2018
Udhëtimi i Izabelës
Korrik 2018


Udhëtimi i Izabelës

Autorja jeton në Teksas, SHBA.

Udhëtimi do të ishte i gjatë dhe i rrezikshëm, por shkuarja në tempull do t’ia vlente.

Brazil, 1992

Pamja
Isabelles Journey

Izabela vështroi me sy paksa mbyllur në qiellin e thellë blu. Nuk dukej asnjë re. Ajo lëpiu buzët e saj të thara.

Prindërit e saj po bisedonin qetësisht me Presidentin Santiago, presidentin e kunjit. Motori i barkës bënte aq zhurmë saqë ajo nuk mund t’i dëgjonte. Por ajo e dinte se për çfarë po bisedonin. Nuk kishte më ujë të pijshëm.

Izabela u përpoq të përqendrohej tek arsyeja e udhëtimit të tyre. Ata po shkonin në tempull për t’u vulosur si familje! Ajo mbante mend t’i kish dëgjuar prindërit e saj të flitnin rreth tempullit të bukur në San‑Paolo qysh kur ishte vajzë e vogël. Shkuarja atje dukej thuajse si një përrallë. Në fund të fundit, familja e Izabelës jetonte në Manaus, thellë në pyllin tropikal të Amazonës dhe tempulli ishte më shumë se 3 219 km larg.

Atëherë Presidenti Santiago pati planifikuar një udhëtim gjashtëditor për të shkuar atje. Më shumë se 100 anëtarë patën vendosur të shkonin. “Do të jetë një sakrificë”, i pati thënë Mamãe asaj. “Por sakrifica sjell bekime.”

Në fillim, udhëtimi ishte emocionues. Ata fjetën në shtretër të varur në kuvertën e një barke, kënduan himne dhe lexuan shkrime të shenjta.

Por pastaj uji i pijshëm mbaroi dhe uji i lumit ishte tepër i ndotur për t’u pirë.

Izabela e ndjeu Mamãe‑n t’i prekte krahun. “Presidenti Santiago po na mbledh të gjithëve së bashku”, tha ajo. “Ne do të lutemi për shi.”

Izabela u bashkua me grupin dhe lutja filloi. Pasi lutja mbaroi, ajo ndjeu ajër të freskët t’i frynte në qafë. Ajo vrapoi në anë të barkës dhe hapi gojën. Re të hirta stuhie po lëviznin drejt tyre. Shpejt filloi të binte shi! Ajo hapi gojën të kapte pikat e shiut mbi gjuhën e vet.

“Shpejt!” thirri Mamãe. “Rrëmbeni kovat, tavat – gjithçka!”

Izabela rrëmbeu një tavë dhe e mbajti jashtë me duart e shtrira. Ajo donte ta kapte gjithë ujin që do të mundte. Të gjithë punonin së bashku, duke qeshur dhe kremtuar. Shpejt ata do të kishin një festë gjigante lagieje! Stuhia zgjati për 15 minuta. Ajo zgjati mjaftueshëm që ata të merrnin gjithë ujin që u nevojitej. Ishte një mrekulli.

Shpejt barka mbërriti në tokë. Por ata kishin ende edhe 2 414 km për të bërë. Hipën të gjithë në një autobus për pjesën tjetër të udhëtimit. Për ditë, autobusi gulçonte nëpër rrugët gropa-gropa. Një herë u hodh përpjetë aq fort saqë xhami i përparmë u thye! Ndonjëherë ata udhëtuan nëpër qytete të nxehta plot njerëz. Por të paktën rrugët nuk qenë aq tronditëse!

Të gjithë ishin përherë mirënjohës kur ndalonin në një fshat apo qytet të vogël për të ngrënë. Ata hanin në kisha apo me anëtarë të Kishës përgjatë rrugës. Natën e parë, ata mbërritën aq vonë saqë Izabela ishte e trembur se askush nuk do t’i priste. “Mos u mërzit”, tha Mamãe me një buzëqeshje të lodhur. “Shiko!”

Presidenti i degës dhe anëtarë të Kishës qëndronin matanë rrugës. Ata mbanin një tabelë ku lexohej: “Sakrifica sjell bekime”. Izabela buzëqeshi. Mamãe kishte të drejtë!

Pas tri ditësh nëpër gropa, ata mbërritën më në fund në San‑Paolo. Izabela qëndroi në ndenjësen e saj për të pasur një pamje më të mirë ndërsa autobusi kaloi përreth një kthese. Befas secili në autobus shpërtheu në urime. “O templo! O templo!” Ata mund të shihnin shtizën e lartë, të hollë të tempullit mbi rreshtat e palmave.

Të gjithë ishin të rraskapitur, por asnjëri nuk donte të pushonte. Ata donin të vuloseshin menjëherë. Kur erdhi koha që familja e saj të vulosej, Izabela u vesh me kujdes në të bardha. Kur hyri në dhomën e vulosjes, ajo e pa babanë e saj të rrezëllinte. Lot gëzimi rodhën në faqet e Mamãe‑s. Udhëtimi i tyre pati qenë i gjatë dhe madje i rrezikshëm. “Por sakrifica për të ia vlente”, mendoi Izabela. Ajo buzëqeshi ndërsa shkoi te vendi i saj për t’u vulosur përgjithmonë me familjen e vet.

Shtyp në Letër