2024
Një Konferencë e Veçantë
Nëntor 2024


“Një Konferencë e Veçantë”, Miku, nëntor 2024, f. 8–9.

Një Konferencë e Veçantë

Ndoshta të ndihmuarit mund ta bëjë atë të lumtur, siç tha Presidenti Nelson.

Kjo ngjarje ndodhi në Indonezi.

Motrat duke u grindur për kukullën

Amina, kjo është e imja!” – bërtiti Indira. Ajo ia rrëmbeu kukullën motrës së saj të vogël.

“Vajza, po iki”, – tha mami. “Ju lutem, silluni mirë sa jeni me babin.”

Indira ngriti sytë. “Ku po shkon?”

“Tek tregu. Do të blej ushqime për të gatuar diçka të veçantë nesër.” Mami i përshëndeti me dorë.

Një vakt të veçantë ushqimi? Po pse? Indira shkoi të gjente babin. “Pse dita e nesërme është e veçantë?” – pyeti ajo.

Babi buzëqeshi. “Nesër do të shohim konferencën e përgjithshme! Është e veçantë sepse do të dëgjojmë që të flasin profeti dhe udhëheqësit e tjerë të Kishës. Ata do të na thonë atë që Ati Qiellor do që ne të dëgjojmë.”

Kur mami u kthye në shtëpi, ajo i vuri nëpër vende ushqimet. Babi fshiu dyshemenë.

Prindërit duke pastruar shtëpinë

“Indira, a mund ta ndihmosh Aminën që të nxjerrë rrobat e saj për nesër?” – e pyeti mami.

Indira rrudhi vetullat. “Pse duhet ta ndihmoj?”

“Të lutem bëje atë që po të kërkoj”, – tha mami.

Indira shfryu me inat. I tërhoqi zvarrë këmbët dhe shkoi të ndihmonte Aminën.

Të nesërmen në mëngjes, Indira u zgjua nga një aromë e këndshme. Kërceu nga shtrati dhe vrapoi për në kuzhinë. Mami kishte bërë rendang me mish lope dhe satai, që t’i hanin për drekë më vonë. Do të ishin kaq të shijshme.

Familje duke parë konferencën e përgjithshme

Pas pak filloi konferenca e përgjithshme. Indira u ul me familjen e vet për ta parë në televizor. E dëgjoi korin të këndonte. Dëgjoi njerëz të flisnin për tempujt, shkrimet e shenjta dhe Jezu Krishtin.

Folësi i fundit ishte profeti, Presidenti Rasëll M. Nelson. Ai foli për mënyrën se si Kisha i ndihmon njerëzit anembanë botës.

“Gëzimi ynë më i madh vjen ndërsa i ndihmojmë vëllezërit dhe motrat tona”, – tha ai.

Indira mendoi për këtë. A e bënte të ndihmuarit që të ndihej e lumtur? Vazhdoi të dëgjonte. Presidenti Nelson tha se të jetuarit e urdhërimit të dytë të madh mund të na ndihmojë të jemi si Jezu Krishti.

Kur mbaroi konferenca, ata hëngrën drekën që bëri mami. Indira vazhdoi të mendonte për bisedën e profetit.

Familje duke ngrënë drekë

“Cili është urdhërimi i dytë i madh?” – pyeti ajo.

“Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”, – tha babi.

Indira mendoi për njerëzit që Kisha i ndihmoi në të gjithë botën. “Si mund të ndihmoj nëse të afërmit e mi jetojnë larg?”

“Të afërmit e tu janë të gjithë njerëzit përreth teje”, – tha mami. “Ashtu si pjesëtarët e familjes sate.”

Indira uli sytë poshtë. Ajo nuk ishte shumë e sjellshme me familjen e saj ndonjëherë.

Por ndoshta ndihma ndaj tyre mund ta bënte të lumtur, siç tha Presidenti Nelson. Kishte një mënyrë se si ajo mund ta ndiqte Jezusin. Donte ta provonte!

Në pjesën tjetër të javës, Indira u përpoq të ishte tepër e sjellshme ndaj familjes së vet. Ajo luajti me Aminën. I dha asaj lodrat e veta. Bëri pa u ankuar atë që i kërkuan mami dhe babi. Kur Indira e ndihmonte familjen e saj, ata ishin të lumtur. Dhe kjo gjë e bëri edhe atë të lumtur.

Motrat duke luajtur së bashku

Profeti kishte të drejtë. Të ndihmuarit e të tjerëve i solli asaj gëzim!

Vajzë duke ecur në natyrë
Formati PDF

Ilustrimet nga Judi Abbot