2018
Ndiheni të Shkëputur? Provojeni ta Ulni Ritmin
Korrik 2018


Ndiheni të Shkëputur? Provojeni ta Ulni Ritmin

“Vdes të pres”, është diçka që nuk thuhet nga askush. Por ndoshta duhet thënë.

Pamja
young woman laying on the ground

Ilustrimi nga Pascal Campion

Nëse e renditni qëndrimin në radhë të gjata së bashku me merimangat dhe gjarpërinjtë në listën e maktheve tuaja vetjake, nuk jeni të vetmit.

Qoftë nëse po qëndroni në radhë, jeni me makinë në trafik ose po prisni të vijë autobusi, ne e urrejmë pritjen.

Për fatin tonë të mirë, kohët e pritjes tani po bëhen të ngjashme me makthet: një mundësi së cilës i druhemi, por jo një realitet i përditshëm. Ne jetojmë në kohë pa pritje fare. Teknologjia po e përshpejton gjithçka aq shumë, saqë kemi vëmendje që zgjat më pak se ajo e peshkut të artë (po, vërtet).1 Kur ngrihet nevoja për të pritur, përpiqemi ta mbushim kohën – zakonisht duke iu drejtuar një aparati celular.

Nuk ka asgjë të gabuar në thelb te teknologjia ose efektshmëria, por një ritëm i shpejtë dhe shpërqendrime të vazhdueshme mund të na pengojnë nga diçka më e rëndësishme.

Më tepër sesa një Shkrim i Shenjtë i Goditur

Jo shumë kohë më parë, po ndihesha pa asnjë spirancë shpirtërore. Nuk mund ta kuptoja. Shkoja në kishë, bëja lutje të shkurtra dhe u hidhja një sy shkrimeve të shenjta. Ndonjëherë ndieja nxitje shpirtërore, por në përgjithësi, ndihesha disi e shkëputur.

Kur ia thashë Atit Qiellor këtë në një lutje me ankth, më erdhën në mendje këto fjalë: “Ndalu… dhe prano… që jam Perëndi” (Psalmi 46:10).

Ishte sikur fjala ndalu të ishte theksuar me ngjyrë, nënvizuar dhe shkruar me germa të theksuara.

Mund të kisha qenë duke bërë të gjitha gjërat e drejta, por po i bëja me shpejtësi të madhe dhe me përqendrim të cekët. Kisha përvetësuar një qasje të shpërqendruar ndaj të jetuarit të ungjillit.

Asnjë praktikë fetare nuk mund të më sillte lidhje të thellë shpirtërore nëse pjesëmarrja ime ishte kaq e përciptë dhe e shpërqendruar. Ishte shumë më tepër sesa një shkrim i shenjtë i goditur. Në mënyrë që ta njihja Perëndinë dhe të lidhesha me njohurinë hyjnore, depërtuese për të cilën po përmallohesha, duhej të ulja ritmin dhe të ndalesha.

Nuk ishte e lehtë t’ia vija veshin asaj nxitjeje. Por kjo solli të gjithë ndryshimin.

Tani, Uleni Pak Ritmin …

Nefi na mëson se ata që “kërko[jnë] me zell do të gjej[n]ë dhe misteret e Perëndisë do t’u shpalosen nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”(1 Nefi 10:19; theksimi i shtuar).

Le ta shqyrtojmë imtësisht këtë varg: Për t’i mësuar misteret e Perëndisë duhet kërkim me zell. Është një praktikë e qëndrueshme në kohë dhe e qëllimshme, jo një kërkim i njëhershëm në google. Tjetër: misteret nuk na shkrepin në mendje; ato shpalosen gradualisht. Ky proces kërkon kohë. Dhe ajo kohë është vendimtare! Koha që kalojmë duke u përsiatur dhe kërkuar na jep kohë për t’u lidhur me Shpirtin, nëpërmjet fuqisë të së Cilit vijnë përgjigjet.

Presidenti Dejvid O. Mek–Kei (1873–1970) deklaroi se meditimi – “i thellë, reflektimi i vazhduar mbi një temë fetare” – është “një nga … dyert më të shenjta përmes së cilave kalojmë në praninë e Zotit”.2 Duke e ulur ritmin, mund t’i hapim një derë zbulesës. Mund t’i kapërcejmë idealet bishtnuese të botës dhe të lidhemi me hyjnoren. Ne kemi nevojë për atë derë. Kemi nevojë ta ulim ritmin.

Duhet Përpjekje

Për mua, ulja e ritmit nënkuptonte të gjunjëzohesha e të flisja me zë të lartë ndërsa lutesha. Mbajtja e trupit në pozicion nderimi dhe dëgjimi i vetë fjalëve të mia më ndihmoi të përqendrohesha më mirë. Ulja e ritmit nënkuptonte studimin e shkrimeve të shenjta në libër dhe mbajtjen e shënimeve me shkrim dore. Kërkon më tepër përpjekje dhe kohë dhe kjo përpjekje dhe kohë e shtuar është një mënyrë e mirë që të “zgjohe[m]i dhe … të v[ëmë] në veprim aftësitë t[on]a”, duke e lejuar kështu Shpirtin dhe dëshirën për të vërtetën “të veprojë në [ne]” dhe atë farë dëshmie “të lëshojë rrënjë, që të mund të rritet dhe të na japë frut[ë] (Alma 32:27, 37).

Mund të gjejmë thuajse çfarëdo informacioni me pak shtypje të tastierës, por kuptueshmëria shpirtërore dhe kthimi në besim kërkon kohë dhe përpjekje të zellshme. Mënyra se si e ulni ritmin dhe ia përkushtoni përpjekjet tuaja ungjillit nuk është e rëndësishme, mjafton që ta bëni! Kur informacionin na e ushqejnë me lugë, ne e mënjanojmë një pjesë të madhe të pjesëmarrjes sonë vetjake në vetë të nxënin tonë. I heqim mundësitë për t’u lidhur me Shpirtin.

Ne me siguri që mund ta përqafojmë teknologjinë dhe përparimet që i bëjnë më të lehta punët e përditshme dhe na mundësojnë ta përdorim më me efektshmëri kohën tonë. Por nuk mund t’ia lejojmë vetes ta përvetësojmë të jetuarin e shpërqendruar e të menduarin e cekët që shumë shpesh e shoqëron përdorimin e teknologjisë. Në vend që t’i trembemi nevojës për të pritur, mund ta përqafojmë atë si një mundësi për të ulur ritmin, medituar dhe për ta thelluar lidhjen tonë me Shpirtin.

Shënime

  1. Shih Leon Watson, “Humans Have Shorter Attention Span Than Goldfish, Thanks to Smartphones”, The Telegraph, 15 maj 2015, telegraph.co.uk.

  2. Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay (2011), f. 31, 32.

Shtyp në Letër