2018
Tre Udhëtime të Pionierëve të Kohës së Sotme
Korrik 2018


Tre Udhëtime të Pionierëve të Kohës së Sotme

Autorja jeton në Jutë, SHBA.

Tre të rinj në moshë madhore tregojnë historitë e tyre të bashkimit me Kishën dhe krijimit të një trashëgimie besimi për veten dhe familjet e tyre.

Ndërkohë që po shërbeja në misionin tim në Melburn të Australisë, isha në një lagje që përbëhej nga studentë ndërkombëtarë. Kur ata po mësonin rreth pionierëve në Shkollën e së Dielës, pyeta veten se sa të interesuar do të ishin – ata ishin thuajse të gjithë të kthyer në besim së fundi dhe asnjëri nuk kishte ndonjë paraardhës që të kishte përshkuar fushat e Amerikës Veriore.

Për çudi, shumë nga studentët ndërkombëtarë qenë magjepsur nga historitë që u treguan. Disa prej tyre përmendën se si lidheshin me shenjtorët e hershëm në nivel vetjak: ashtu si edhe pionierët, këta studentë ndërkombëtarë ishin të kthyer në besim së fundi dhe kishin bërë sakrifica për ta ngritur Kishën në zonat ku jetonin. Për disa nga këta anëtarë, Kisha ishte ose e vogël, ose nuk ekzistonte fare në vendin e tyre. Ata ishin pionierë të kohës së sotme, që po farkëtonin një trashëgimi të re fetare për brezat e ardhshëm.

Ja tek janë tri përvoja nga të kthyerit në besim që u janë bashkuar radhëve të pionierëve modernë.

Respektimi i Familjes Sime në Mënyra të Reja

Nami Çan, Taojuan, Tajvan

Pamja
woman getting baptized

Familja ime dhe shumë nga të afërmit e mi në Tajvan janë budistë. Kur isha e vogël, më kujtohet që ndihmoja për përgatitjen e ofertave për paraardhësit dhe perëndi të shumta për Vitin e Ri kinez dhe festa të tjera. Kjo ishte një traditë familjare për ne si edhe një mënyrë për t’i përkujtuar paraardhësit tanë dhe për të sjellë paqe e begati në familjen time.

Kur disa nga të afërmit e mi u bashkuan me një kishë të krishterë e të gjitha sekteve, kjo fillimisht nuk pati asnjë ndikim në familjen time. Por gjatë festivalit Çing Ming, kur adhurohen paraardhësit dhe digjet temjan në varret e tyre, të afërmit e mi të krishterë nuk pranuan të merrnin pjesë. Ata thanë se qenë zotuar që t’i mbanin Dhjetë Urdhërimet, veçanërisht: “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje” (Eksodi 20:3). Familja ime nuk kishte diskutuar për besime të tjera më parë, por, që prej asaj dite e në vijim, krishterimi përfaqësonte shkatërrimin e traditave në sytë e familjes sime dhe shihej si diçka negative.

Kur ndiqja universitetin, u takova me misionarë shdm në rrugë. Normalisht, nuk do të kisha qenë e interesuar për atë që kishin për të thënë, por disa përvoja ma patën përgatitur zemrën që ta pranoja mesazhin e tyre. Ndërkohë që takohesha me ta, rashë dakord që të lutesha dhe ta lexoja Librin e Mormonit dhe fillova të zhvilloja një dëshmi vetjake mbi atë që po më mësohej. Por, për shkak të ndjenjave të prindërve të mi kundër krishterimit, unë nuk doja t’u tregoja se doja të pagëzohesha. Shumë muaj pas takimit tim të parë me misionarët, më në fund u thashë prindërve se doja të pagëzohesha dhe se doja të shërbeja në një mision. Ata u mërzitën, por unë e dija se po bëja zgjedhjen e duhur.

Unë nuk kam ndonjë paraardhës pionier, por më duket se e kuptoj sakrificën e tyre. Është e vështirë të heqësh dorë nga disa tradita dhe të përballesh me kundërshtim nga pjesëtarët e familjes. Edhe tani, pesë vjet pasi iu bashkova Kishës, kohë në të cilën kam shërbyer edhe në një mision, familja ime nuk e mbështet plotësisht vendimin tim, por ka arritur ta pranojë. Bashkimi me Kishën më ka lejuar ta respektoj familjen time në mënyra të reja, duke e bërë historinë familjare dhe duke kërkuar paraardhësit e mi. Dëshmia ime për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij më ndihmon për të zgjidhur çfarëdo konflikti që mund të kem me familjen time.

