“Shkrimi i Shenjtë Rrëzëllitës i Majës”, Miku, nëntor 2024, f. 14–15.
Shkrimi i Shenjtë Rrëzëllitës i Majës
“Nuk e di nëse kam një shkrim të shenjtë të parapëlqyer”, – tha Maja.
Kjo histori ndodhi në Slloveni.
Maja u ul në shkallët e shtëpisë së saj dhe e mbështeti mjekrën te duart. Dielli po shkëlqente fort, ku rrezet e ngrohta të dritës kalonin përmes pemëve të larta. Ajri mbante erën e halave të freskëta të pishave.
Mami doli jashtë dhe u ul pranë Majës. “Për çfarë po mendon?”
“Më duhet të tregoj shkrimin tim të shenjtë të parapëlqyer në Fillore”, – tha Maja. “Nuk kam një shkrim të shenjtë të parapëlqyer. Nuk di se cilin të zgjedh.”
Mami pohoi me kokë. “Zgjedhja e një shkrimi të shenjtë të parapëlqyer është e vështirë.” Ajo hodhi vështrimin nga pemët, pastaj u ngrit në këmbë. “Kam një ide.”
Mami u fut brenda në shtëpi. Kur doli jashtë, ajo po mbante në dorë shkrimet e saj të shenjta. “Le ta fillojmë me një histori. Cila është historia jote e parapëlqyer nga shkrimet e shenjta?”
Maja u mendua për këtë. “Më pëlqen kur Jezusi vizitoi nefitët.”
Mami i kaloi me të shpejtë faqet e Librit të Mormonit. “Kjo histori fillon te 3 Nefi.” Ajo e tregoi me gisht faqen. “Le të lexojmë me radhë dhe të zgjedhim vargjet që na pëlqejnë.”
Maja tundi kokën dhe dëgjonte ndërkohë që mami lexonte. Ajo lexoi rreth Jezu Krishtit kur i thirri dishepujt e Tij. Lexoi rreth paqebërësve dhe lutjes.
Më pas ishte radha e Majës. Kur e mbaroi njërin nga vargjet, ajo ndaloi. Ndjeu sikur dielli po shkëlqente aq fort sa t’ia mbushte zemrën.
Ajo i ngriti sytë drejt mamit. “Më pëlqen ky varg.”
“Edhe mua. Çfarë të pëlqen tek ai?” – pyeti mami.
Maja mblodhi supet ndërkohë që një buzëqeshje iu përhap në fytyrë. “Është rreth Jezusit. Dhe thjesht më bën të ndihem e lumtur.”
Mami ia ktheu buzëqeshjen. “Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të ditur se ke gjetur një shkrim të shenjtë të parapëlqyer. A dëshiron ta lexosh atë në Fillore?”
Maja pohoi me kokë e gëzuar. “A do të më ndihmosh që ta mësoj?”
“Patjetër!” – tha mami.
Mami dhe Maja u ushtruan me fjalët një e nga një. Ndërsa punonin, zogjtë cicëronin nëpër pemë, sikur po mësonin edhe ata.
Gjithë javën, Maja vazhdoi të ushtrohej me shkrimin e saj të shenjtë të ri dhe të parapëlqyer. Të dielën në mëngjes ishte pak nervoze. Gjatë udhëtimit të gjatë me makinë për në kishë, ajo u ushtrua se si ta thoshte shkrimin e saj të shenjtë.
Kishte vetëm disa fëmijë në Filloren e Majës. Por teksa u fut në klasë, Maja ndjeu sikur po i mblidhej një lëmsh në stomak.
Kur ishte radha e saj që të fliste, Maja u ngrit në këmbë dhe mori frymë thellë. “Vini re, unë jam ligji dhe drita”, – tha ajo. “Shikoni tek unë dhe duroni deri në fund, dhe do të jetoni; pasi atij që duron deri në fund, unë do t’i jap jetën e përjetshme.”
Kur Maja mbaroi, ajo u ul dhe buzëqeshi. Ia doli mbanë! Lëmshi në stomak i ishte zhdukur dhe ndjenja e ngrohtë, rrëzëllitëse iu kthye. E dinte se shkrimi i saj i shenjtë i parapëlqyer do ta sillte atë ndjenjë sa herë që t’i nevojitej.