2018
Besim për të Çarë Përpara
Korrik 2018


Besim për të Çarë Përpara

Nga një mesazh i dhënë gjatë një shërbimi në të gdhirë të Ditës së Pionierëve në Tabernakullin e Solt-Lejk-Sitit në Juta, SHBA, më 24 korrik 2007.

Të armatosur me një dëshmi për Zotin Jezu Krisht, anëtarët e kompanisë së karrocave të dorës Uilli çanë përpara kundër mundimit dhe urisë.

Pamja
Gloucester countryside

Majtas: Glostëri i sotëm, Angli, zonë rurale

FOTOGRAFI NGA EDDIECLOUD/STOCK.ADOBE.COM

Historia që do të doja të tregoja, filloi në fshatin me kodrina të gjelbërta të zonave bujqësore të Anglisë ku lindi Xhon Benet Houkinsi, në Gllousestër në vitin 1825. Ai u pagëzua duke u bërë anëtar i Kishës në 1849-ën dhe u nis po atë vit për në Amerikë me një kompani shenjtorësh të ditëve të mëvonshme me anijen Henri Uer. Ai mbërriti në Juta në gusht të vitit 1852 dhe ishte një nga pionierët farkëtarë në ditët e hershme të vendosjes në Juta.

Edhe nusja e tij e ardhshme, Sara Elizabeta Moltoni, vinte nga zonat bujqësore të Anglisë. Ërçesteri është një fshat i vogël pranë Lumit Nejnej, rreth 105 km në veri të Londrës dhe pothuajse po kaq në lindje të Birmingamit. Sara Elizabeta iu lindi atje Tomas Moltonit dhe Ester Marshit në vitin 1837. Nëna e Sara Elizabetës vdiq kur ajo ishte vetëm dy vjeçe dhe në vitin 1840, babai i saj u martua me Sara Dentonin.

Në vitin 1837, Plaku Hibër C. Kimball (1801-1868), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe udhëheqës të tjerë të Kishës, ishin në Angli duke bërë punë misionare. Midis shumë të kthyerve në besim që morën mësime nga këta misionarë, ishte një familje që i dha familjes Molton një kopje të broshurës A Voice of Warning [Një Zë Paralajmërimi], nga Plaku Parli P. Prat (1807–1857), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Pasi e lexuan, Tomasi dhe Sara u kthyen në besim dhe u pagëzuan më 29 dhjetor 1841. Në atë kohë, familja e tyre përbëhej vetëm nga dy fëmijë – Sara Elizabeta, katër vjeçe dhe Meri Eni, shtatë muajshe.

Shpirti i grumbullimit ishte i fortë në zemrat e të kthyerve në besim në Europë. Dëshira e tyre ishte që të imigronin drejt Amerikës, ku mund të ishin me shumicën e shenjtorëve. Si shumë të tjerë, familja Molton nuk kishte para të mjaftueshme për ta plotësuar këtë dëshirë. Por qëllimi i tyre ishte i fortë dhe filluan të ruanin para në një kavanoz frutash.

Fondi i Qarkullueshëm i Emigrimit

Në vitin 1849, Presidenti Brigam Jang (1801-1877) krijoi Fondin e Qarkullueshëm të Emigrimit që t’i ndihmonte anëtarët e Kishës të kalonin me mjete të sigurta në Amerikë. Të parët që udhëtuan me ndihmën e këtij fondi, e bënë këtë me vargan karrosh, por ky mjet transporti ishte i ngadaltë dhe i shtrenjtë. Edhe me ndihmën e Fondit të Qarkullueshëm të Emigrimit, pak veta mundën ta përballonin rrugëtimin. Udhëheqësit e Kishës bënë kërkime për përdorimin e karrocave të dorës dhe mësuan se karrocat e dorës do ta bënin udhëtimin më të shpejtë dhe më pak të kushtueshëm.

Deri në atë kohë familja Molton numëronte shtatë fëmijë, por me kursimet e tyre në kavanozin e frutave, me ndihmën nga Fondi i Qarkullueshëm i Emigrimit dhe mjetet më të lira të transportit, ëndrrat e tyre për të imigruar u kthyen në mundësi. Për një familje prej nëntë vetash, duhej planifikim i kujdesshëm që të përgatiteshin për udhëtimin. Për të ruajtur akoma më shumë para për blerjet që do t’iu nevojitej të bënin, jetuan kryesisht me miell elbi për afërsisht një vit.

