2018
Këshilla që nuk Doja ta Dëgjoja
Korrik 2018


Këshilla që nuk Doja ta Dëgjoja

Emri nuk jepet

Porto‑Alegre, Brazil

Pamja
couple holding hourglass

Figura nga Getty Images

Kur bashkëshorti im dhe unë vendosëm që të nisnim sipërmarrjen tonë, tre vjetët e parë qenë të vështira. Nuk po ia dilnim të nxirrnim fitim dhe po hynim në borxh. Punuam shumë, por probleme të papërfytyrueshme e bënë atë kohë më të vështirën e jetës sonë.

U bë dhe më keq kur vjehrra ime ndërroi jetë ditën pas Krishtlindjes dhe vetëm një javë më pas, në vigjiljen e Vitit të Ri, unë u sëmura rëndë. Në atë kohë ishim të rrënuar financiarisht, e kishim humbur makinën tonë dhe, më e keqja, e kishim humbur sigurimin shëndetësor.

Përfundimisht, më diagnostikuan me një lloj kanceri që përhapej shpejt dhe që kishte qenë duke u zhvilluar për të paktën pesë vjet. Ishte i rëndë dhe kërkonte operacion të menjëhershëm. Po më ikte koha dhe nuk kishim para për kujdesin e shtrenjtë shëndetësor që më nevojitej.

Bashkëshorti im dhe unë u takuam me peshkopin tonë dhe kërkuam ndihmë. I shpjeguam se ky ishte me kuptimin e plotë të fjalës, një rast për jetë a vdekje. Peshkopi u shqetësua, por na tha se u ndje i nxitur të priste pak më shumë përpara se të na jepte ndihmë, për të parë nëse do të krijohej një mënyrë tjetër për ne. Ai na siguroi që, nëse besimi ynë do të ishte i mjaftueshëm, Zoti do të siguronte një mënyrë që unë ta merrja ndihmën që më nevojitej.

Në fillim, përgjigjja e peshkopit më zemëroi dhe më mërziti. Ndjeva se që të dy, ai dhe Zoti, më kishin braktisur. Por unë kisha një dëshmi për ungjillin dhe besoja se peshkopi ynë ishte thirrur nga Perëndia. Pavarësisht nga hidhërimi im, u luta që Ati Qiellor të më ndihmonte të vazhdoja ta doja, respektoja dhe përkrahja peshkopin tim. Kur u luta për këtë, mora ngushëllim dhe e ndjeva se Zoti do të më ndihmonte në ndonjëfarë mënyre.

Bashkëshorti im dhe unë ecëm përpara me besim dhe unë i bëra analizat e nevojshme dhe e planifikova operacionin, pavarësisht nga mungesa e parave. Ditën përpara operacionit, e shitëm sipërmarrjen tonë me një çmim të mirë, gjë që na lejoi t’i paguanim të gjitha faturat e mia mjekësore.

Tani u bë e qartë se përse peshkopi im kishte ngurruar të ndihmonte. Ai kishte vepruar sipas frymëzimit me qëllim që unë të kisha një përvojë të vlefshme shpirtërore. Ajo përvojë më mësoi t’i mirëbesoj Shpëtimtarit edhe kur shtegu duket shkurajues dhe i frikshëm. Jam mirënjohëse për këshillën që nuk doja ta dëgjoja nga peshkopi im. Unë e di tani se Perëndia është një Perëndi mrekullish dhe se Ai nuk na braktis kurrë.

Shtyp në Letër