2024
Lutja për Alehandron
Nëntor 2024


“Lutja për Alehandron”, Miku, nëntor 2024, f. 32–33.

Lutja për Alehandron

“A e di Jezusi se çfarë ndien kur ke kancer?” – pyeti Gerardo.

Kjo ngjarje ndodhi në Salvador.

Gerardo shkoi me patina drejt shkallëve përpara shtëpisë së tij. Makina e mamasë ishte te rrugica e parkimit para garazhit. Kjo do të thoshte se ajo dhe vëllai i tij më i madh, Alehandro, ishin kthyer nga mjeku. Gerardo i hoqi patinat dhe vrapoi brenda.

“Gerardo?” – thirri mamaja. “Jemi këtu.”

Gerardo hyri në dhomën e ndenjjes. Alehandro ishte i shtrirë në divan. Mamaja ishte e ulur pranë tij. Dukej e shqetësuar.

Edhe Gerardo ishte i shqetësuar. Javën e kaluar mësuan se Alehandro kishte kancer. Ai qe i sëmurë rëndë.

Por Alehandro u ngrit ulur dhe buzëqeshi kur hyri Gerardo. “Ç’kemi! A ia kalove mirë sot?”

“Po, por si ishte vizita te mjeku?” – pyeti Gerardo.

“Ai thotë se duhet të futem në operacion”, – tha Alehandro.

Mamaja pohoi me kokë. “Por mjekët më të mirë për ta ndihmuar atë janë te spitali i fëmijëve. Ngaqë Alehandro është 14 vjeç, ai është i madh në moshë për t’u kuruar atje. Do të na duhet të shkojmë diku tjetër.”

Gerardo pati një shtrëngim në stomak. Nëse nuk do të mund të gjenin ndihmë për Alehandron, çfarë do të ndodhte? A do të bëhej më keq kanceri i Alehandros?

Gerardo shkoi në dhomën e vet. Kishte nevojë të mendonte.

Në Fillore, Gerardo mësoi se Ati Qiellor do ta dëgjonte atë gjithmonë. Gerardo e dinte se gjithnjë mund t’i kërkonte ndihmë Atij.

Prandaj ra në gjunjë pranë shtratit të tij dhe i mblodhi krahët. “Atë i dashur Qiellor, të lutem ndihmoje Alehandron”, – u lut ai. “Të lutem na ndihmo që të gjejmë mjekë që mund ta bëjnë operacionin.”

Djalë duke ngrënë darkë

Shpejt mamaja e thirri për darkë. Ajo kishte bërë pupusas, ushqimin e parapëlqyer të Gerardos. Ai e kafshoi shumë tortijën e trashë, të pjekur në skarë dhe të mbushur me djathë e fasule. Por ende ndihej i shqetësuar për vëllanë e tij.

Alehandro hëngri vetëm disa kafshata nga pupusa e vet. Ishte i ngrysur në fytyrë dhe po hante shumë ngadalë.

Edhe mamaja duhej ta kishte vënë re. “Pse nuk shohim një material filmik të Kishës?”, – pyeti ajo. Atyre u pëlqente të shihnin materiale filmike për Jezu Krishtin kur ndiheshin të trishtuar.

“Në rregull.” Gerardo i hoqi pjatat nga tryeza ndërkohë që mamaja e bëri gati filmin. Më pas të gjithë u ulën për të parë.

Në materialin filmik, Jezu Krishti u lut në një kopsht pranë një peme. Gerardo e dinte këtë histori. Ishte çasti kur Jezusi vuajti para se të vdiste në kryq.

Kur mbaroi filmi, Gerardo u ndje i qetë dhe plot paqe. Por kishte një pyetje. “Pse Jezusi duhej të lëndohej kaq shumë?” – pyeti ai.

Mamaja i mbajti pranë atë dhe Alehandron. “Jezusi zgjodhi ta ndiente lëndimin ngaqë Ai na do. Ai ndjeu tërë dhembjen që përjetojmë ne.”

Gerardo pa nga Alehandro. “A e di Jezusi se çfarë ndien kur ke kancer?”

“Po, Ai e di”, – tha mamaja. “Ai e di se sa e vështirë është. Dhe ngaqë e di çfarë ndiejmë, Ai e di se si të na ndihmojë.”

Gerardo ndjeu ngrohtësi brenda vetes, sikur të ishte mbështjellë me një batanije të madhe. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e njihnin dhe e donin familjen e tij. Ata dinin se si ta ndihmonin Alehandron.

Kur Gerardo u kthye nga shkolla të nesërmen, e gjeti mamanë duke paketuar një çantë.

“Lajm i mirë!” – tha ajo. “Bisedova me mjekun te spitali i fëmijëve. Ata do ta ndihmojnë Alehandron. Do të bëhet operacion nesër.”

Gerardoja e përqafoi fort mamin. “Ati Qiellor po na ndihmon! A mund të lutemi dhe ta falënderojmë Atë?”

“Ide e shkëlqyer”, – tha mamaja. “Le të thërrasim Alehandron.”

Familje duke u lutur

Ndërsa luteshin së bashku, Gerardo u ndje plot paqe. Ati Qiellor e kishte dëgjuar lutjen e tij. Tani Alehandro do të kryente operacionin që i nevojitej. Gerardo e dinte se Jezu Krishti e kuptonte se çfarë po përjetonin. Dhe Ai gjithmonë do t’i ndihmonte gjatë sprovave të tyre.

Formati PDF

Ilustrimet nga Ricardo Guerrero