“Album Im me Skica të Tempujve”, Miku, nëntor 2024, f. 16–17.
Shkruar nga Ti
Album Im me Skica të Tempujve
Përshëndetje!
Unë quhem Brejdën dhe jetoj në Jutë të SHBA‑së.
Do të të tregoj për një synim që e caktova kur isha 10 vjeç.
Gjithçka filloi me një udhëtim për të vizituar gjyshin dhe gjyshen time. Gjyshi dhe gjyshja kishin libra për tempujt në dhomën e tyre të ndenjjes dhe më pëlqente shumë t’i shihja fotografitë. Vendosa që doja të krijoja bllokun tim vetjak për tempujt. Caktova një synim afatgjatë për t’i vizatuar të gjithë tempujt.
Vendosa të vizatoja tempullin tim të parë. Mora një laps, pashë një fotografi në internet dhe vizatova Tempullin e Seint‑Xhorxhit në Jutë. Më pas vizatova Tempullin e Loganit në Jutë dhe Tempullin e Mantit në Jutë. Mami më sugjeroi të përdorja një fletore të madhe vizatimi për tempujt e mi. Tani, një vit e gjysmë më vonë, jam te tempulli numër 81, Tempulli i Rinos në Nevadë. Kam edhe 105 tempuj për të skicuar!
Ka raste kur dua të heq dorë nga tempulli që po vizatoj. Kur kjo ndodh, më pëlqen të them një lutje dhe t’i kërkoj Atit Qiellor që të më ndihmojë për pjesët e vështira.
Diçka e bukur rreth këtij synimi është mënyra se si i ka ndihmuar tre vëllezërit e mi më të vegjël që ta duan më shumë tempullin. Vëllai im i vogël, Kejdi, vizaton tempujt që do t’i vizitojë një ditë, dhe vëllezërit e mi të tjerë vizatojnë tempuj për mësuesit dhe shokët.
Synimi im më ka ndihmuar që të zbuloj edhe disa prej gjërave të tjera që më interesojnë. Më pëlqen shumë të projektoj. Verën e kaluar fillova të krijoja modele tempulli 3D, dhe shpresoj të bëhem arkitekt kur të rritem.
Ky synim më ka ndihmuar të ndihem më pranë Atit Qiellor dhe Jezusit. Kurdoherë që vizatoj një tempull, e ndiej Shpirtin. E di se tempujt janë shtëpitë e Perëndisë. Kohët e fundit, kam mundur të hyj në Tempullin e Pejsonit në Jutë dhe në tempuj të tjerë. E ndiej Shpirtin kaq fort kur bëj pagëzime në tempull.
Sa herë që shoh një tempull, më ndihmon të jem më i fortë në zgjedhjen e së drejtës.