Teksa afrohej koha për t’u nisur, Tomasi ngurroi ta bënte rrugëtimin sepse bashkëshortja e tij qe në pritje të një foshnjëje. Por Sara Denton Moltoni qe një grua me besim dhe nuk mund të ndalej lehtë. Përpara se të largoheshin nga Anglia, një prej misionarëve i dha Sarës një bekim në të cilin i premtoi se, nëse do të shkonte në Juta, ajo do ta bënte rrugëtimin e sigurt, pa humbur asnjë pjesëtar të familjes së saj – goxha bekim premtues për një familje që shpejt do të ishte me 10 veta!

Familja, që u nis për lundrim nga Liverpuli i Anglisë në vitin 1856 në anijen Thornton, mirëpriti një foshnjë të re djalë vetëm tri ditë pasi kishin nisur udhëtimin. Anija Thornton ishte prenotuar për të mbartur 764 shenjtorë danezë, suedezë dhe anglezë. Ata ishin nën drejtimin e një misionari të quajtur Xhejms Grei Uilli.

Gjashtë javë më vonë, anija Thornton arriti në portin e Nju-Jorkut. Familja Molton më pas hipi në tren për të bërë rrugëtimin e gjatë drejt perëndimit. Ata mbërritën në Ajoua--Siti të Ajouas në qershor të vitit 1856, e cila ishte pikënisja për kompanitë e karrocave të dorës. Vetëm tre ditë përpara mbërritjes së tyre, kompania e karrocave të dorës e kapitenit Eduard Bankër ishte larguar nga Ajoua-Siti, duke marrë shumë prej karrocave të dorës që qenë në dispozicion.

Vështirësitë me Karrocat e Dorës

Rreth dy javë më vonë, kompanisë Uilli iu bashkua një kompani tjetër shenjtorësh nën drejtimin e Eduard Martinit. Drejtues të Kishës në Ajoua-Siti, që kishin punuar fort për t’i furnizuar dhe nisur për udhë tri kompanitë e para të karrocave të dorës, tani duhej të sforcoheshin jashtë mase për të siguruar të ardhura për një trupë të madhe përtej parashikimit që do të mbërrinte me vonesë. Iu desh të ndërtonin 250 karroca dore përpara se këta shenjtorë të mund ta vazhdonin rrugëtimin e tyre.

Çdo burrë i fortë fizikisht u fut të punonte për bërjen e karrocave të dorës, ndërkohë që gratë bënë duzina çadrash për udhëtimin. Shumë prej këtyre bërësve amatorë të karrocave nuk iu përmbajtën cilësimeve teknike por bënë karroca me përmasa e fuqi të ndryshme, gjë që do t’u bëhej pengesë më vonë. Nisur nga nevoja, numri i karrocave të dorës që nevojiteshin, kërkoi që ato të ndërtoheshin me dru të njomë, të patharë dhe, në disa raste, duke përdorur lëkurë të paregjur dhe kallaj për rrotat. Çdo karrocë mbartte ushqime si dhe të gjitha zotërimet tokësore të shumë prej shenjtorëve.

Shpesh, në çdo karrocë dore ngarkoheshin 180 deri në 230 kg miell, shtroja, enë kuzhine dhe veshmbathje. Për çdo person lejoheshin vetëm 8 kg bagazhe vetjake në një karrocë dore.

Tomas Moltoni dhe familja e tij prej 10 vetash u caktuan në kompaninë e katërt të karrocave të dorës, sërish nën drejtimin e kapiten Uillit. Ajo përfshinte mbi 400 shenjtorë, me më shumë të moshuar sesa zakonisht. Një raport i bërë në shtator të atij viti renditi “404 persona, 6 varganë karrocash, 87 karroca dore, 6 pendë qe, 32 lopë dhe 5 mushka”1.

Familjes Molton iu lejua një karrocë dore e mbuluar dhe një e hapur. Karroca e mbuluar tërhiqej nga Tomasi dhe e shoqja. Në këtë karrocë kishin hipur foshnja e re, Çarlsi, dhe motra Lizi (Sofia Elizabeta). Loti (Sharlota) mund të hipte sa herë që karroca po ecte në të tatëpjetë. Tetëvjeçari Xhejms Hibëri ecte prapa me një litar të lidhur rreth belit që të mos humbte rrugën. Karroca tjetër e rëndë tërhiqej nga dy vajzat më të mëdha – Sara Elizabeta (19 vjeçe) dhe Meri Eni (15 vjeçe) – dhe nga vëllezërit Uilliami (12 vjeç) dhe Jozefi (10 vjeç).

