2018
Le të Mos Dështojmë që ta Ndiejmë
Korrik 2018


Le të Mos Dështojmë që ta Ndiejmë

Ka një forcë më të fuqishme se tërmetet, erërat e furishme ose zjarret e tërbuara. Por është e qetë dhe e ulët dhe duhet t’i kushtojmë vëmendje nëse dëshirojmë të na udhërrëfejë.

Pamja
stormy day vs sunny day

Ilustrimet nga Irena FREITAS

Më 27 shkurt 2010, në orën 3:34 të mëngjesit, një tërmet me magnitudë 8,8 sipas shkallës së madhësisë së momentit, e tronditi dhunshëm shumicën e Kilit duke shkaktuar panik, frikë dhe shqetësim te miliona njerëz.

Disa ditë më vonë, u caktova të kryesoja një konferencë kunji në një vend pranë epiqendrës së këtij tërmeti të fuqishëm. Vrisja mendjen nëse tërmeti dhe lëkundjet e vazhdueshme më pas do të sillnin pasoja te pjesëmarrja në konferencë. U befasova kur pjesëmarrja në secilin sesion të konferencës ishte më e madhe nga sa kishte qenë ndonjëherë në konferencat e mëparshme.

Me sa duket, tërmeti i kujtoi anëtarët e kunjit, të paktën përkohësisht, mbi rëndësinë e afrimit te Perëndia, e shenjtërimit të shabatit dhe të pjesëmarrjes nëpër mbledhje. Disa javë më vonë i telefonova presidentit të kunjit. E pyeta nëse pjesëmarrja në mbledhjet e Kishës ishte ende e lartë. U përgjigj se ashtu si u zvogëluan numri dhe magnituda e lëkundjeve të mëpasshme, po ashtu u zvogëlua pjesëmarrja në kishë.

Një sjellje e ngjashme i pasoi ngjarjet e trishtueshme që shkatërruan Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju‑Jork të SHBA‑së në shtator 2001. Mijëra njerëz u kthyen te kishat e tyre në kërkim të paqes së mendjes dhe ngushëllimit që u nevojiteshin aq fort. Por teksa koha kaloi, ky kërkim u pakësua dhe gjërat u rikthyen tek e zakonshmja. Nuk janë tërmetet, stuhitë, ose fatkeqësitë dhe tragjeditë, qoftë natyrore apo të shkaktuara nga njeriu, ato që zhvillojnë besim, dëshmi dhe kthim të qëndrueshëm në besim.

Elia dhe Zëri i Qetë, i Ulët

Në kohën e profetit Elia, Ashabi ishte mbreti i Izraelit. Ashabi u martua me Jezebelën, një princeshë fenikase. Ajo përhapi tek izraelitët mënyrat e fenikasve, përfshirë adhurimin idhulltar. Pasi Elia i sfidoi dhe i mundi priftërinjtë e Baalit që gëlonin në oborrin e mbretit Ashab, Jezebela e kërcënoi me jetë profetin dhe ai u arratis për në shkretëtirë. (Shih 1 Mbretërve 18:4, 13, 19, 21‑40; 19:1‑4.)

Pasi e ushqeu një engjëll në shkretëtirë, Elia eci për 40 ditë dhe 40 net deri te mali Horeb (shih 1 Mbretërve 19:5‑8). Në shkretëtirë, fjala e Zotit iu drejtua Elias. Atij iu tha të dilte nga shpella ku e kishte kaluar natën. Teksa qëndroi në mal përpara Zotit, u ngrit “një erë e fortë dhe e furishme”, aq e fuqishme saqë theu shkëmbinjtë dhe malet, “por Zoti nuk ishte në erë”. Pastaj ra një tërmet, “por Zoti nuk ishte në tërmet”. Pastaj ra një zjarr, “por Zoti nuk ishte në zjarr” (1 Mbretërve 19:11‑12). Me gjithë egërsinë e erës, tërmetit dhe zjarrit, ato nuk ishin shfaqje të zërit të Zotit ndaj profetit.

Pas këtyre shfaqjeve të fuqishme të forcave të natyrës, “një zë, si një shushuritje e ëmbël” i erdhi Elias dhe ai e dëgjoi (shih 1 Mbretërve 19:12‑13). Zëri qetësues i Zotit i tregoi atij se cilin të vajoste si mbretin e ardhshëm të Sirisë, cilin të vajoste si mbretin e ardhshëm të Izraelit dhe se ai duhej të vajoste Eliseun si profetin që do ta pasonte atë vetë.

Gjetja e Zërit

I njëjti zë që shkoi tek Elia – zëri që i tregoi atij se çfarë të bënte në një kohë të vështirë të jetës dhe shërbesës së tij – është ende në dispozicion për secilin fëmijë të Perëndisë që sinqerisht dëshiron të bëjë vullnetin e Atit. Por në mes të shumë zërave të lartë të botës që na ftojnë të ecim nëpër shtigje të errëta dhe ngatërruese, ku mund ta gjejmë zërin e ulët e të qetë që do të na thotë se çfarë të bëjmë, çfarë të themi dhe çfarë dëshiron Perëndia që të bëhemi ne?

Nefi na këshillon të “ushqeh[emi] me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t[ë na] tregojnë të gjitha gjërat që [ne] duhet të bë[jmë]” (2 Nefi 32:3).

Dhe ku i gjejmë fjalët e Krishtit që të mund të ushqehemi me bollëk me to? Mund të shohim shkrimet e shenjta, veçanërisht Librin e Mormonit, që u shkrua dhe u ruajt në pastërtinë e tij për ne, banorët e këtij brezi. Gjithashtu ne ua vëmë veshin fjalëve të profetëve të sotëm, që na tregojnë sot dëshirat e Atit tonë të Amshuar dhe të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.

