Hyni në Grigjën e Perëndisë
Brenda grigjës së Perëndisë, ne përjetojmë kujdesin vigjilent dhe zhvillues të Bariut të Mirë dhe jemi të bekuar që e ndiejmë dashurinë e Tij shëlbuese.
Kur ishin prindër të rinj, Vëllai dhe Motra Samad e mësuan ungjillin e Jezu Krishtit në shtëpinë e tyre të thjeshtë me dy dhoma në Semarang të Indonezisë1. Të ulur rreth një tryeze të vogël, me një dritë të zbehtë që më shumë dukej se sillte mushkonja sesa dritë, dy misionarë të rinj u mësuan atyre të vërteta të përjetshme. Nëpërmjet lutjes së sinqertë dhe udhërrëfimit të Frymës së Shenjtë, ata arritën të besonin atë që iu mësua dhe zgjodhën të pagëzoheshin dhe të bëheshin anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai vendim dhe modeli i tyre i jetesës që nga ajo kohë, i kanë bekuar Vëllanë dhe Motrën Samad dhe familjen e tyre në çdo aspekt të jetës së tyre2.
Ata janë ndër shenjtorët e hershëm pionierë në Indonezi. Më vonë, ata morën ordinancat e tempullit dhe Vëllai Samad shërbeu si president dege dhe më pas si president distrikti, duke udhëtuar me makinë në mbarë zonën qendrore të ishullit Java për të përmbushur përgjegjësitë e tij. Gjatë dekadës së kaluar, ai ka shërbyer si patriarku i parë i Kunjit Surakarta në Indonezi.
Si njëri prej misionarëve në atë shtëpi të përulur plot me besim 49 vjet më parë, unë kam dëshmuar tek ata atë që mbreti Beniamin dha mësim në Librin e Mormonit: “Unë do të doja që ju të keni parasysh gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. Pasi vini re, ata janë të bekuar në të gjitha gjërat, qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore.”3 Bekimet që rrjedhin në jetën e atyre njerëzve që i ndjekin shembullin dhe mësimet e Jezu Krishtit, të cilët zgjedhin të numërohen mes dishepujve të Tij, janë të shumta, të gëzueshme dhe të përjetshme4.
Grigja e Perëndisë
Ftesa e Almës për besëlidhjen e pagëzimit ndaj atyre që qenë mbledhur në Ujërat e Mormonit, fillon me këtë frazë: “Tani, pasi ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë”5.
Një grigjë ose një vathë, është një rrethim i madh, shpesh i ngritur me mure guri, ku delet janë të mbrojtura gjatë natës. Ka vetëm një hyrje. Në fund të ditës, bariu i thërret delet. Ato e njohin zërin e tij dhe nëpërmjet portës hyjnë brenda në sigurinë e grigjës.
Populli i Almës do ta ketë ditur se barinjtë qëndrojnë në hyrjen e ngushtë të vathës që, kur të hyjnë delet, ato të numërohen6 dhe plagët e lëngatat e tyre të vërehen dhe t’u jepet përkujdesja një e nga një. Siguria dhe mirëqenia e deleve varen nga gatishmëria e tyre për të hyrë në grigjë dhe për të qëndruar në grigjë.
Mes nesh mund të ketë disa njerëz që mendojnë se janë në cepin e kopesë, ndoshta duke menduar se janë më pak të nevojshëm apo të vlerësuar, ose që nuk i përkasin grigjës. Dhe, ashtu si në vathën e deleve, në grigjën e Perëndisë ndonjëherë i shkelim në kallo njëri‑tjetrit dhe kemi nevojë të pendohemi ose të falim.
Por Bariu i Mirë7 – bariu ynë i vërtetë – është gjithmonë i mirë. Brenda grigjës së Perëndisë, ne përjetojmë kujdesin e Tij vigjilent dhe zhvillues dhe jemi të bekuar që e ndiejmë dashurinë e Tij shëlbuese. Ai tha: “Unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia; muret e tua më rrinë gjithnjë para syve”8. Shpëtimtari ynë ka gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të Tij mëkatet, dhembjet, hidhërimet tona9 dhe gjithçka që është e padrejtë në jetë10. Të gjithë janë të mirëpritur t’i marrin këto bekime, nëse “dëshiro[jnë] të hy[jnë]”11 dhe zgjedhin të jenë në grigjë. Dhurata e lirisë së zgjedhjes nuk është thjesht e drejta për të zgjedhur; është mundësia për të zgjedhur të drejtën. Dhe muret e vathës nuk janë një kufizim, por një burim sigurie shpirtërore.
Jezusi dha mësim se ekziston “një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm”12. Ai tha:
“Kush hyn nëpër derë është bariu i deleve. …
Delet e dëgjojnë zërin e tij … ,
… dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij.”13
Pastaj Jezusi tha: “Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet”14, duke na mësuar qartësisht se ekziston vetëm një mënyrë për të hyrë në grigjën e Perëndisë dhe vetëm një mënyrë për t’u shpëtuar. Ajo është me anë të Jezu Krishtit dhe nëpërmjet Tij15.
Bekime u Vijnë Njerëzve që Janë në Grigjën e Perëndisë
Ne mësojmë se si të hyjmë në grigjë prej fjalës së Perëndisë, e cila është doktrina e dhënë mësim nga Jezu Krishti dhe profetët e Tij16. Kur e ndjekim doktrinën e Krishtit dhe hyjmë në grigjë nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, pendimit, pagëzimit dhe konfirmimit dhe besnikërisë së vazhdueshme17, Alma premtoi katër bekime specifike, vetjake. Ju mund 1) “të shëlbeheni nga Perëndia”, 2) “të numëroheni me ata të ringjalljes së parë”, 3) “të keni jetën e përjetshme” dhe 4) Zoti do “të derdhë mbi ju Shpirtin e tij më me shumicë”18.