Në korrik të vitit 1856, familja Molton i dha lamtumirën Ajoua-Sitit dhe nisi rrugëtimin e saj prej 2 090 km drejt perëndimit. Pasi udhëtuan për 26 ditë, ata arritën në Lagjet Dimërore (Florensë) të Nebraskës. Siç ishte zakoni, ata kaluan disa ditë atje, duke ndrequr karroca dhe duke marrë furnizime meqenëse nuk kishte qytete kryesore midis Lagjeve Dimërore dhe Solt-Lejk-Sitit.

Përgatitja e kompanisë Uilli për t’u larguar nga Lagjet Dimërore u bë kaq vonë, saqë u zhvillua një këshill për të vendosur a duhej të niseshin apo të qëndronin deri në pranverë. Disa që tashmë e kishin bërë atë itinerar, i paralajmëruan fuqimisht për rreziqet e udhëtimit po të niseshin në fund të verës. Por kapiten Uilli dhe shumë anëtarë të kompanisë e ndien se duhej të niseshin sepse nuk kishin strehim për ta kaluar dimrin në Florensë.

Rezerva të Pakta

Me rezerva të pamjaftueshme, anëtarët e kompanisë Uilli e nisën rrugëtimin e tyre sërish më 18 gusht, duke menduar që mund të merrnin prapë furnizim në Fort Lerëmi (veriu i Lerëmisë së sotme në Uajoming). Për shkak të paralajmërimit që kishin marrë, ata vunë një thes shtesë me 45 kg miell në secilën karrocë dhe mirëbesuan se do t’i ndeshnin karrot e furnizimit që qenë dërguar nga Solt-Lejk-Siti. Megjithatë, drejtuesit e karrove të furnizimit, duke menduar se nuk kishte më imigrantë në shteg, morën rrugën e kthimit për në Solt-Lejk-Siti në fund të shtatorit, përpara se kompania Uilli të arrinte tek ata.

Në Florensë, familjes Molton iu duk e udhës të linte prapa një kuti me furnizime sepse ngarkesa që duhej të tërhiqte për një familje prej 10 vetash, ishte thjesht shumë e rëndë. Deri atëherë, ata kishin lënë bagazhe në portin e Liverpulit, një kuti me veshje në anije, një sënduk me veshje në Nju-Jork-Siti dhe një sënduk me furnizime që përmbante shumicën e sendeve të tyre vetjake në Ajoua--Siti. Madje edhe përgjatë shtegut, ata kërkuan mënyra për ta lehtësuar barrën e tyre.

Pamja
Scotts Bluff National Monument

Monumenti Kombëtar i Skots Blafit në Nebraskën Perëndimore, SHBA

Fotografi nga Getty Images

Është e vështirë që të përfytyrohet mjerimi i familjes Molton dhe i burrave e grave të tjera të jashtëzakonshme të atyre kompanive të karrocave të dorës nga ata që i gëzojnë të gjitha rehatitë e jetës bashkëkohore. A mund t’i përfytyrojmë duart dhe këmbët me flluska, muskujt e tendosur, pluhurin dhe zhavorrin, djegien nga dielli, mizat dhe mushkonjat, kalimin e furishëm të tufave të buajve dhe përplasjet me indianët? A mund t’i përfytyrojmë kalimet e lumit dhe vështirësitë e rërës dhe shkëmbinjve rrëshqitës teksa përpiqeshin t’i shtynin karrocat e dorës nëpër ujin e rrëmbyer ose të thellë? A mund ta kuptojmë dobësinë që vjen nga mungesa e ushqyerjes së mjaftueshme?

Gjatë udhëtimeve të tyre, fëmijët e familjes Molton shkonin nëpër fusha me nënën e tyre për të mbledhur kallëza gruri të egër që t’u shtonin ushqim furnizimeve të tyre që po mbaronin me shpejtësi. Në një pikë, familja pati vetëm një bukë elbi dhe një mollë në ditë për çdo tre pjesëtarë.

Pikërisht përpara muzgut të 12 shtatorit, në kamp mbërritën një grup misionarësh që po ktheheshin nga Misioni Britanik. Ata i udhëhiqte Plaku Frenklin D. Riçards (1821--1899) i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, katragjyshi i bashkëshortes sime. Kur Plaku Riçards dhe të tjerët i panë vështirësitë e kompanisë së karrocave të dorës, ata premtuan të nxitonin për në luginën e Solt-Lejkut dhe të dërgonin ndihmë sa më shpejt të ishte e mundur.

