2018
Ruajtja e Besimit në Izolim
Korrik 2018


Ruajtja e Besimit në Izolim

Kur lufta, sëmundja ose rrethana të tjera i lanë vetëm këta anëtarë të Kishës në vendet e tyre, ja se si qëndruan besnikë ata.

Shumica e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme sot adhurojnë në lagje dhe degë ku mund të “mblidhe[n] së bashku shpesh për të agjëruar, për t’u lutur dhe për të folur me njëri-tjetrin, në lidhje me mirëqenien e shpirtit të tyre” (Moroni 6:5). Por Moroni, profeti që i shkroi këto fjalë, bëri një pjesë të punës së tij më të qëndrueshme kur mbeti vetëm si dishepull pas shkatërrimit të popullit të tij.

Gjatë gjithë historisë së Kishës, shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, e kanë ruajtur besimin të vetmuar kur rrethanat i lanë të izoluar. Disa, si Moroni, i jetuan ditët e tyre si dëshmitarë dhe shembuj për brezat e ardhshëm. Të tjerë kanë jetuar për të parë një ditë kur do të kishin sërish mundësi ta ndanin me dikë besimin e tyre.

Të Lutesh prej Vitesh për Këtë Ditë

Pamja
Františka Brodilová

Ilustrimet nga Ken Spencer

Frantiska Brodilova iu bashkua Kishës në Vienë në vitin 1913 – një vit përpara fillimit të Luftës I Botërore – dhe nuk pati kontakt me anëtarë të tjerë të Kishës deri në vitin 1929.

Portret i Frantiska Vesela Brodilovës me mirësinë e Bibliotekës së Burimeve Pamore

Frantiska Brodilova zor se mund ta kishte parashikuar rolin që do të luante në historinë e Kishës kur një misionar i trokiti në derë në Vienë në vitin 1913. Vitin pas kthimit të saj në besim, Lufta I Botërore e përpiu Perandorinë Austro-Hungareze, misionarët u kthyen në shtëpi dhe shumë anëtarë meshkuj u thirrën për shërbim ushtarak, duke e lënë Frantiskën dhe disa motra të tjera të mblidheshin me njëra-tjetrën.

Ky ishte kontakti më i madh që Frantiska do të kishte me anëtarët e Kishës për shumë vjet. Pas luftës, bashkëshortit të Frantiskës, Frantisekut, iu premtua një post në qeverinë e re në Çekosllovaki. Pasi u shpërngulën në Pragë, Frantiska ishte e vetmja anëtare e Kishës në vend. Frantiseku ndërroi jetë disa muaj më vonë dhe Frantiska mbeti me dy vajza të vogla – Frensis dhe Xhejn – për të cilat duhet të siguronte të ardhura.

E vetme, Frantiska u mësoi vajzave ungjillin. “Unë u rrita në Kishë”, kujtoi Frensisi. “Kisha ishte shtëpia jonë!”1 Frantiska u shkroi edhe udhëheqësve të Kishës në Austri duke kërkuar që të caktoheshin misionarë në Çekosllovaki. Udhëheqësit e Kishës ngurronin sepse misionarin e fundit në Pragë, rreth 40 vjet më parë, e kishin burgosur ngaqë predikoi dhe më pas e dëbuan nga qyteti. Pavarësisht nga qeveria e re, udhëheqësit e Kishës druheshin se gjendja nuk kishte ndryshuar shumë.

E paepur, Frantiska vazhdoi të shkruante letra dhe të lutej që aty të themelohej një mision. Në vitin 1928, pasi Frantiska kishte qenë e vetme për një dekadë, 83-vjeçari Tomas Bisingeri – po ai misionar që kishte predikuar në Pragë vite më parë – u kthye. U duk sikur izolimit të familjes i kishte ardhur fundi. Sidoqoftë, pak kohë më pas, përkeqësimi shëndetësor i Plakut Bisinger e detyroi atë të ikte nga vendi.

