste gurët.
Matvi e lëvizi ushtarin e vet dy katrorë dhe vështroi se si Loreja lëvizi kalin e saj. Pastaj Matvi lëvizi oficerin e tij drejt kalit të Loresë. Ai dhe Timofi brohoritën. Loreja nxori një tingull mërzitjeje, por po buzëqeshte.
Luajtën për një kohë të gjatë. Shpejt ata po qeshnin. Nuk i kuptonin fjalët e njëri‑tjetrit, por prapë u argëtuan.
Gjatë javëve të ardhshme, ata gjetën lojëra të tjera që i dinin të gjithë. Luajtën futboll jashtë me fëmijë të tjerë gjermanë. Matvi mësoi edhe ca fjalë në gjermanisht. Ndonjëherë bënte gabime, por vazhdoi të përpiqej.
Matvin ende e merrte malli për babin e vet dhe shtëpinë e tij. Por ishte mirënjohës që Ati Qiellor e kishte ndihmuar të zinte miq të rinj.