2018
Në Çfarë Mënyre Patëm Sukses për Shpërndarjen e Ungjillit
Korrik 2018


Në Çfarë Mënyre Patëm Sukses PËR Shpërndarjen e Ungjillit

Si të sapokthyer në besim, bashkëshortja ime dhe unë nuk dinim shumë mbi mënyrën se si të ishim misionarë. Por vumë një synim që ta shpërndanim te 100 njerëz.

Pamja
Never and Everjoyce Chikunguwo

Never dhe Evërxhois Çikunguo

Bashkëshortja ime, Evërxhoisi dhe unë jemi nga qyteti i vogël i Mutares, në kufirin lindor të Zimbabves. Shumë shpejt pasi u pagëzuam dhe u konfirmuam, u emocionuam mbi kryerjen e punës misionare. Ne lexuam se “fusha është e bardhë, gati për t’u korrur” (DeB 33:7) dhe, ndonëse nuk dinim shumë mbi mënyrën se si të ishim misionarë, vendosëm se na duhej ta “shty[nim] drapërin t[onë] dhe [të] korrni[m] me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën t[onë]”.

Ishim anëtarë të Degës së sapokrijuar Dangamvura që gjendej në një nga komunat e Mutares. Në atë kohë, në vitin 1991, dega kishte 25 anëtarë. Shumë shpejt u thirrëm si misionarë të degës. Ne mësuam shumë nga një çift misionarësh në moshë që shërbente në zonën tonë. Një nga sugjerimet që bënë ata, ishte që të vendosnim synime.

Dëshironim ta shpërndanim ungjillin te gjithsecili, kështu që vumë synimin që ta shpërndanim atë te 100 njerëz gjatë vitit të parë që ishim misionarë dege. Ndoshta na gënjente mendja, por neve na u duk synim realist. Mirëbesuam se Zoti do të na ndihmonte.

Duke kënduar himne në mbledhjet e Kishës, zbuluam se kishim një talent të fshehur për muzikën. Vendosëm t’i përdornim talentet tona, kështu që filluam të këndonim për njerëzit – dhe me njerëzit – që treguan interesim për ungjillin teksa takoheshim për t’u dhënë mësim atyre. Shpirti na shoqëroi teksa kënduam muzikë të shenjtë dhe Ai i preku zemrat e atyre që po u jepnim mësim. Po atë bëri edhe mesazhi i ungjillit të rivendosur. Ne e nxitëm secilin që të bashkohej me korin e degës sonë, dhe shumë u bashkuan, qoftë nëse ishin shenjtorë të ditëve të mëvonshme apo jo. Teksa më shumë njerëz mësuan për ungjillin, shumë prej tyre hynë në ujërat e pagëzimit.

Pamja
choir singing

Ilustrimi nga Oriol Vidal

Teksa i vazhduam përpjekjet tona misionare, vazhduam të agjëronim dhe të luteshim për familjet që ishin bashkuar me Kishën. E ndiem se njerëz të tjerë në komunitet po i dëshmonin shembujt e drejtë të këtyre familjeve. Ne morëm gjithmonë e më shumë ftesa për t’u dhënë mësim familjeve dhe grupi ynë i mësimdhënies u mbush me anëtarë të mundshëm.

Si rezultat i të mësuarit dhe të jetuarit të ungjillit, çiftet e sapopagëzuara u bënë më të afërt dhe më të dashur. Prindërit qenë në gjendje t’i linin pas traditat që nuk ishin në harmoni me kulturën e ungjillit. Ata hoqën dorë nga alkooli dhe duhani. Ata u dhanë mësim fëmijëve të tyre parime të sakta. Shumë njerëz që kishin qenë tepër të përthithur në gjërat e botës në të shkuarën, tani qenë në gjendje të pranonin thirrje në Kishë. Ata u bënë një bekim për degën e tyre dhe komunitetin e tyre. Dora e Zotit solli një ndryshim të fuqishëm në jetën e tyre.

Edhe pse në Mutare në atë kohë pati përndjekje të madhe, ajo nuk e ndaloi rritjen e Kishës. Dukej se ashtu siç rritej kundërshtimi, po ashtu rritej numri i njerëzve që dëshironin të mësonin për Kishën. Për shembull, kur erdhën njerëz të maskuar nga ushtria kombëtare që ta hetonin Kishën për keqbërje, ata u prekën nga Shpirti. Më vonë, shumë prej tyre u pagëzuan dhe u shuguruan në priftëri.

Me ndihmën e Zotit, ne arritëm ta shpërndanim ungjillin te shumë më tepër njerëz nga [sa ishte] synimi ynë fillestar. Për shkak se qemë të gatshëm të kërkonim mënyra se si mund t’u afroheshim të tjerëve, ne qemë në gjendje të dëshmonim një ndryshim të fuqishëm në jetën e shumë njerëzve në gjithë komunitetin tonë.

Shtyp në Letër