Frantiska u shkurajua por vendosi të vazhdonte t’u shkruante letra anëtarëve dhe udhëheqësve të Kishës jashtë vendit. Këmbëngulja e saj u shpërblye: Më 24 korrik 1929, Plaku Xhon A. Uidso (1872–1952), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, mbërriti në Pragë me një grup misionarësh. Atë mbrëmje, Frantiska dhe grupi, u ngjitën majë një kodre pranë Kështjellës Karlshtejn, ku Plaku Uidso e përkushtoi Çekosllovakinë për predikimin e ungjillit dhe e organizoi zyrtarisht një mision. “Pak njerëz mund ta përfytyrojnë gëzimin që përjetuam”, shkroi më vonë Frantiska. “Jemi lutur prej vitesh për këtë ditë.”2

Pamja
members in Czechoslovakia with Elder Widtsoe

Frantiska ishte e pranishme kur Plaku Xhon A. Uidso (të dy në rreshtin e mesit) e përkushtoi Çekosllovakinë për predikimin e ungjillit në vitin 1929.

Për thuajse gjashtë muaj, dega mblidhej në shtëpinë e Frantiskës. Frantiska përfundimisht i ndihmoi vajzat e saj për të përkthyer Librin e Mormonit në çekisht dhe hodhi themelet e Kishës në atë që tani njihet si Republika Çeke.

Si Frantiska, shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme e kanë duruar izolimin. Burrat dhe gratë në vijim qenë midis të parëve që e shpërndanë ungjillin dhe që hodhën themelet e Kishës në vendlindjet e tyre, gjë e cila u lejoi të tjerëve më pas të gëzonin shoqërimin me shenjtorët e tjerë.

Dhurata e Përhershme e Besimit të Vërtetë

Pamja
Japanese Saints

Si plaku kryesues, Fuxhija Nara (me kostum të errët) mori përgjegjësinë për mbajtjen e lidhjeve me anëtarët pasi u mbyll misioni i Japonisë në vitin 1924.

Kur Misioni i Japonisë u mbyll në vitin 1924, shumë anëtarë ndiheshin të humbur dhe të braktisur. Udhëheqja për afro 160 anëtarët në Japoni i ra Fuxhija Narës, plakut kryesues në vend, punësimi i të cilit në hekurudhë i lejonte t’i vizitonte anëtarët e shpërndarë. Kur nuk kishte mundësi t’i vizitonte, Fuxhija i mbante lidhjet duke botuar një revistë të titulluar Shuro (Gjethja e Palmës), në të cilën ai shpërndante mesazhe të ungjillit dhe u jepte zemër shenjtorëve të mbetur gjatë viteve të trazuara që pasuan.

Pasi puna e transferoi Fuxhijën në Mançuria dhe plaku kryesues që e zëvendësoi vdiq papritmas në vitin 1937, shpejt humbën lidhjet me anëtarët në Japoni. “Ndonëse nuk kishim letërkëmbim me Solt-Lejk-Sitin”, tha Fuxhija, “… kishim bindjen se Kisha do të hapej përsëri [këtu].”3

Gjatë Luftës II Botërore, Fuxhija u kthye në Tokio, ku u predikonte fqinjëve dhe organizonte mbledhje javore të Shkollës të së Dielës. Pas luftës, Fuxhija gjeti një njoftim nga Eduard L. Klisoldi – një shenjtor i ditëve të mëvonshme që po shërbente në ushtrinë amerikane – që i ftonte anëtarët e Kishës të vendit që të viheshin në kontakt me të. Fuxhija e vizitoi menjëherë Eduardin në dhomën e tij të hotelit. Kur Eduardi ndoqi mbledhjet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Tokio, ai u befasua kur gjeti thuajse 100 njerëz të pranishëm.