Më 30 shtator, kompania Uilli arriti Fort Lerëminë në Uajoming, 645 km në lindje të Solt-Lejk-Sitit.

Me fillimin e tetorit, hyri dimri dhe vështirësitë u shumëfishuan teksa kompania orvatej të vazhdonte përpara. Rezervat po pakësoheshin aq shumë saqë kapiteni Uilli u detyrua t’i ulte racionet në 425 g miell për burrat, 368 g për gratë, 255 g për fëmijët dhe 142 g për foshnjat. Së shpejti ata do të përballeshin me erën gulçuese dhe borën vërshuese. Deri në mëngjesin e 20 tetorit, bora ishte 10 cm e trashë dhe çadrat dhe mbulesat e karrove qenë bërë copash nga pesha e saj. Pesë anëtarë të kompanisë kishin vdekur dhe disa nga kafshët që tërhiqnin karrot, kishin ngordhur nga i ftohti dhe uria natën përpara stuhisë dhe pesë anëtarë të tjerë vdiqën gjatë tri ditëve në vazhdim. Duke ushqyer së pari gratë, fëmijët dhe të sëmurët, shumë prej burrave të fortë mjaftueshëm u detyruan të rrinin pa ngrënë asgjë.

Nisen Grupet e Ndihmës

Pamja
Sweetwater River

Lumi Suituotër pranë Gjirit Martin, Uajoming, SHBA.

Tre km poshtë vendit Roki Rixh në Lumin Suituotër, kompania vendosi çadrat dhe priti që të kalonte stuhia në mes të urisë, të ftohtit dhe mjerimit.

Kur grupi i Frenklin D. Riçardsit arriti në Solt-Lejk-Siti, ata ia raportuan menjëherë Presidentit Jang gjendjene rrezikshme të imigrantëve. Shenjtorët në luginë nuk prisnin imigrantë të tjerë deri vitin e ardhshëm dhe lajmi për situatën e tyre të vështirë u përhap si zjarri në kashtë.

Dy ditë më vonë, më 6 tetor 1856, u zhvillua konferenca e përgjithshme në Tabernakullin e Vjetër. Nga foltorja, Presidenti Jang bëri thirrje që të nesërmen të niseshin burra, ushqim dhe furnizime në karro të tërhequra nga mushka ose kuaj për t’u shkuar në ndihmë.2

Xhon Benet Houkinsi ishte në Tabernakullin e Vjetër atë ditë dhe iu përgjigj thirrjes për ndihmë. Ai ishte një nga qindra individët në grupet e ndihmës që u nisën nga Solt-Lejk--Siti. Mbrëmjen e 21 tetorit, karrot e shpëtimit më në fund arritën në kampin Uilli. Ata u përshëndetën me gëzim dhe mirënjohje nga të mbijetuarit që po ngrinin e po vdisnin urie. Ky ishte takimi i parë i Xhon Benet Houkinsit dhe i Sara Elizabeta Moltonit, të cilët do të bëheshin stërgjyshërit e mi.

Më 22 tetor, disa nga shpëtimtarët vazhduan përpara për t’i ndihmuar kompanitë e tjera të karrocave të dorës, ndërkohë që Uilliam H. Kimballi me pjesën e mbetur të karrove, nisën të ktheheshin në Solt-Lejk-Siti duke drejtuar kompaninë Uilli.

Ata që ishin tepër të dobët për t’i tërhequr karrocat e veta të dorës, i vunë zotërimet e tyre nëpër karro dhe ecën përkrah tyre. Ata që nuk qenë në gjendje të ecnin, hipën nëpër karro. Kur mbërritën në Roki Rixh, i zuri një stuhi tjetër e madhe. Teksa sforcoheshin për t’u ngjitur në brinjën e vargmalit, iu desh të mbështilleshin me batanije dhe jorganë që të mos vdisnin të ngrirë. Rreth 40 veta nga kompania kishin vdekur tashmë.3

Moti ishte aq i ftohtë, sa shumë prej shenjtorëve vuajtën nga morthi në duar, këmbë dhe fytyrë ndërkohë që kalonin vargmalin. Një grua u verbua nga acari.

