“Shumë e Madhe për Filloren?” Miku, nëntor 2024, f. 40–41.
Shumë e Madhe për Filloren?
Dhurata dëshironte që të mund të kalonte tek Të Rejat.
Kjo ngjarje ndodhi në Nigeri.
“Mirësevini në Fillore!” Motra Agbor, udhëheqësja e Dhuratës në Fillore, qëndroi përpara klasës. “Sot do të mësojmë këngën ‘Doni Njëri‑Tjetrin’.”
Muzika filloi dhe fëmijët më të vegjël u bënë gati të këndonin. Por Dhurata tashmë e dinte këtë këngë. E kishte kënduar njëqind herë! Vërtet nuk kishte qejf ta këndonte sot.
Dhurata ishte e lodhur nga Fillorja. Ajo ishte më e madhe në moshë, më e gjatë dhe më e bëshme sesa të gjithë fëmijët e tjerë. Shoqet e saj në kishë ishin të gjitha tek Të Rejat tani. Ajo kishte edhe gati plot një vit para se të mund të shkonte me to në klasat dhe aktivitetet e Të Rejave.
Ndërsa të gjithë këndonin, Dhurata ishte e heshtur. Ajo i thoshte mbyturazi disa nga fjalët e këngëve, por ishte në fakt duke menduar.
Pastaj i erdhi një ide. Ndoshta po të fliste me peshkopin, ai do ta linte të shkonte para kohe tek Të Rejat që të mund të ishte me shoqet e veta.
Dhurata e gjeti peshkopin Akombi pas kishës. “Përshëndetje, Peshkop”, – tha ajo. “Ndiej vërtet se nuk përkas më në Fillore. Jam më e madhe në trup dhe në moshë se të gjithë fëmijët e tjerë. A mund të filloj të shkoj tek Të Rejat në vend që të rri në Fillore?”
Peshkopi Akombi buzëqeshi. “E di që vajtja tek Të Rejat është emocionuese”, – tha ai. “Por mund të fillosh të shkosh vetëm kur të mbushësh 12 vjeç. Më vjen keq.”
Dhurata i uli sytë poshtë. “Në rregull.”
“Fillorja është me fat që të ka ty”, – tha peshkopi. “Mendoj se fëmijët më të vegjël të admirojnë shumë. Mund të sjellësh ndryshim të madh tek ata.”
Në pjesën e mbetur të ditës, Dhurata u ndje e trishtuar. Një vit ishte një kohë e gjatë për t’u ndier e vetmuar në Fillore.
Por më pas Dhurata mendoi më shumë për atë që tha Peshkopi Akombi. A e admironin atë vërtet fëmijët e tjerë? Nuk e kishte vënë re kurrë më parë.
Javën pasuese, Dhurata ua bëri mirupafshim me dorë shoqeve të veta teksa ecnin drejt klasës së Të Rejave. Ajo psherëtiu dhe eci drejt klasës së Fillores.
“Dhurata”, – tha Motra Agbor, – “a do të ishe e gatshme të më ndihmoje që ta jap mësim këngën e kësaj jave?”
“Ëë, sigurisht”, – tha Dhurata. “Çfarë kënge po mësojmë?”
“‘Fëmi’ i Per’ndis’ Jam’”, – tha Motra Agbor. “Faleminderit për ndihmën tënde! Mendoj se fëmijët do të argëtohen po të mësojnë prej teje.”
Kur filloi koha e të kënduarit, Dhurata qëndroi para klasës. “Sot do t’ju mësoj njërën nga këngët e mia të parapëlqyera”, – tha ajo. I ndihmoi fëmijët që të mësonin fjalët. Pastaj e këndoi këngën me ta. Ndërsa këndonin, Dhurata ndjeu ngrohtësi dhe lumturi brenda vetes. E dinte se po ndiente Frymën e Shenjtë.
S’kaloi shumë dhe klasa e Fillores ishte gati në mbarim. Pas lutjes së mbylljes, Dhurata filloi të ecte drejt korridorit. Donte të gjente shoqet e saj pas klasës së tyre të Të Rejave dhe t’i përshëndeste.
Por njëra nga vajzat e vogla e ndaloi. “Faleminderit që këndove me ne!” Ajo e përqafoi Dhuratën. “Dua të bëhem si ti kur të bëhem më e madhe.”
Dhurata buzëqeshi. Ende mezi priste që të shkonte tek Të Rejat dhe shpresonte që viti i ardhshëm do të kalonte shpejt. Por e dinte se akoma mund të mësonte dhe të bënte gjëra të mira në Fillore.
Dhe ndoshta Peshkopi Akombi kishte të drejtë. Ajo mund të sillte ndryshim.