Gjetja e Gëzimit në Ungjill

Harri Guan, Jutë, SHBA

Pamja
young man holding phone

Unë u rrita në Kinë dhe e konsideroja veten të krishterë,pavarësisht nga fakti që në të vërtetë nuk shkoja kurrë në kishë. Kisha interes për Perëndinë dhe Jezu Krishtin dhe mendoja se doktrina e krishterë ishte shumë ngushëlluese.

Kur u zhvendosa në Shtetet e Bashkuara për kolegjin, fillova të shkoja në një kishë të krishterë e të gjitha sekteve. Pas disa muajsh, dëgjova rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga disa miq që po merrnin parasysh të ndiqnin Universitetin “Brigam Jang”. Pyeta disa studentë te kisha e krishterë rreth shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe u befasova kur ata më paralajmëruan me zjarr që t’u qëndroja larg “mormonëve”. E dëgjova këshillën e tyre fillimisht, por, kur po bëja një kërkim në mjetet shoqërore të komunikimit rreth një javë më vonë, u ndesha me një bisedë nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Në bisedë, ai përmendi se anëtarët e Kishës duhet të kenë respekt për fetë e tjera (shih “Faith, Family, and Religious Freedom” [“Besimi, Familja dhe Liria Fetare”], lds.org/prophets-and-apostles). Ndërsa po e dëgjoja Plakun Holland, ndjeva atë që tani e njoh si Shpirti dhe vendosa që duhej të mësoja më shumë rreth Kishës.

Përfundova duke shkuar në kishë dhe më vonë u takova me misionarët. U preka nga mësimet e tyre, veçanërisht nga plani i shpëtimit. Kur vendosa të pagëzohesha, prindërit e mi nuk qenë shumë të gëzuar, por e pranuan se isha mjaft i rritur sa të vendosja vetë. Kur gjyshërit e mi më vizituan në Amerikë disa muaj më vonë, unë isha në gjendje t’u jepja mësim rreth ungjillit. Të dy ata vendosën të pagëzoheshin.

Ungjilli më ka sjellë shumë gëzim dhe më çoi tek ajo që së shpejti do të jetë bashkëshortja ime. Ia vlejti çdo sakrificë që më është dashur të bëj apo do të bëj.

Shtrimi i Udhës për Brezat e Ardhshëm

Bruk Kinikini, Havai, SHBA

Pamja
hawaiian woman holding oil lamp

U bashkova me Kishën kur isha 15 vjeçe, por pata shkuar në kishë dhe e kisha zhvilluar besimin e dëshminë time qysh kur isha fëmijë. Edhe pse isha e vetmja anëtare në familjen time, miqtë e mi besnikë më donin dhe më udhëhoqën me shembullin e tyre.

Ndryshe nga pionierët e vjetër, mua nuk m’u desh kurrë të çaj me një karrocë dore përmes fushave të ngrira. Në fakt, nuk përjetova fare vështirësi të mëdha kur iu bashkova Kishës. Sigurisht, humba disa miq, m’u desh të shkoja vetëm në kishë dhe të shkoj në seminar vetë. Por kur mendoj rreth ndikimit që kjo pati dhe vijon të ketë te familja ime, unë e di se ishte një nga vendimet më të mira që kam marrë ndonjëherë. Vendimi im për t’u pagëzuar, për t’u vulosur në tempull dhe për të qëndruar besnike ndaj besëlidhjeve të mia, ka krijuar një reaksion zinxhir që do të ndikojë pozitivisht në jetën e tre fëmijëve të mi të mrekullueshëm, si dhe brezat e ardhshëm, përgjithmonë.

Të qenit pionier ka të bëjë me shtrimin e udhës për të tjerët. Më pëlqen të mendoj se një nga bekimet e shumta që kam marrë nga të qenit anëtare besnike e Kishës, është se mund të ndihmoj për të sjellë të tjerë në Krisht. Një ngjarje në dukje e vogël – ashtu si pagëzimi i një vajze 15-vjeçare në Maui të Havait, ose lutja përulësisht e një djali 14-vjeçar në një korije – mund të ndryshojnë jetën e familjeve në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Titulli bashkëkohor i pionierit nuk u lihet vetëm të kthyerve në besim. Ndërsa kërkojmë të ndërtojmë një trashëgimi të përhershme besnikërie për brezat e ardhshëm, të gjithë mund të bëhemi pionierë.

Shtyp në Letër