2018
Njerëzit e Mirë të Seint‑Xhorxhit
Korrik 2018


Njerëzit e Mirë të Seint‑Xhorxhit

Klaudio Gonzales, Antofagasta, Kili

Pamja
man thinking of st. george

Ilustrimi nga Allen Garns

Kur isha rreth 12 vjeç, pashë një film të Kishës që paraqiste Presidentin Lorenco Snou (1814‑1901) duke u lutur për shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Seint‑Xhorxh të Jutës në SHBA, të cilët po vuanin nga thatësira e egër.

“Zot”, u lut Presidenti Snou, “bekoji njerëzit e mirë të Seint‑Xhorxhit.”

Ajo frazë, “njerëzit e mirë të Seint‑Xhorxhit”, la një mbresë afatgjatë në mendjen time djaloshare. Meqë jetoja në Kili, u përpoqa të përfytyroja se çfarë shenjtorësh besnikë duhet të ishin “njerëzit e mirë të Seint‑Xhorxhit”. Dëshiroja t’i takoja ata.

Më shumë se 30 vjet më vonë, në vitin 2005, familja ime dhe unë e çuam djalin tonë të dytë në Provo të Jutës, që të bashkohej me vëllanë e tij, i cili po studionte në Universitetin “Brigam Jang”. Mbrëmjen pasi arritëm, thashë: “Dua të shkojmë e të shohim njerëzit e mirë të Seint‑Xhorxhit”.

“Por, Babi”, kundërshtoi djali më i madh, “Seint‑Xhorxhi është shumë larg.”

“Shiko”, iu përgjigja, “Babi pagoi për biletat e avionit. Babi po paguan për ushqimin. Babi po paguan për karburantin. Babi do vetëm një gjë për vete. Ai dëshiron të takojë njerëzit e mirë të Seint‑Xhorxhit!”

“Dakord”, tha im bir, pasi e kuptoi se e kisha seriozisht.

Ditën tjetër bëmë udhëtimin me makinë prej 418 kilometrash. Pas mbërritjes në Seint‑Xhorxh, ne shkuam në qendrën e vizitorëve në tempull dhe vizituam shtëpinë e dimrit të Presidentit Brigam Jang (1801‑1877). Vizituam edhe tabernakullin, ku më ftuan t’i flisja për pak çaste familjes sime nga e njëjta foltore ku Presidenti Snou iu ishte drejtuar “njerëzve të mirë të Seint‑Xhorxhit”. Ne ecëm përreth qytetit, duke parë dhe duke takuar njerëzit. Ata dukeshin si shenjtorë të zakonshëm e besnikë të ditëve të mëvonshme.

Isha i lumtur që shkuam. Por, kur u kthyem në Kili, kuptova diçka: I kisha parë më përpara “njerëzit e mirë të Seint‑Xhorxhit”.

Për shkak të punës sime dhe thirrjeve të mia në Kishë, kisha udhëtuar në mbarë Kilin. Në Kalama, kisha parë të rinj në moshë madhore që përpiqeshin fort t’i mbanin urdhërimet. Në La Serena, kisha parë prindër të përkushtuar, që vijnë herët, bashkë me fëmijët e tyre, për mbledhjet e Kishës. Në Antofagasta, kisha parë shenjtorë të ditëve të mëvonshme që përpiqen për atë që është e drejtë, çdo ditë. Në Vajenar, Kopiapó, Kaldera, Tokopija dhe qytete të tjera, kisha parë anëtarë që bien në gjunjë për t’u lutur dhe pastaj ecin përpara edhe kur gjërat nuk janë të lehta.

Kur shoh shenjtorë besnikë të ditëve të mëvonshme, që binden dhe durojnë – pavarësisht se ku jetojnë ose me çfarë sfidash përballen – them me vete: “Këta janë njerëzit e mirë të Seint‑Xhorxhit”.

Shtyp në Letër