Mund ta përfytyrojmë familjen Molton, me folenë e tyre prej tetë fëmijësh, duke i tërhequr dhe shtyrë dy karrocat e tyre teksa sforcoheshin për të kaluar nëpër dëborën e thellë. Një karrocë tërhiqej nga Tomasi dhe bashkëshortja e tij me ngarkesën e saj të çmuar – Lotin, Lizin dhe foshnjën Çarls – me vogëlushin Xhejms Hebër që pengohej dhe tërhiqej nga litari përreth belit. Karroca tjetër tërhiqej e shtyhej nga Sara Elizabeta dhe tre fëmijët e tjerë. Një grua e moshuar, e mirë, duke e parë vogëlushin Xhejms që kishte vështirësi, e kapi për dore teksa ai zvarritej pas karrocës së dorës. Kjo vepër dashamirëse ia shpëtoi dorën e djathtë, por dora e tij e majtë, duke iu nënshtruar motit me temperaturë nën zero, ngriu. Kur arritën në Solt-Lejk-Siti, disa prej gishtërinjve të asaj dore ia prenë.

Pasdite herët më 9 nëntor, karrot me njerëz të vuajtur ndaluan përballë ndërtesës së zyrave të së dhjetës, ku tani ndodhet Ndërtesa Përkujtimore për Jozef Smithin në Solt--Lejk-Siti. Shumë mbërritën me këmbë e gjymtyrë të ngrira. Gjashtëdhjetë e nëntë veta kishin vdekur gjatë rrugëtimit. Por premtimi ndaj familjes Molton në atë bekim në Angli qe përmbushur. Tomas dhe Sara Denton Moltoni nuk kishin humbur asnjë fëmijë.

Nga Shpëtimi te Romanca

Kompania u përshëndet nga qindra qytetarë të Solt--Lejkut që po e prisnin me ankth ardhjen e tyre dhe ishin gati t’i ndihmonin duke u kujdesur për ta. Mirënjohja dhe vlerësimi kundrejt njërit prej heronjve të rinj që kishin ndihmuar për shpëtimin e familjes Molton nga kthetrat e vdekjes, shpejt lulëzoi në romancë dhe dashuri për Sara Elizabetën.

Më 5 dhjetor 1856, në mes të urimeve të lumtura nga njerëzit e saj të dashur, Sara Elizabeta u martua me Xhon Benet Houkinsin, shpëtimtarin e saj. Ata u vulosën për kohën dhe përjetësinë korrikun e ardhshëm në Shtëpinë e Dhurimit [Indaumentit]. Ata e ngritën shtëpinë në Solt-Lejk-Siti dhe u bekuan me tre djem e shtatë vajza. Një prej atyre vajzave, Ester Emilija, u martua me gjyshin tim Çarls Rasbandin në vitin 1891.

Më 24 qershor ne kremtojmë Ditën e Pionierëve dhe shprehim mirënjohje për pionierët e shumtë që dhanë gjithçka për të ndërtuar luginën e Solt-Lejkut dhe shumë komunitete të tjera në perëndim të Shteteve të Bashkuara. Ne shprehim mirënjohje edhe për pionierët shenjtorë të ditëve të mëvonshme anekënd botës që kanë ndriçuar – dhe po ndriçojnë – një shteg ungjilli për t’u ndjekur nga të tjerët.

Çfarë i bëri të vazhdonin lëvizjen? Çfarë i bëri ata të çanin përpara? Përgjigjja është dëshmia për Zotin Jezu Krisht. Si stërnip pionierësh, unë shtoj dëshmimin dhe dëshminë time që mundimet e tyre nuk qenë të kota. Unë e ndiej atë që ata ndien. Unë e di atë që ata dinin dhe jap dëshmi për të.

Shënime

  1. Raport nga F.D. Richards dhe Daniel Spencer, “Smith, Marilyn Austin, Faithful Stewards—the Life of James Gray Willie and Elizabeth Ann Pettit, f. 95–120”, history.lds.org.

  2. Shih Brigham Young, “Remarks”, Deseret News, 15 tetor 1856, f. 252; shih edhe LeRoy R. Hafen dhe Ann W. Hafen, Handcarts to Zion (1981), f. 120–121.

  3. Nga këta, 19 veta kishin vdekur përpara se kompania të arrinte në Fort Lerëmi, përfshirë 7 që vdiqën në udhëtimin përgjatë oqeanit dhe 4 që vdiqën në Ajoua-Siti. 19 të tjerë vdiqën midis Fort Lerëmisë dhe fillimit të dimrit, shumica në ditët përpara mbërritjes së shpëtuesve.

Shtyp në Letër