2024
A Duhet të Jem i Përsosur?
Nëntor 2024


“A Duhet të Jem i Përsosur?” Miku, nëntor 2024, f. 36–37.

A Duhet të Jem i Përsosur?

Henri donte të shkonte në tempull, por ndiente se kishte bërë shumë gabime.

Kjo histori ndodhi në Aruba.

Henri hyri me ngadalë në dhomën e Fillores. Këmbët i rëndonin teksa shkoi drejt karriges së tij.

Mësuesi i tij, Vëllai Ras, i buzëqeshi. “A je gati të flasim për tempujt?” – pyeti ai.

“Po”, – u përgjigj Henri.

Pse e thashë këtë? – mendoi Henri kur u ul. Ai nuk ndihej gati. Aspak.

Klasa e Fillores së Henrit po mësonte këngën “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh. Klasës së tij i ishte kërkuar të fliste rreth vajtjes në tempull.

Por Henri ndihej i trishtuar. Ai donte të shkonte në tempull kur të ishte në moshën e duhur, por mendonte se kishte bërë shumë gabime.

Një nga një, shokët e Henrit u ngritën në këmbë. Ata ishin të lumtur dhe të emocionuar ndërsa flisnin për vajtjen në tempull një ditë. Henri u ndje gjithnjë e më keq.

Më pas erdhi koha për të kënduar. Henri këndoi së bashku me pjesën tjetër të Fillores: “Do bëhem gati sa jam i ri; K’të detyr’ t’shenjt’ kam tani”.

Si mund të përgatitem për të shkuar në tempull kur bëj kaq shumë gabime? – mendoi Henri. Ai u struk më poshtë në karrigen e tij.

Kur mbaroi kënga, vëllai Ras u përkul drejt tij. “A je në rregull?” – e pyeti Henrin.

Djalë duke menduar për tempullin

Henri e hodhi vështrimin te duart e veta. Pastaj tha me zë të ulët: “Dua të shkoj në tempull, por kam frikë se nuk jam i denjë”. Ai mori frymë thellë. “Unë nuk shkoj gjithmonë mirë me familjen time. Harroj që t’i bëj punët e mia në shtëpi. Bëj shumë gabime. Në fakt, a duhet të jem i përsosur?”

Vëllai Ras buzëqeshi butësisht. “Të jesh i denjë për të shkuar në tempull nuk do të thotë se duhet të jesh i përsosur. Mund të jemi të denjë duke i mirëbesuar Jezu Krishtit dhe duke u përpjekur me çiltërsi që të zbatojmë urdhërimet. Të gjithë bëjmë gabime, por mund të pendohemi dhe të jemi të pastër përsëri.”

Henri e drejtoi paksa trupin.

“Jam i sigurt se Ati Qiellor është krenar për ty që po përpiqesh të jesh i mirë”, – tha Vëllai Ras.

Henri mendoi për disa gjëra të mira që i kishte bërë atë javë. Ai gatoi darkën me mamin, ndihmoi motrën e tij për detyrat e shtëpisë dhe e përshëndeti një djalë të ri në shkollë.

Pesha e shqetësimeve të Henrit filloi të pakësohej. Ai e dinte se Fryma e Shenjtë po e ndihmonte që të ndiente paqe.

Djalë i gëzuar që po shkon në tempull

Kur ishte radha e Henrit për të folur, ai buzëqeshi dhe u ngrit në këmbë. “Dua të vazhdoj të pendohem dhe të bëhem më shumë si Jezu Krishti, në mënyrë që një ditë të mund të hyj në tempull”, – tha ai.

Henri u ndje i lumtur kur u ul. Një ditë, do të ishte në gjendje të bënte besëlidhje të shenjta me Perëndinë brenda në tempull. Donte të bënte më të mirën për t’u përgatitur.

Formati PDF

Ilustrimet nga Gail Armstrong

  • Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 99.