Pasi Alma dha mësim për këto bekime, njerëzit duartrokitën nga gëzimi. Ja përse:
Së pari: Të shëlbosh do të thotë të paguash një borxh ose një detyrim ose të çlirohesh nga ajo që të shqetëson apo të dëmton19. Asnjë masë përmirësimi vetjak nga ana jonë nuk mund të na bëjë të pastër nga mëkatet që kemi kryer ose të na shërojë nga plagët që kemi marrë, pa Shlyerjen e Jezu Krishtit. Ai është Shëlbuesi ynë20.
Së dyti: Për shkak të Ringjalljes së Krishtit, të gjithë do të ringjallen21. Pasi shpirtrat tanë largohen nga trupat tanë të vdekshëm, ne pa dyshim që do të presim me padurim ditën kur me një trup të ringjallur do të mund t’i përqafojmë sërish njerëzit që i duam. Do të presim me ëndje për të qenë midis atyre njerëzve të Ringjalljes së Parë.
Së treti: Jetë e përjetshme do të thotë të jetosh me Perëndinë dhe ashtu siç jeton Ai. Kjo është “më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”22 dhe do të sjellë një plotësi të gëzimit23. Është qëllimi dhe objektivi përfundimtar i jetës sonë.
Së katërti: Shoqërimi i një anëtari të Kreut-Perëndi, i atij të Frymës së Shenjtë, siguron udhërrëfim dhe ngushëllim tejet të nevojshëm gjatë kësaj jete në vdekshmëri24.
Merrni parasysh disa shkaqe të mungesës së lumturisë: mjerimi vjen nga mëkati25, trishtimi dhe vetmia nga vdekja e një njeriu të dashur dhe frika nga pasiguritë për atë që ndodh kur vdesim. Por kur hyjmë në grigjën e Perëndisë dhe i mbajmë besëlidhjet tona me Të, ne ndiejmë paqe nga fakti që e dimë dhe mirëbesojmë se Krishti do të na shëlbojë nga mëkatet tona, se ndarjes së trupit dhe shpirtit tonë do t’i vijë fundi më shpejt dhe se do të jetojmë përjetësisht me Perëndinë në një mënyrë shumë më të lavdishme.
Mirëbesoni te Krishti dhe Veproni me Besim
Vëllezër e motra, shkrimet e shenjta janë plot me shembuj të fuqisë madhështore të Shpëtimtarit dhe të mëshirës e hirit të Tij të dhembshur. Gjatë shërbesës së tij tokësore, bekimet e Tij të shërimit u erdhën atyre që mirëbesuan tek Ai dhe vepruan me besim. Për shembull, i lënguari në pellgun e Betesdës eci kur, me besim, ndoqi urdhrin e Shpëtimtarit: “Çohu, merr vigun tënd dhe ec!”26 Ata që ishin të sëmurë ose të munduar në çfarëdolloj mënyre në vendin Begati, u shëruan kur “të gjithë së bashku, shkuan para”27.
Po ashtu, për të marrë bekimet e mrekullueshme që u premtohen atyre të cilëve hyjnë në grigjën e Perëndisë, neve na kërkohet që të bëjmë pikërisht atë, na nevojitet të zgjedhim që të vijmë. Alma i Riu dha mësim: “Dhe tani unë ju them juve se bariu i mirë po ju thërret; dhe në qoftë se ju do ta dëgjoni zërin e tij, ai do t’ju sjellë në vathën e tij”28.
Disa vjet më parë, një mik i dashur ndërroi jetë nga kanceri. Kur bashkëshortja e tij, Sheroni, shkroi për herë të parë për diagnozën e tij, ajo tha: “Ne Zgjedhim Besimin. Besimin te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Besimin te plani i Atit tonë Qiellor dhe besimin se Ai i di nevojat tona dhe i përmbush premtimet e Tij.”29
Kam takuar shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme si Sheroni, të cilët ndiejnë paqen e brendshme të të qenit të sigurt brenda grigjës së Perëndisë, sidomos kur vjen tundimi, kundërshtimi ose fatkeqësia30. Ata kanë zgjedhur të kenë besim te Jezu Krishti dhe të ndjekin profetin e Tij. Profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, ka dhënë mësim: “Çdo gjë e mirë në jetë – çdo bekim i mundshëm me rëndësi të përjetshme – fillon me besimin”31.
Hyni Plotësisht në Grigjën e Perëndisë
Katragjyshi im Xhejms Sojer Holmani erdhi në Jutë në vitin 1847, por nuk ishte ndër ata që mbërritën në korrik me Brigam Jangun. Ai erdhi më vonë gjatë atij viti dhe, sipas analeve të familjes, ishte përgjegjës për të sjellë delet. Mbërriti në luginën e Solt‑Lejkut vetëm në tetor, por ai bashkë me delet ia dolën mbanë.32
Figurativisht, disa prej nesh janë ende në rrafshina. Jo gjithkush mbërrin me grupin e parë. Miqtë e mi të dashur, ju lutem vazhdojeni rrugëtimin dhe ndihmojini të tjerët që të hyjnë plotësisht në grigjën e Perëndisë. Bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit janë të pamatshme sepse janë të përjetshme.
Unë jam thellësisht mirënjohës që jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Jap dëshmi për dashurinë e Atit tonë Qiellor dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit, dhe për paqen që vjen vetëm prej Tyre – paqen e brendshme dhe bekimet që gjenden në grigjën e Perëndisë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.