2018
Viktor Barbiniagra
Korrik 2018


Portrete Besimi

Viktor Barbiniagra

Harkiv, Ukrainë

Pamja
Victor Barbinyagra sitting with mother

Viktori u lind tre muaj para kohe. Si rezultat, ai ka disa paaftësi dhe nuk ishte në gjendje të ecte derisa u bë shtatë vjeç. Me gjithë sfidat që has, Viktori ka zgjedhur të jetë një njeri i lumtur. Ai gjen gëzim kur i ndihmon të tjerët dhe u shfaq dashuri atyre.

Leslie Nilsson, fotografe

Unë u linda tre muaj para kohe. Mjekët po thoshin se ndoshta nuk do të mund të bëja asgjë, por nëna ime gjithmonë përpiqej të gjente burime të ndryshme për të më ndihmuar. Vite me radhë mora trajtime të ndryshme, por sërish nuk mund të ecja.

Më së fundi, nëna ime gjeti një trajtim që mbase do të mund të më ndihmonte që të filloja të ecja. Përpara se ta bënte atë, ajo vendosi t’u kërkonte misionarëve që të më jepnin një bekim. Pasi e mora bekimin, shkuam te mjeku. Trajtimi përmbante thjesht ushtrime të ndryshme fizike. Përfundimisht, pasi i bëra ato ushtrime, unë fillova të ecja.

Nganjëherë, mërzitem për paaftësitë e mia, por përpiqem të mos ta shfaq këtë. Zakonisht jam një njeri i lumtur dhe thjesht nuk ua shfaq të tjerëve mërzitjen time.

Megjithatë, kur isha adoleshent, kalova një kohë kur isha i brengosur.

Nuk doja të shkoja në kishë. Pyetja Perëndinë: “Përse jam kështu? Përse nuk mund të më përmirësosh? Përse nuk kam marrëdhënie të mira me të tjerët?” Këto pyetje më shkurajuan dhe më bënë të ndihesha vërtet i trishtuar, dhe nuk dija se si ta ndryshoja gjendjen time, kështu që mendova se ndoshta përgjigjja ishte që t’i jepja fund jetës.

Por më pas mendova për nënën time dhe për mënyrën se si do të reagonte ajo. Mendova se ndoshta do të ndihej vërtet keq dhe të ndiente se kishte bërë diçka gabim, ose se nuk kishte bërë mjaftueshëm që të më ndihmonte. Ky ishte çasti kur vendosa se do të vazhdoja të jetoja dhe të ecja përpara.

Si përfundim, e ndiej se jam një njeri mjaft i lumtur.

Vërtet kam probleme, ashtu siç ka gjithkush. Ato nuk janë as më të mëdha e as më të vogla dhe, ndonëse mund të mos jemi në gjendje t’i zgjidhim 100 përqind ato, e di se mund t’i përballojmë problemet tona dhe me siguri mund të ecim përpara.

E di se Perëndia ka një plan për çdo njeri në këtë jetë, pavarësisht se kush është ai.

Nëna ime e kishte zakon të më thoshte se njeriu më i bukur mund të jetë më i palumturi dhe një njeri i shëmtuar mund të jetë vërtet i lumtur.

Për shkak të Kishës, e di se mund të jesh i lumtur pavarësisht të gjithave, sepse plani i Perëndisë është një plan lumturie. Besoj se lumturia është diçka që është brenda nesh, jo jashtë nesh.

Lumturia vjen nga pasja e besimit, mbështetja te Perëndia dhe të jetuarit e ungjillit. Kjo na ndihmon të kemi qëndrimin e duhur dhe ta përdorim atë që kemi për t’u përmirësuar.

Për çdo njeri, ka gjithmonë diçka më të mirë në të ardhmen dhe, nëse ka diçka negative, mund të merresh me të.

Përpiqem t’i dua njerëzit sepse gjëja më e rëndësishme në jetë është lidhja jonë me njerëzit. Përpiqem ta dua familjen time, sepse familja është e ardhmja jonë, është gjithçka kemi. Dhe i jam mirënjohës Perëndisë për gjithçka që kam.

Kujtdo që po has vështirësi, do t’i thoja: “Përpiqu ta pranosh veten siç je në atë çast, madje me të gjitha situatat e pafavorshme, dhe beso se mund të bëhesh më i mirë”.

Pamja
Victor sitting at a table with his mother

“E di se mund të jesh i lumtur pavarësisht të gjithave”, thotë Viktor Barbiniagra, “sepse plani i Perëndisë është një plan lumturie.” Këto të vërteta Viktorit i kanë ardhur nëpërmjet shkrimeve të shenjta.

Pamja
reading scriptures

Shkrimet e shenjta sigurojnë udhërrëfimin e nevojshëm në jetën e Viktorit. Ai thotë: “E di se Perëndia përgatiti një mënyrë për çdo njeri në këtë jetë, pavarësisht se kush është ai”.

Pamja
Victor hugging his mother

Kur flet për familjet, Viktori thotë: “Është gjithçka kemi”. Ai jeton me gjyshen e tij, Tamara Kovaljova.

Pamja
Victor sitting by his mother

Pavarësisht nga sfidat me të cilat përballet, Viktori gjen gëzim kur i ndihmon të tjerët dhe u shfaq dashuri atyre. “Përpiqem t’i dua njerëzit sepse gjëja më e rëndësishme në jetë është lidhja jonë me njerëzit”, thotë ai.

Pamja
Victor and Anton

Viktorin e viziton miku i tij, Anton Mihailovski, që shërben si president dege në Harkiv.

Shtyp në Letër