Sesioni i Paradites të së Shtunës
Gjithçka do të Jetë Mirë për Shkak të Besëlidhjeve të Tempullit
Pjesë të shkëputura
Vëllezër dhe motra, dëshmoj me përulësi se kur e frekuentojmë tempullin, neve mund të na kujtohet natyra e përjetshme e shpirtit tonë, marrëdhënia jonë me Atin dhe Birin e Tij hyjnor dhe dëshira jonë përfundimtare për t’u kthyer në shtëpinë tonë qiellore. …
Nën udhëheqjen e frymëzuar të Presidentit Nelson, Zoti e ka përshpejtuar dhe do të vazhdojë ta përshpejtojë ndërtimin e tempujve kudo në botë. Kjo do t’u lejojë të gjithë fëmijëve të Perëndisë mundësinë për të marrë ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit, dhe për të bërë e mbajtur besëlidhje të shenjta. …
Pjesëmarrja e shpeshtë në ordinancat e tempullit mund të krijojë një model përkushtimi ndaj Zotit. Kur i mbani besëlidhjet tuaja të tempullit dhe i kujtoni ato, ju ftoni shoqërimin e Frymës së Shenjtë që t’ju forcojë e t’ju pastrojë. …
Është nëpërmjet besëlidhjeve të vulosjes në tempull që ne mund të marrim sigurinë për lidhjet e dashura familjare që do të vazhdojnë pas vdekjes dhe do të zgjatin në përjetësi. Respektimi i besëlidhjeve të martesës dhe familjare të bëra në tempujt e Perëndisë do të sigurojë mbrojtje nga ligësia e egoizmit dhe krenarisë. …
Sprovat, sfidat dhe pikëllimet do të na vijnë me siguri të gjithëve. Askush prej nesh nuk është i imunizuar nga “gj[e]mb[i] në mish” [shih te 2 Korintasve 12:7–10]. Prapëseprapë, kur e frekuentojmë tempullin dhe i kujtojmë besëlidhjet tona, ne mund të përgatitemi për të marrë drejtim vetjak nga Zoti. …
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jap dëshmi se nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa respektimi i besëlidhjeve që keni bërë ose mund të bëni në tempull.