“Dashamirësi në Pushimin e Drekës”, Miku, maj 2024, f. 36–37.
Dashamirësi në Pushimin e Drekës
A do të talleshin djemtë e tjerë edhe me të?
Kjo ngjarje ndodhi në Filipine.
Dejvi e dëgjoi mamin të trokiste në derën e dhomës së tij të gjumit. Ishte koha për t’u ngritur. Doli ngadalë nga shtrati dhe lau fytyrën. Pastaj shkoi te mami, babi dhe motrat e vëllezërit e tij në dhomën e ndenjjes.
“Mirëmëngjes” – tha mami. Dejvi buzëqeshi përgjumësh. Familja u gjunjëzua dhe babi bëri një lutje për të nisur ditën.
“Dua të tregoj për një shkrim të shenjtë fantastik këtë mëngjes” – tha mami. Ajo hapi Librin e Mormonit. “Ky është Moroni 7:45. ‘Dhe dashuria hyjnore është e duruar dhe është e mirë.’”
Dejvi mendoi rreth shkrimit të shenjtë teksa u bë gati për shkollë. Përpara se të dilte nga pragu i derës, ai bëri një lutje. “Të lutem më ndihmo të jem i mirë sot” – u lut ai.
Në klasë Dejvi u ndje i lumtur teksa bënte detyrat e shkollës. Ai dëgjoi me vëmendje kur mësuese Frida u dha për të mësuar se si shkruheshin disa fjalë të reja.
Shpejt erdhi koha e drekës. Dejvi bleu disa patate të ëmbla, të karamelizuara dhe një lëng të ftohtë. U ul me miqtë e tij dhe filloi të bisedonte.
Shpejt dëgjoi disa fëmijë në tavolinën ngjitur. Dy djem po talleshin me një djalë që ishte nxënës i ri në shkollë, me emrin Hoze. Hozeja ishte i vogël në trup për moshën e tij, por ishte i sjellshëm me të tjerët dhe punonte fort në klasë. Djemtë e tjerë kishin ushqim me vete për drekë, po Hozeja nuk kishte.
“Pse je kaq trupvogël? Nuk ke ushqim në shtëpi?” – e pyeti Antonio.
Dejvi u kthye nga djemtë pikërisht në kohë për ta parë Hoakinin ta merrte çantën e Hozesë dhe t’ia hidhte Antonios. Hozeja vrapoi pas Antonios për të marrë sërish gjërat e veta.
“Të lutem, ma jep çantën” – tha Hozeja.
Por Antonio dhe Hoakini nuk ia vunë veshin. “Çanta jote është kaq e vjetër dhe e shëmtuar!” – tha Hoakini.
Dejvi i dëgjoi të gjitha këto fjalë të këqija, por ishte në ankth a duhej ta ndihmonte Hozenë. Çfarë do të mendonin fëmijët e tjerë? A do të talleshin Antonio dhe Hoakini edhe me të?
Pastaj ai mendoi për shkrimin e shenjtë që mami lexoi atë mëngjes. Dashuria hyjnore është e mirë. Jezu Krishti do të donte që ai të ishte i mirë. Ishte gjëja e duhur për të bërë.
Dejvi u ngrit dhe u përball me djemtë e tjerë. “Boll u tallët me Hozenë. Ju lutem, kthejani çantën.”
“Çfarë halli ke?” – pyeti Hoakini.
“Pse po silleni kaq keq me Hozenë? Ai nuk bëri asgjë të gabuar”, – tha Dejvi. Pastaj mori frymë thellë. “Jezusi na do të gjithëve dhe Ai do që të jemi të mirë. Ju lutem, boll u tallët me Hozenë. Bullizmi është i gabuar. Nëse vazhdoni ta bëni, do shkoj t’i them mësueses Fridës.”
Antonio e uli vështrimin drejt këpucëve të tij. Ia ktheu çantën Hozesë. “Më fal” – foli mbyturazi ai. Ai dhe Hoakini u kthyen te karriget e tyre.
“Faleminderit” – tha Hozeja.
Dejvi i rrahu shpatullat Hozesë. “Tani jemi shokë.”
Hozeja buzëqeshi.
Në shtëpi, Dejvi i tregoi familjes se çfarë kishte ndodhur.
“Nuk ishte e lehtë, por bëre gjënë e duhur” – tha babi.
“Jam krenare që ti ishe i mirë” – tha mami.
Të nesërmen, teksa mami po e ndihmonte të mbështillte ushqimin e drekës, Dejvi e pyeti: “A mund të bësh dy sanduiçe?”
“Pse? Aq i uritur je?” – e pyeti mami.
Dejvi qeshi. “Jo, por dje vura re që Hozeja nuk kishte ushqim. Dua t’i jap një sanduiç atij.”
“Kjo është një ide e mrekullueshme!” Mami mori prapë bukë dhe Dejvi bëri një sanduiç tjetër.
Në pushimin e drekës Dejvi dhe Hozeja u ulën dhe i hëngrën sanduiçet e tyre së bashku. U desh guxim për t’i ndaluar fëmijët e tjerë që të mos e bullizonin Hozenë. Por Dejvi e donte shokun e tij të ri dhe e dinte se Ati Qiellor ishte i lumtur që ai kishte zgjedhur të ishte i mirë.