“Në gjithë këtë”, tha më vonë Fuxhija, “dhurata më e madhe dhe një dhuratë e përhershme ka qenë ta njihja dhe ta përqafoja besimin e vërtetë – që do të thotë të njohësh Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe Frymën e Shenjtë.”4

Ndërtimi i Kishës në Havai

Pamja
Jonathan Napela

Një prej të kthyerve të parë në besim në Havai, Xhonatan Napela ndihmoi për përkthimin e Librit të Mormonit në gjuhën havaiane.

Portret i Xhonatan Napelës me mirësinë e Bibliotekës së Historisë dhe Arkivave të Kishës

Xhonatan H. Napela ishte një gjykatës shumë i respektuar në ishullin Maui përpara se ai dhe bashkëshortja e tij, Kiti, të pagëzoheshin në vitin 1851. Pasi Xhonatani u detyrua të hiqte dorë nga puna si gjykatës ngaqë iu bashkua Kishës, ai ia përkushtoi energjinë e vet ndërtimit të Kishës midis folësve të gjuhës havaiane. Xhonatani i mësoi gjuhën Xhorxh Q. Kenonit, ndihmoi për përkthimin e Librit të Mormonit dhe zhvilloi programin e parë për trajnimin e misionarëve në çfarëdo gjuhe të huaj.

Për pasojë, më shumë se 3 000 vendas të Havait iu bashkuan Kishës brenda 3 vjetëve. “Për ne është më se e qartë që kjo është kisha e Perëndisë”, shkroi Xhonatani. “Ka shumë njerëz në këta ishuj që kanë fituar besim të fortë me anë të hirit të Perëndisë, nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit, që të mund të marrim Frymën e Shenjtë.”5

Në vitin 1872, Kiti Napelën e zuri lebra dhe i kërkuan të shpërngulej në koloninë e lebrosëve në Molokai. Në vend që të rrinte midis shenjtorëve, Xhonatani i kërkoi kolonisë që ta pranonin edhe atë. “Gjatë kohës së shkurtër që më ka mbetur”, i shkruante ai kryesisë së shëndetit, “dua të jem me bashkëshorten time.”6 Kërkesa iu plotësua dhe Xhonatani u bë presidenti i degës në Molokai. Xhonatani punoi ngushtë me priftin katolik vendas, Atin Damien, për t’u dhënë shërbesë të gjithë atyre që qenë prekur nga sëmundja. Xhonatani përfundimisht vdiq prej lebrës që mori në koloni.

“Unë i Gëzohem të Qenit një Mjet në Duart e Perëndisë”

Pamja
Friedrichs and Hoppe families

Vilhelm Fridrih (i dyti nga e majta) dhe Emil Hopeja (në qendër, rreshti i fundit) morën pjesë në pagëzimet e para në Argjentinë.

Familja Fridrih dhe Hope qenë të vetmit shenjtorë të ditëve të mëvonshme në Argjentinë kur u shpërngulën atje nga Gjermania në fillim të viteve 1920. Vilhelm Fridrih dhe Emil Hopeja u përpoqën ta shpërndanin ungjillin në vendin e tyre të ri, duke shpërndarë broshura dhe duke i ftuar të tjerët t’u bashkoheshin mbledhjeve të tyre. “Kam mirëbesim të plotë tek Ati im Qiellor që ai do të dërgojë miq të sinqertë që do ta pranojnë ungjillin” shkroi Vilhelmi, “pasi unë i gëzohem të qenit një mjet në duart e Perëndisë.”7

Megjithatë, pati sfida të mëdha. Familjet jetonin larg nga njëra-tjetra dhe u duhej të udhëtonin për dy orë që të mblidheshin së bashku. Për shkak se Emili ishte dhjak dhe Vilhelmi mësues në Priftërinë Aarone, ata nuk mund të administronin ordinanca të tilla si sakramenti ose të jepnin bekime priftërie.