Fjalët e profetëve të gjallë na udhërrëfejnë kur përballemi me sfida të reja e të ngatërruara. Për shembull, në kohët e fundit, ndërkohë që ngatërresa mbizotëruese e botës dhe e filozofive të saj ka kërkuar që ta ndryshojë përfundimisht konceptin e martesës dhe familjes, fjalët e profetëve e kanë theksuar pa lëkundje, me guxim e dashuri natyrën e shenjtë të familjes, duke shpallur se “martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe se familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”1.

Profetët dhe apostujt e sotëm e kanë theksuar gjithashtu rëndësinë e respektimit të shabatit në shtëpi dhe në kishë dhe arritjen e shpëtimit të paraardhësve tanë nëpërmjet historisë familjare dhe punës në tempull. Në secilën konferencë të përgjithshme, ata japin udhërrëfim shpirtëror të mëtejshëm për Kishën.

Fryma e Shenjtë do t’Ju Udhërrëfejë

Pamja
man sitting in a boat with telescope

Nefi jep mësim më tej: “Në qoftë se ju do të hyni nëpërmjet udhës dhe do të merrni Frymën e Shenjtë, ai do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni” (2 Nefi 32:5). Kështu, pasi e ka përforcuar rëndësinë e kërkimit të fjalëve të Krishtit, tani Nefi na udhëzon lidhur me komunikimin e drejtpërdrejtë e vetjak që duhet të kemi me Frymën e Shenjtë, anëtarin e tretë të Kreut‑Perëndi.

Nefi e dinte saktësisht se për çfarë po fliste. Rreth 30 a 40 vjet më parë, ndërsa familja e tij ishte ende në vendin e shkretë dhe ai po ndërtonte një anije që do t’i çonte ata në tokën e premtuar, Nefi i qortoi vëllezërit e tij më të mëdhenj pasi kishin bërë paudhësi, edhe pasi kishin dëgjuar zërin e një engjëlli.

Nefi u tha atyre: “Ju jeni të shpejtë të bëni paudhësi, por të ngadalshëm të kujtoni Zotin, Perëndinë tuaj. Ju keni parë një engjëll dhe ai ju foli; po, ju keni dëgjuar zërin e tij herë pas here; dhe ai ju ka folur me një zë të qetë, të ulët, por ju kishit humbur ndjesinë, që ju nuk mund të ndjenit fjalët e tij; prandaj, ai ju ka folur si zëri i bubullimës, që e bëri tokën të dridhet, sikurse të ishte për t’u çarë copë‑copë” (1 Nefi 17:45).

Le të Mos Pushojmë së Ndieri

Komunikimi i Perëndisë me fëmijët e Tij zakonisht vjen nëpërmjet Frymës së Shenjtë, që shumicën e rasteve komunikon me ne me një zë që hyn në mendjen e zemrën tonë, “zëri i vogël, i qetë, që pëshpërit përmes gjithë gjërave e i depërton ato” (DeB 85:6). E dëgjofshim atë zë të butë dhe të mos presim derisa dikush të duhet të na flasë me një zë bubullime! Mbani mend, Elia mësoi se zëri i Zotit nuk ishte tek era, tërmeti, ose zjarri. Zoti i foli atij nëpërmjet Frymës së Shenjtë, një zë i vogël, i qetë.

“Zëri i Shpirtit vjen si një ndjesi më shumë sesa një zë”, tha Presidenti Bojd K. Paker (1924‑2015), President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Ju do të mësoni, siç unë kam mësuar, të ‘dëgjoni’ për atë zë që ndihet më shumë sesa dëgjohet. …

Ai është një zë shpirtëror që vjen në mendje si një mendim apo ndjenjë e vendosur në zemrën tuaj.”2

Ne i ndiejmë fjalët nga Shpirti i Shenjtë më shumë sesa ato që i dëgjojmë me veshët tanë, në mendjen dhe zemrën tonë. Le të mos dështojmë që t’i ndiejmë ato nxitje! E hapshim mendjen dhe zemrën që t’i marrim fjalët e profetëve. E lejofshim Frymën e Shenjtë që të vazhdojë të na japë mësim me anë të zërit të ulët, të qetë. Duke u dhënë mësim dishepujve të Tij mbi Shpirtin e Shenjtë, që do t’u dërgohej atyre pas largimit të Tij, Shpëtimtari u tha: “Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë” (Gjoni 14:26).

Secili anëtar besnik i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka të drejtën dhe bekimin që të marrë udhërrëfim vetjak, frymëzim dhe zbulesë vetjake nga qielli nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Presidenti Tomas S. Monson (1927‑2018) tha: “Ndikohuni nga ai zë i qetë dhe i ulët. Kujtoni se dikush me autoritet iu vuri duart mbi kokë në kohën e konfirmimit tuaj dhe tha: ‘Merre Frymën e Shenjtë’. Hapini zemrat, madje vetë shpirtrat tuaj, ndaj tingullit të atij zëri të veçantë që dëshmon për të vërtetën. Ashtu si premtoi profeti Isaia: ‘Veshët e tu do të dëgjojnë … një fjalë që do të thotë: “Kjo është rruga, ecni në të”’ [Isaia 30:21].”3

Shënime

  1. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, maj 2017, f. 145.

  2. Bojd K. Paker, “Këshillë për Rininë”, Liahona, nëntor 2011, f. 17.

  3. Tomas S. Monson, “Besoni, Binduni dhe Duroni”, Liahona, maj 2012, f. 129.

Shtyp në Letër