2018
Kur Ishte e Vështirë të Shërbeja
Korrik 2018


Kur Ishte e Vështirë të Shërbeja

Autorja jeton në Santiago të Filipineve.

Si mund të kujdesesha për dikë me një qëndrim kaq të vështirë?

Pamja
serving hands

Ilustrimet nga Chris Thornock

Një nga gjërat më sfiduese që kam kapërcyer ndonjëherë ishte qëndrimi im “nuk dua t’ia di”. Nëse nuk isha e pasionuar pas asaj që po bëja, isha e ftohtë dhe e paduruar me njerëzit.

E gjitha kjo ndryshoi gjatë një pushimi në shkollë kur m’u kërkua të kujdesesha për gjyshin tim 76-vjeçar. “Dadi”, siç e quanim, kishte kaluar një goditje në tru, e cila e kishte lënë gjysmë të paralizuar. Kur familja më kërkoi të kujdesesha për të për dy muaj, nuk mundesha as ta përfytyroja si do t’ia bëja!

Duhej të zgjohesha herët për t’i përgatitur mëngjesin, vaskën dhe barnat e tij. E ndihmova të ecte përqark shtëpisë, ky qe ushtrimi i tij i përditshëm. Duke qenë se kishte vështirësi të lëvizte, i qëndrova pranë gjatë gjithë kohës, përfshirë kohën kur lahej dhe shkonte në banjë. Për një vajzë 18-vjeçare, kjo ishte pjesa më e vështirë.

Përveç gjithë kësaj, ishte e vështirë të qëndroja me të. Ai nuk është anëtar i Kishës dhe ka parime të ndryshme nga të miat. Ai ishte një burrë i mbushur me pengje – bërtiste gjithmonë, nuk buzëqeshte dhe thoshte gjatë gjithë kohës: “Po vdes!” Për shkak të këtij qëndrimi, ishte e vështirë që ne të krijonim një marrëdhënie të mirë.

Në fillim, bëra gjithçka mundesha për t’i shmangur detyrat e mia, por ajo nuk funksionoi. Prandaj vendosa të ndryshoja qëndrim e të bëja përpjekjet e mia më të mira.

Pas një jave me këtë qëndrim të ri, t’i shërbeja Dadit u bë një gëzim për mua. Durimi m’u shtua dhe arrita ta kuptoja vuajtjen e tij. Teksa i shërbeja, ndalova së menduari se të qenit pranë tij ishte një barrë por përkundrazi ishte një mundësi për të krijuar një atmosferë të mirë me të.

Edhe Dadi ndryshoi. Ky burrë i ngrysur u bë një gjysh i buzëqeshur dhe i butë. Atij madje arriti t’i pëlqente të dëgjonim këngët e konferencës Enkas për Rininë!

Një ditë e dëgjova të bënte pak zhurmë, prandaj pashë në dhomën e tij për të zbuluar çfarë po bënte. Ai po lutej për herë të parë. Jam e frymëzuar çdo ditë nga ky ndryshim.

Tani jam sërish në kolegj, por ende shkoj për vizitë te Dadi dy herë në muaj me familjen time. Ne hamë me të dhe këndojmë për të. Shëndeti i tij është përkeqësuar, ndaj tani ndihma më e madhe që mund të jap është lutje për të.

Jam mirënjohëse për mundësinë që të kujdesesha për Dadin sepse më ndihmoi ta shihja se çfarë isha në gjendje të jepja. Dashuria është diçka shumë e fuqishme – ajo e zbuti edhe zemrën time, edhe të Dadit. E kam mësuar domethënien e sakrificës dhe dhembshurisë. Vërtet, dashuria hyjnore e ndriçon çdo zemër!

Shtyp në Letër