Në vitin 1924, Hildelgarde Hopeja lindi një vogëlushe, e cila vdiq dy muaj më vonë. Teksa mbante zi, Hildergardeja pyeti si mund të përfshihej emri i foshnjës në dokumentet e Kishës. Si rrjedhim, Vilhelmi filloi të mbante letërkëmbim me udhëheqësit e Kishës në Solt-Lejk-Siti.

Një vit e gjysmë më vonë, Plaku Melvin J. Ballard (1873–1939), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u dërgua me misionarë të tjerë për t’u takuar me grupin në rritje të të kthyerve në besim në Buenos-Ajres. Kur mbërritën në dhjetor 1925, Plaku Ballard pagëzoi disa të kthyer në besim dhe organizoi një degë. Ditën e Krishtlindjes, Plaku Ballard e përkushtoi Amerikën e Jugut për punë misionare dhe organizoi misionin e parë në kontinent.

Kthimi i Ungjillit te Populli i Tij

Pamja
Assard and Affoué families

Kur Filip dhe Aneliz Asardi (majtas) u takuan me Lysien dhe Agate Afon në Bregun e Fildishtë, të dyja çiftet u gëzuan kur morën vesh se nuk ishin të vetmit në Kishë atje.

Filip dhe Aneliz Asardi kishin ndërtuar një jetë të rehatshme kur misionarët trokitën në derën e tyre në Këln të Gjermanisë, në vitin 1980. Ata e përqafuan shpejt ungjillin dhe u ndien “të pushtuar nga bekimet”. Filipi shpejt ndjeu një dëshirë të fuqishme për t’u kthyer në vendin e tij të lindjes në Bregun e Fildishtë për të shpërndarë ungjillin e rivendosur. “Ndaj në vitin 1986, pas shumë lutjesh dhe agjërimit me bashkëshorten time”, kujtonte Filipi, “vendosa të kthehesha në Bregun e Fildishtë, për të dhënë atë që kisha marrë, për të përmirësuar gjendjen e familjes sime dhe popullit tim.”8

Përpara se të largohej nga Gjermania, Filipi u këshillua me udhëheqësit e Kishës. Ndonëse nuk kishte njësi të Kishës në Bregun e Fildishtë, kishte një numër anëtarësh që i ishin bashkuar Kishës ndërkohë që ndodheshin në vende të tjera. Familjes Asard iu dha një listë me emrat e tyre dhe ata i shkruan me zell secilit prej tyre gjatë gjithë vitit që pasoi. Gradualisht, familja Asard e rindezi shkëndijën e besimit tek të tjerët dhe atyre iu dha leja për të filluar zhvillimin e mbledhjeve të së dielës në shtëpinë e tyre. Vijuan lagjet e degët dhe, në vitin 1997, u organizua kunji i parë në Bregun e Fildishtë.

Shënime

  1. Frances McOmber, në Ruth McOmber Pratt, “Frantiska Vesela Brodilova”, dorëshkrim i pabotuar (2009), f. 18.

  2. Františka Brodilová, në Pratt, “Frantiska Vesela Brodilova”, f. 25.

  3. Fujiya Nara, në Lee Benson, “Japanese Member Survives Adversity”, Church News, 17 shkurt 1979, f. 7.

  4. Fujiya Nara, në Benson, “Japanese Member Survives Adversity”, f. 7.

  5. Jonathan Napela, në “Foreign Correspondence: Sandwich Islands—Minutes of Conference, Makawao, April 1st, 1852”, Deseret News, 27 nëntor 1852, f. 4.

  6. Jonathan Napela, në Fred E. Woods, “A Most Influential Mormon Islander: Jonathan Hawaii Napela”, The Hawaiian Journal of History, vëll. 42 (2008), f. 148.

  7. Wilhelm Friedrichs, letër e datës 5 mars 1924, Letërkëmbim i Misionit të Argjentinës, Biblioteka e Historisë së Kishës.

  8. Robert L. Mercer, “Pioneers in Ivory Coast”, Liahona, mars 1999, f. 19.

Shtyp në Letër